Kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer fjalët e mira për Presidentin e Republikës Ilir Meta teksa ka folur për qëndrimin e tij dhe bashkëpunimin në situatën që po kalon vendi për shkak të pandemisë së koronavirusit. Në një intervistë për News24 Rama tha se përplasjet e mëparshme kanë qenë të diktuara nga pozicionet e mëparshme që nuk ndryshojnë, por se për qëndrimin ndaj kësaj situate Presidenti meriton respekt.
“Përplasjet e mëparshme kanë qenë të diktuara nga pozicionet e mëparshme dhe për tema të mëparshme. Po t’i kthehemi aty nuk do ndryshonin pozicionet tona. Ne jemi në situatë tjetër. Pozicioni i presidentit , për hir të së vërtetës, ka qenë korrekt. Presidenti ka kryer detyrën e tij me një përmasë përgjegjshmërie dhe njerëzillëku e është për t’u lavdëruar. Ajo që kemi sot është një situatë ku të gjithë duhet të jenë bashkë. Kjo është një situatë, ku nuk po luftojmë për vota, por për jetën e njerëzve.
Botërisht dhe në Europë të gjitha opozitat që kanë vijuar këngën kanë rënë ndjeshëm në sytë e opinionit publik. Presidenti që para kësaj situate ishte bërë njësh me opozitën tani është bërë njësh me popullin e qeverinë dhe nuk shoh asnjë arsye për të thënë që po bën gjënë e duhur dhe meriton respektin. Kur është kështu është kështu. Nuk kam pse mos ta them. Bashkëpunimi me presidentin ka qene perfekt”, deklaroi Rama.