Shqiptarët dhe ndërhyrja serbe në Mal të Zi si rrezik për Ballkanin

Premte, 22 May 2020 11:22

 

NGA SHABAN MURATI

Pas humbjes së madhe gjeopolitike të influencës zyrtare në Mal të Zi, që pësoi Serbia me anëtarësimin e Malit të Zi në NATO në vitin 2017, nuk kanë reshtur përpjekjet e Serbisë për të aktivizuar ndërhyrjen fetare dhe gjeopolitikën fetare serbe për të rimarrë kontrollin në shtetin fqinj. As në kohën e pandemisë së koronavirusit, që bllokoi Ballkanin dhe gjithë botën, Serbia nuk ndali me provokimet e saj të destabilizimit të Malit të Zi dhe nxitjes së një lufte fetare atje.

Në mënyrë sfiduese ndaj ligjeve, rendit publik dhe pandemise, kisha ortodokse serbe organizoi procesione maive fetare proserbe në datën 12 maj, duke shkelur ligjin e gjendjes së jashtëzakonëshme, që ndalonte çdo lloj grumbullimi e manifestimi publik me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të popullit. Shkelja e qëllimëshme e ligjit nga priftërijtë e kishës ortodokes serbe me të drejtë çoi në ndalimin e peshkopit të Nikshiqit dhe disa priftërijve, që organizuan manifestimin publik të qindra anëtarëve të kishës ortodokse serbe.

Ky shah i paramenduar i shkeljes së ligjit nga kisha ortodokse serbe në Mal të Zi u përdor nga qeveria e Serbisë për të ndërmarrë një fushatë të re të ndërhyrjes brutale në punët e brendshme të Malit të Zi. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kreu i kishës ortodokse serbe Irinej ngritën alarmet fetare dhe politike kundër Malit të Zi me përkrahjen zyrtare ndaj shkelësve me raso serbe të ligjit në vendin fqinjë.

Presidenti serb zhvilloi në 15 maj një bisedë telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, me temën e shkeljeve të të drejtave të kishës serbe në Mal të Zi. Në 16 maj ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, shpalli se situata në Mal të Zi “është në prag të luftës vëllavrasëse midis serbëve dhe malazezëve”. Ndërkaq kisha ortodokse serbe dhe shërbimet sekrete serbe kanë nxitur forcat politike filoserbe në Mal të Zi të vazhdojnë me protestat e tyre të paligjëshme antiqeveritare. Që ka një fushatë të orkestruar e tregon fakti se në këto protesta fetare filoserbe kanë marrë pjesë falanga priftërijsh dhe paramiltarësh nga Serbia, nga Rusia dhe nga Ukraina.

Serbia me kishën e saj ortodokse dhe me shërbimet e saj sekrete po përdorin kartën fetare për të krijuar një klimë të fortë destabiliteti në këtë shtet anëtar të NATO-s dhe shtet-kandidat në BE.

Ndërhyrja e Serbisë në punët e brendshme të Malit të Zi nën pretekstin e mbrojtjes së kishës ortodokse serbe në atë vend, është një kërcënim real imediat për sovranitetin dhe pavarësinë e Malit të Zi. Në datën 16 maj ministri i jashtëm i Malit të Zi, S.Darmanoviç, thirri në një takim ambasadorët e vendeve të NATO-s dhe të BE, të akredituar në Podgoricë dhe u paraqiti elemetet e luftës hibride, që po manifestohen në fushatën e orkestruar kundër pavarësisë dhe integritetit të Malit të Zi.

Në datën 16 maj ministria e jashtme e Malit të Zi publikoi një komunikatë, ku dënon me forcë “ndërhyrjen brutale dhe të rrezikëshme të ministrit të jashtëm serb në punët e brendshme të Malit të Zi ”.

Shkallëzimi i ndërhyrjes së qeverisë serbe, të shërbimit sekret serb dhe të kishës ortodokse serbe në punët e brendshme të Malit të Zi, dhe provokimet destabilizuese fetare serbe, kanë arritur në një nivel shqetësues për fatet e këtij shteti anëtar të NATO-s . Në datën 18 maj presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, u detyrua të dënojë ashpër strategjinë e Serbisë dhe të kishës ortodokse serbe kundër shtetit të pavarur dhe sovran të Malit të Zi. Ai i akuzoi ata se “ duan të marrin në duart e tyre fatin e Malit të Zi. Kjo don të thotë ta sakrifikosh Malin e Zi në altarin e Serbisë”. Presidenti malazez paralajmëroi qartë Serbinë: ”Mos na ofroni formula të përgjakëshme për të ardhmen e Malit të ZI dhe të Ballkanit”.

Këto zhvillime të rrezikëshme, që po krijon Serbia në kohën e pandemisë së koronavirusit komprometojnë qartë politikën dhe strategjinë hegjemoniste të Serbisë ndaj shtetit fqinj. Është një politikë dhe strategji që synon rimarrjen e kontrollit të pushtetit politik në Podgoricë nga forcat filoserbe dhe daljen e Malit të Zi nga aleanca atlantike. Instrumenti i vetëm i fortë, që i ka mbetur Beogradit, është kisha ortodokse serbe në Mal të Zi, e cila me organizime fetaro-politike dhe paramilitare i është kundërvënë pavarësisë së Malit të Zi, anëtarësimit në NATO dhe krijimit të Kishës së pavarur autoqefale malazeze. Serbia po përpiqet ta çvleftësojë pavarësinë, shtetësinë dhe sovranitetin e shtetit malazez dhe ta shndrrojë kishën ortodokse serbe në qendrën e vetme të pushtetit politik në Mal të Zi.

Trazirat e shkaktuara nga Serbia nën maskën e të drejtave fetare serbe në Mal të Zi evedentojnë disa elementë të rij, të cilat duhet të tërheqin vëmendjen e shteteve fqinj me Malin e Zi dhe të gjithë shteteve të tjera ballkanike. Së pari, Serbia e shpall veten protektore e gjithë ortodoksëve në shtetet, që kanë dalë nga ish Jugosllavia. Është interesant se si ministri i jashtëm serb, I. Daçiç, në datën 18 maj, duke justifikuar ndërhyrjen serbe në punët e brendshme të Malit të Zi, deklaroi se në Mal të Zi mbi 70 përqind e banorëve janë ortodoksë. Sipas logjikës fondamentaliste të diplomacisë serbe, ortodoksët që jetojnë në shtetet që kanë dalë nga ish Jugosllavia janë serbë dhe Beogradit i lind e drejta e proteksionit mbi gjithë ortodoksët e ish Jugosllavisë. Pikërisht për këtë arsye kisha ortodokse serbe nuk njeh kishën ortodokse të pavarur të Malit të Zi, e cila e ka pasur autoqefalinë përpara kishës serbe, dhe as kishën ortodokse të Maqedonisë së Veriut. Burime diplomatike bëjnë të ditur se kisha ortodokse serbe i ka bërë presion Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë që të mos njohë as kishën ortodokse të Malit të Zi dhe as kishën ortodokse të Maqedonisë së Veriut.

Së dyti, ministri i jashtëm i Serbisë në 18 maj, si kundërvënie ndaj akuzave zyrtare malazeze për ndërhyrjen serbe në Mal të Zi, u kundërpërgjigj me tezën e re të diplomacisë serbe se është Mali i Zi që ka ndërhyrë në punët e brendshme të Serbisë, meqë Mali i Zi ka njohur Kosovën dhe ka votuar në UNESCO që objektet fetare ortodokse në Kosovë të jenë trashëgimi kulturore e Kosovës. Sipas logjikës së palogjikëshme të diplomacisë serbe vlerësohet se të gjithë shtetet, që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kanë ndërhyrë në punët e brendshme të Serbisë dhe kjo i jep Beogradit të drejtën e ndërhyrjes në punët e brendëshme të vendeve ballkanike.

Së treti, fushata fetare dhe strategjia serbe për destabilizimin e Malit të Zi është e koordinuar me Rusinë. Jo rastësisht Vuçiç zhvilloi bisedime në 15 maj me Putinin për ngjarjet në Malin e Zi. Jo rastësisht kemi këto ditë një fushatë të orkestruar në mediat ndërkombëtare ruse kundër shtetit të Malit të Zi. Në datën 18 maj agjencia zyrtare ruse “Ria Novosti” frynte histerinë e luftës se “në Mal të Zi seriozisht flitet për luftë civile vëllavrasëse. Besimtarët janë gati të luftojnë për peshkopin Amfilohije dhe për kishën”. Agjencia zyrtare ruse arrin në absurditete të tilla, sa shkruan se “karantina është pretekst për sulme kundër kishës serbe në Mal të Zi”. Përzierja e diplomacisë dhe e shërbimeve sekrete ruse në Mal të Zi është e njohur që nga tetori i vitit 2016, kur sëbashku me shërbimet sekrete serbe dhe kishën ortodokse serbe u organizua përpjekja për grusht shteti në Podgoricë për rrëzimin e qeverisë së ligjëshme malazeze, me qëllim që të sabotohej anëtarësimi i vendit në Nato. Presidenti i Malit të Zi, M.Gjukanoviç, jo pa qëllim e theksoi edhe në konferencën e shtypit të 18 majit se ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, i është drejtuar personalisht dhe e ka quajtur “tradhtar të interesave ruse”. Pra Rusisë i duhet në Podgoricë një qeveri që të jetë mbrojtëse e interesave ruse, siç i duhet edhe Serbisë që të jetë një qeveri malazeze mbrojtëse e interesave serbe.

Përballë tablosë së errët të këtyre zhvillimeve negative kundër Malit të Zi, vështirë të ketë mendje të kthjellët që të besojë se Serbia me projektin e saj të aleancës së “minishengenit” e ka hallin t’u dhurojë ballkaniko-perëndimorëve “katër lirëtë e famshme”. Serbia e ka hallin të realizojë vetëm lirinë e pestë, atë të ndërhyrjes së saj në punët e brendshme të shteteve, që kanë aderuar në projektin serb të federatës së re të cunguar jugosllave. Kërkon të drejtën e kontrollit dhe të influencës mbi shtetet e projektit të “minishengenit”, që për fatin e keq diplomatik të shtetit dhe të kombit tonë, Tirana vazhdon ta glorifikojë si “familja ballkanike”. Tirana nuk don të hapë sytë dhe të kuptojë realitetin që po ua paraqet presidenti malazeze Milo Gjukanoviç, udhëheqësi ballkanik, i cili e njeh Serbinë më mirë nga të gjithë drejtuesit e sotëm ballkanikë, dhe i cili paralajmëron për “formulat e përgjakëshme”, që vijnë nga Beogradi.

Serbia po destabilizon Malin e Zi. Serbia është përpjekur të destabilizojë Maqedoninë. Serbia po destabilizon Kosovën. Serbia po destabilizon Bosnjë-Hercegivinën. Serbia ka tre vjet që po krijon rryma destabilizuese në Shqipëri. Kur ajo nuk kursen as popujt e një race, të një feje dhe të një alfabeti me të, dhe don që t’i shtypë e t’i sundojë, përse vallë do të tregohet befas bujare me kombin shqiptar, të cilin ka 100 vjet që e përgjak dhe i ka pushtuar territoret dhe që e ka masakruar masivisht deri në vitin 1999. Përrallat e “familjes ballkanike dhe të paqes ballkanike” që si psallme vazhdojmë t’i dëgjojme edhe në kohë pandemie, shfryhen menjëherë mjafton të shohësh se çfarë po bën Serbia në Mal të Zi. Imagjinoni se çfarë të papriturash përgatit Serbia ndaj shtetit dhe kombit shqiptar, të cilët i urren zyrtarisht dhe historikisht./Dita/

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...