Sigurimi i Shtetit është instaluar sot kudo në strukturat e Policisë, Sigurisë dhe Drejtësisë...

E Enjte, 04 June 2020 19:57

Nga Ahmet Prençi
Ish Drejtor i Pergjithshem i Policise se Shtetit

Dy fjalë rreth librit “Dosja 135” të autorit Teki Iljazi

Me Teki Iljazin jemi njohur në fillim të viteve ’90. Po të mos kishin ndodhur ndryshimet e mëdha politike, mbase kurrë s’do ishim takuar, s’do ishim njohur e nuk do kishim punuar dot së bashku. U hasëm me njëri-tjetrin në këtë epokë të re të fundshekullit të kaluar. Të dy rishtasi, punonjës në strukturat e Policisë së Shtetit. As mua, as Tekiut nuk na e rrokte mendja ndonjëherë se do ishim anëtarë të kësaj organizate represioni të kohës së komunizmit. Unë vija direkt nga studimet në policinë hetimore, ndërsa Tekiu vinte nga përvoja e vështirë e internimit dhe shkollimit të tij të vështirë. Në atë kohë, shkollimi për fëmijët e “armiqve të partisë-shtet” ishte një nga makthet më të mëdha të kësaj shtrese. Ai filloi të punonte asokohe në sektorin e menaxhimit të personelit në Policinë e Tiranës.

E mbaj mend Tekiun si një zyrtar mjaft korrekt; të qetë, të matur, pa mllefe, pa urrejtje dhe me komunikim të ëmbël e plot mirësi. Vuajtjen e tij nga regjimi i mëparshëm nuk donte kurrsesi ta reflektonte në aktivitetin e tij zyrtar dhe as në marrëdhëniet e tij shoqërore. Gjithmonë, edhe pse punuam në sektorë të ndryshëm në polici, me njëri-tjetrin ruajtëm miqësi dhe respekt të ndërsjellë.

Kur në postën time elektronike më erdhi dorëshkrimi i librit të tij “Dosja 135”, nisa ta lexoja me një frymë. Nuk u shkëputa deri në pikën e fundit që kishte vendosur në përmbyllje të librit. Në të vërtetë, unë e njoha edhe më mire Tekiun përmes faqeve të këtij libri. Mu shtua më shumë respekti dhe vlerësova miqësinë e virtytshme 30-vjeçare me të. Në faqet e librit të tij, nëpërmjet rrëfimit të sinqertë të Tekiut, dhe dokumenteve të dosjes së zezë nr.135, tregohet dhimbshëm saga e vuajtjeve të familjes së tij nën regjimin komunist. Sagë e rëndë, edhe pse nuk kishin kryer asnjë krim.

As babai i tij, Muharrem Feim Iljazi, nuk kishte kryer krim. As vetë Tekiu apo familjarët e tij. Paguan vetëm të kaluarën patriotike dhe vlerat e larta morale që kishin trashëguar. Kjo u ndodhi në fakt qindra familjeve të nderuara shqiptare që, vetëm për këtë arsye, sistemi komunist i vrau, i burgosi, i interrnoi…

Në këtë libër, përveç rrëfimit të Tekiut për kalvarin e vuajtjeve të babait të tij të ndjerë, Muharremit, dhe familjes së tij, na prezantohet e plotë një dosje origjinale, e hartuar nga xhelatët e Sigurimit të Shtetit. Në fletët e dosjes del në pah më së miri zelli i oficerëve të Sigurimit që, vetëm fytyrën e kishin prej njeriu. Ata sajuan dhe manipuluan, për të përfshirë e shpërfytyruar njerëz të ndryshëm, duke u deformuar moralin e tyre të nënshtruar, me qëllimin e vetëm për të arritur synimin e tyre ogurzi: për të burgosur qytetarë që, sipas tyre, ishin kundër “pushtetit popullor”. Edhe kur nuk ekzistonin këta njerëz dhe as provat kundër tyre, këta mizorë do t’i krijonin, do të manipulonin dhe fabrikonin sajesa e prova të rreme nga më monstruozet. Ata pra, kanë mashtruar dëshmitarë dhe, me poshtërsinë e tyre militanteske, do të zyrtarizonin akuza të rënda për të shkaktuar terror e dhimbje për qytetarët patriotë e të ndershëm.

Nga të gjithë oficerët e Sigurimit që kanë lënë gjurmë në këtë dosje, me disa prej tyre unë kisha punuar në strukturat e policisë. I kam patur kolegë në punë, pa e ditur mirë të kaluarën e tyre dhe veprimtarinë kriminale personale në dëm të njerëzve. Edhe Tekiu mund të ketë ndarë zyrën me ndonjërin prej tyre, pa e ditur rolin e tyre individual në hartimin e kësaj dosjeje “tepër sekret”. Për veprimet konkrete të këtyre xhelatëve e mësoi dhimbshëm në këtë libër.
Sa të tillë kanë punuar qetësisht e të sigurtë në institucionet ligjzbatuese këto 30 vjet? Sa të tillë janë sot në pozicione kyçe në Policinë e Shtetit, në Prokurori, në SHISH, në SHÇBA, në DSIK, në gjyqësor etj.? Kjo makineri kriminale që quhej Sigurimi i Shtetit vazhdon dhe sot të hartojë reforma, të prodhojë ligje, të japë drejtësi. Sa keq! Sa e padrejtë është kjo për një popull kaq të vuajtur! Ata vazhdojnë të qetë misionin ogurzi, me maskat e tyre prej njeriu, dhe me pasionin kriminal që kanë dhe u zien brenda tyre.

Në kohën që kam drejtuar Policinë e Shtetit, unë u përpoqa ta pastroj këtë institucion nga oficerët e Sigurimit. Me reformën që bëmë ja arritëm. Për aq sa bëra ndjehem krenar, sepse në fakt, kurrsesi, policia si shërbim ndaj qytetarëve, nuk duhet të jetë strehë e hijeve të errëta dhe kriminale. Tani po mësoj me dhimbje se ata u rikthyen fuqishëm, rreth 350 oficerë të Sigurimit famëkeq janë në poste drejtuese të organizatës së policisë.

E përgëzova shumë Tekiun që na vë në dispozicion një libër dhe na tregon me dokumente historinë e vuajtjeve të babait dhe të familjes së tij. Siç është modest, Tekiu kishte meraqet e veta; për stilin e rrëfimit, teknikën e konceptimit të librit etj. E unë, nëpërmjet këtyre radhëve, po i them: ke plotësuar një amanet për babain tënd të ndjerë, të dënuar e të përndjekur padrejtësisht gjatë gjithë jetës së tij. Ke kryer e përmbushur një detyrë e mision të rëndësishëm për t’u dhënë mundësi lexuesve të lexojnë të vërtetën e të ballafaqohen me dokumente origjinale. Të kuptojë gjithsecili sa mizorë, të pashpirt e manipulatorë ishin xhelatët e Sigurimit katil të Shtetit.

Të gjithë bashkëpunëtorët e Sigurimit, të cilët pranuan të bëhen vegla që pasqyrohen në dosjen e zezë me nr. 135, Tekiu i ka ndjekur kudo në cepat e errët të arkivave. I ka mësuar me emër e mbiemër. Fisnikëria e tij rrezatohet edhe në këtë libër. Nuk i publikon dhe mirë ka bërë. Le t’i ndjekë ata mëkati në shpirtin e tyre, në këtë botë dhe në atë matanë. Kurrë ata s’e tregojnë dot të kaluarën e tyre. Nuk munden. Nuk kanë kurajo. Kanë turp nga udha e errët që kanë shkelur, duke u përkulur e shpërfytyruar turpshëm. S’munden as të kërkojnë ndjesë.

Po të kthehemi në atë kohë e të ndriçojmë kujtesën me prozhektorët e memories, kur u dënua me vdekje poeti Vilson Blloshmi ose kur u var në litar poeti Havzi Nela, turma duartrokiste nga entuziazmi…! Sa e turpshme! Ç’mund të thuash për këta numëror të verbuar?! Ata bashkëpuntorë të dosjes Nr. 135, në fakt, i përkisnin kësaj turme…

Tekiu është viktimë e atij persekutimi. Ai tregon vuajtjet që ia shkaktuan, me të padrejtë, Sigurimi, së bashku me ata që pranuan të bëhen bashkëpunëtorë dhe vegla të tyre. Duke rrëfyer atë të kaluar, ai është krenar me vuajtjen e babait e të familjarëve të tij, sepse nuk i bënë keq askujt. Edhe sot vazhdojnë të falin.

Sa të tjerë si Tekiu e kanë përjetuar këtë tmerr?!
Pa fund…

Tekiu e tregoi historinë e tij. Le ta bëjnë dhe të tjerët, që janë me mijëra në këtë vend. Vërtet nuk do munden t’i shkruajnë e t’i thonë bukur, si për shembull Agron Tufa. Nuk kanë të gjithë talentin e spikatur të këtij shkrimtari, i cili e ka përjetuar në kurriz e në shpirt vuajtjen e regjimit. Ai na fal sot vepra të jashtëzakonshme e monumentale, që lidhen pikërisht me krimet e komunizmit. Ne duhet ta themi të vërtetën tonë, ta tregojmë çiltërsisht. Thjesht në dritën e diellit.

Për të thënë historinë tonë tronditëse e kemi detyrë të gjithë. Le ta tregojmë atë. Ta themi, siç e rrëfen miku im, Teki Iljazi, në librin “Dosja 135”.

Faleminderit Teki që po përpiqesh të hapësh sytë dhe mendjen e njerëzve

 

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...