Nga Xhemal Gjunshi
Prej 6 ditësh vijon të jetë i humbur Ardian Zabit Pali, 18 vjeçari nga fshati Dipjakë e Sllovës, i cili humbi gjurmët e kontaktit ditën e mërkurë, teksa ishte duke mbledhur (lule)bimë medicionale . Djaloshi kishte kaluar kufirin shtetëror në afërsi të piramidës 5 dhe kishte zbritur diku në afërsi të Ujëvarës së përroit të thellë sipër fshatit Zhuzhnje të Rekës së Epërme në Maqedoninë e Veriut .
Prej gjashtë ditësh nuk kanë rreshtur kërkimet e familjarëve dhe banorëve të fshatrave përreth, të cilët janë solidarizuar me familjarët .
Edhe pse është denoncuar humbja e tij në policinë e shtetit, transmetuar në Televizionet Kombëtare, akoma nuk ka një reagim nga ana e Policisë Vendore të Dibrës. Në kërkimet në terren është bashkuar vetëm një efektiv i policisë kufitare Shqiptare, ndërsa nga Drejtoria e Policisë Dibër nuk është angazhuar asnjë polic, përveç inspektorit të zonës. Policia më shumë ka kontribuar në pengimin e banorëve që shkojmë për të kërkuar në bjeshkë.
I bëjmë thirrje policisë së shtetit të mos përdorë policët për të rrahur qytetarët , artisët dhe gazetarët nëpër protesta , por të përmbushë misionin e saj në mbrojtjen, kërkimin dhe shpëtimin e qytetarëve të Shqipërisë.
Në rastin konkret policia Shqiptare si ajo e Rendit edhe e kufirit duhet të ishte angazhuar për gjetjen dhe shpëtimin e djalit 18-vjeçar.
Aspak e ndjeshme është treguar edhe njësia administrative Sllovë, Bashkia dhe institucionet vendore Dibër, të cilat karshi solidaritetit që kanë treguar banorët e fshatrave për rreth, duket sikur nuk ekzistojnë fare.
Është për tu vlerësuar angazhimi direkt i Drejtorit të Policisë Kufitare të Maqedonisë së Veriut (Rajoni Perëndimor) z. Fisnik Hani i cili prej 4 ditësh ka angazhuar të gjithë trupën e policisë kufitare në kërkimet në terren .
Vlen të theksohet se përveç kërkimeve kanë qenë korrekt në informacionet e dhëna , dhe në angazhimin për të vijuar kërkimet edhe në ditët në vazhdim deri në gjetjen e tij.
Sot nuk është koha për të fjetur , derisa familja e Zabit Palit nuk ka djalin në shtëpi prej 6 ditësh.
I bëj thirrje policisë së shtetit të mobilizohen dhe të angazhohen sëbashku me banorët dhe të mos kthehen pa e gjetur.
Misioni i tyre nuk është shtypja e protestave me dhunë, por ardhja në ndihmë komunitetit, shpëtimi i qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.
Duke i falenderuar autoritetet e Kufirit të Maqedonisë së Veriut, do ju lutesha të vijonin kërkimet deri në gjetjen e Ardian Palit.
Me besimin në Zot , shpresojmë që Ardiani të gjendet shëndoshë e mirë dhe sa më shpejt të kthehet pranë familjes !