Nga Ilir Nikolla
Pa e mbyllur ende ngërçin-karantinë, të krijuar nga pandemia, e kur duket se ende s’janë parë qartë pasojat e tmerrshme që kjo pandemi do shkaktojë në ekonominë e qindra mijë familjeve shqiptare, Edi Rama i është rikthyer lojës së vjetër me orarin e zgjedhjeve dhe me kundërshtarët që kërkon t’i zgjedhë vetë. Ai po shfaq hapur gatishmërinë për të bërë Kod Zgjedhor e proces votimi, veç me buratinët që ka në parlament. Rikthimi i tezës “kodin zgjedhor e miratojmë në parlament” është jo vetëm thyerje e të vetmes praktikë pozitive që është regjistruar në 20 vjet dialog të vështirë politik në vend, por edhe përpjekje finale që nëpërmjet kësaj loje parlamentare të hiqet qafe njëherë e mirë çfarëdolloj rreziku që mund t’i kanoset oligarkisë nga rotacioni politik.
Loja me kod zgjedhor të njëanshëm e me opozitë të emëruar ka rastin e fundit të testohet në këtë fund-pandemie, prandaj edhe kryeministri ka nxitim të akaparojë sa të mundet nga situata e krijuar me gjendjen e jashtëzakonshme të shpallur me dekret. Imagjinoni ku shkon babëzia, me një dekret të shpallur pa nisur ende pandemia e me një kurbë të infektuarish që s’dihet se kur e ka pasur kulmin e kur do ta ketë fundin, Edi Rama po synon të caktojë rregullat e lojës, jo veç për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por – sipas traditës – edhe për 20 vitet e ardhshme të politikës shqiptare. Pasi ka harxhuar paradhënie buxhetin e shtetit për 10-15 vitet e ardhshme, me koncesionet dhe kontratat e projektit famëkeq “One billion”, tani po synohet mbyllja e qarkut me miratimin e një Kodi Zgjedhor që pamundëson njëherë e përgjithmonë kryerjen e rotacionit politik në rrugë paqësore.
Me Kodin e ri, synohet që gjithë procesin ta organizojë Ministria e Brendshme, imagjinoni, ajo ministri që u shqua vjet veç për përdorimin masiv të gazit lotsjellës mbi protestuesit dhe që spikati sivjet në Ditën e Evropës, për dhunën ndaj protestueseve gra. Kodi i ri do të njohë supremacinë e kryeministrit në fushatën zgjedhore, kontrollin e tij të plotë mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, bile pritet të ngrihet edhe një filtër kontrollues që do të pamundësojë daljen e kandidatëve të pavarur, të cilët mund të rrezikojnë “atmosferën festive” të ditës së zgjedhjeve dhe ditës së nxjerrjes së rezultateve.
Kjo lojë me orarin e zgjedhjeve nuk është kapriçio, është pjesë e një plani të strukturuar që sheh se ka tek pandemia dhe gjendja e jashtëzakonshme aleatin e vet më të mirë. Nëse kësaj koincidence, i shtojmë edhe hutimin e përgjithshëm që mbizotëron tek burokracia e Brukselit, ku ka më mirë se nxitimi.
Por miratimi i një Kodi Zgjedhor në mënyrë të njëanshme nuk është si ajo shprehja popullore “fillimi i mirë, gjysma e punës”. Kjo punë ka nisur keq, prandaj këmbëngulja thjesht do ta çojë gjithçka për dreq. Synimi për të pamundësuar çfarëdolloj rotacioni politik përmes manipulimit të rregullave të lojës s’bën gjë tjetër veçse prodhon urgjencën për ta prodhuar këtë rotacion përmes menyrave jo-ortodokse. Shqiptarët tashmë janë njohur me respektin e pakët që ka kryeministri për aftësitë e tyre për të mos lejuar një lojë me rregullat e demokracisë dhe i kanë çuar disa sinjale se ndodh që edhe ju ngrihet adrenalina, kur i prek në tela.
Prandaj tani është momenti se ç’ka mbetur nga infrastruktura e vjetër, e dalë nga konsensuset e viteve 2000-2001, të çojë një mesazh të paekuivok mbi pasojat që sjell loja e njëanshme e qeverisë me rregullat dhe orarin e lojës së zgjedhjeve.