ANALIZA/ “’Kush e zhvati tokën’, ‘sa futi në xhep ai’”- Aurel Plasari: Si u thjeshtua debati për Teatrin Kombëtar, pse iu shmangën përgjegjësisë për heqjen nga monument kulture

Saturday, 16 May 2020 14:19

Studiuesi Aurel Plasari është bërë pjesë e debatit të ashpër për prishjen ose jo të Teatrit Kombëtar. Përmes një mesazhi të gjatë në “Facebook”, Plasari thekson se i duhet shkuar krimit në zanafillë, për t’u marrë me përgjegjësit që e hoqën atë ndërtesë nga listat e monumenteve të kulturës, të cilat mbrohen nga shteti.

“Edi Rama “i bën” të gjitha sepse qeveris në Shqipëri, ku edhe rrënimi i monumenteve historike është punë e lehtë, në kuptimin që nuk kërkon ndonjë farë guximi a trimërie. Është ves që qeveritarëve rrënimtarë ua ka lënë lija. Janë rrënuar në Shqipëri deri edhe monumente ndër më të rrallat të Mesjetës arbërore”, shkruan mes të tjerash studiuesi.

Mesazhi i plotë:

Në debatet për mbrojtjen dhe ruajtjen e ndërtesës kulturore shumëfish historike, në të cilën funksionojnë sot “Teatri Kombëtar” dhe “Teatri Eksperimental”, kam ngulmuar më se një herë që t’i shkohet krimit në zanafillë. Të merremi me përgjegjësit që e hoqën atë ndërtesë nga listat e monumenteve të kulturës, të cilat mbrohen nga shteti. Përpos mirëkuptimit nga dy ose tre kolegë të nderuar, kam ndeshur në një skepticizëm zhgënjyes.

Po ashtu jam bezdisur kur shikoja që beteja thjeshtohej te “si u tenderua”, “sa u tenderua”, “kush fiton më shumë”, “kush zhvat tokën”, “sa fut në xhep ky”, “sa fut në xhep ai”. Mbi 12 herë mund të kem shkruar për nevojën e ruajtjes dhe mbrojtjes së asaj ndërtese kulturore shumëfish historike pa u marrë me shifra dhe xhepa. Nëse dokumente hedhin dritë mbi cilëndo forcë politike që është përgjegjëse për nxjerrjen nga lista e monumenteve të kulturës, pra nga mbrojtja shtetërore e monumentit në fjalë – po e përsëris: të shpallur tanimë me vlerë kulturore europiane, – asaj force do t’i llogaritet përgjegjësia historike e krimit.

Kur në një intervistë të 9 qershorit 2019 më ka pas pyetur z. Krasta nëse do të bëheshin dot zgjedhje më 30 qershor, ndryshe nga të ftuar të tjerë i kam qenë përgjigjur “po”. E mbani mend? Dhe nuk ma vunë veshin. Të tjerët bënin be e rrufe që ato zgjedhje nuk do të bëheshin kurrën e kurrës. Jam përgjigjur që Edi Rama “i bën” dhe kam shpjeguar edhe se përse Edi Rama “i bën”. Siç i bëri.

Dhe “i bën” të gjitha sepse qeveris në Shqipëri, ku edhe rrënimi i monumenteve historike është punë e lehtë, në kuptimin që nuk kërkon ndonjë farë guximi a trimërie. Është ves që qeveritarëve rrënimtarë ua ka lënë lija. Janë rrënuar në Shqipëri deri edhe monumente ndër më të rrallat të Mesjetës arbërore. Edhe duke qenë të përfshira në listat e monumenteve të kulturës, pra që mbroheshin nga “shteti”, ndërsa prisheshin po nga “shteti”. Si për të përmbushur ndezullinë e rrënimtarëve xhahilë, është bërë kujdes edhe që të regjistroheshin në pelikulë. Mund ta shohim të regjistruar krejt ngjashëm, në suport elektromagnetik, edhe kryerjen e krimit të ri.

Shfletoni historinë dhe hapni faqen e zezë të rrënimit të kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës, asaj ngrehine të rrallë të kultit të shek. XIII, të vlerësuar nga specialistët për arkitekturën gotiko-romanike etj. Për të thoshte legjenda – jo Barleti – që aty pati vënë kurorë vetë Gjergj Kastrioti, Skënderbeu. Rrënimtarët shtetërorë e hodhën në erë me dinamit, ndonëse ajo ishte e përfshirë në listën e monumenteve të kulturës që mbroheshin nga “shteti”. Nëse nuk ia dini historikun, shfletoni dhe lexojeni diku.

Dhe ngushëllohuni që e kemi ruajtur të stampuar si “souvenir” në kartëmonedhën 1000-lekëshe të Bankës sonë Kombëtare, emision i vitit 1996 dhe rishtypje e viteve 2001, 2007 etj. Pra mund të duhen pritur disa vite për ta pasur, të stampuar në një kartëmonedhë të ngjashme, edhe ndërtesën kulturore shumëfish historike – këtë që pret rrënimtarët – në mënyrë që të mburremi me çfarë na ishte një herë.

Një hollësi më shumë, meqë kujtova historikun e rrënimit të Shën Mërisë në Vaun e Dejës. Nuk ka mbetur vetëm stampimi i saj në 1000-lekëshin bashkëkohor. Së paku një arkitekt, ish-drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës, edhe nën regjimin diktatorial guxoi të dorëzonte në prokurori një padi kundër atij rrënimi kriminal, pavarësisht se asaj padie nuk iu vu veshi. Quhej Gani Strazimiri. Në historinë e betejave për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore-historike të shqiptarëve ka mbetur i regjistruar edhe akti i tij vetmitar.

 

Modifikuar më Saturday, 16 May 2020 19:33
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...