Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk ka bërë asnjë koment për dyshimet zyrtare të Anti-mafias se një kompani partnere e shoqërisë publike “Eco Tirana”, dyshohet se ka lidhje me klanin mafioz “Ndragheta”.
Media italiane raportoi këtë të Premte se ish-kryebashkiaku i Veronas, Flavio Tosi dhe drejtuesit e ish-drejtuesit e kompanisë “Amia” rezultojnë pjesë e një hetimi te Drejtorisë së Antimafias, gjatë të cilit janë arrestuar deri më tani 26 persona në qytetin në veri të Italisë.
Kompania “Amia” është një nga dy ortakët e shoqërisë publike “AGSM holding”, e cila nga ana e saj zotëron 49 përqind të kompanisë publike të përpunimit të mbetjeve, “Eco Tirana”.
Maxhoranca e aksioneve të “Eco Tirana” , 51 përqind, zotërohet nga bashkia e kryeqytetit.
Bashkëpunimi për krijimin e “Eco Tirana” u finalizua në vitin 2016, me firmosjen e kontratës ndërmjet Erion Veliaj për Bashkinë e Tiranës dhe Flavio Tosi, në atë kohë kryebashkiak i Veronas.
Krijimi i “Eco Tirana” u shoqërua me dyshime publike për vlerat ekonomike. Por, pati edhe zëra, gjithësesi, jo shumë të fortë, të cilët hodhën dyshime për një bashkëpunim me sfond mafioz.
Përballë të gjithë dyshimeve, Erion Veliaj aplikoi skemën që di të bëj më mirë. Ai zhvilloi një fushatë agresive në media, të vendosura në përgjithësi nën “kontrollin” e tij, për të prezantuar marrëveshjen me kompaninë italiane si një histori suksesi të padiskutueshëm.
Veliaj e cilësoi “AGSM holding” si një ndër kompanitë lider në përpunimin e mbetjeve urbane dhe që, me eksperiencën e saj, do të shbdërtonte Tiranën në një ambjent miqësor me natyrën.
Por, tashmë që drejtuesit e “AGSM Holding” akuzohen nga autoritetet italiane se janë vënë në shërbim të pastrimit të paravë për llogari të “Ndragheta-s”, kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj, nuk ka bërë ende asnjë koment.
Hetimet
Antimafia italiane ka vënë nën arrest shtëpie ish-drejtuesin e kompanisë “Amia”, Andrea Miglioranzi dhe drejtuesin aktual, Ennio Cozzolotto, nën dyshimet se kanë vendosur shoqërinë në dispozicion të aktiviteteve të paligjshme të një bosi të “Ndragheta-s”, Antonio Giardino, i njohur me nofkën “Totareddu”.
Nën hetim, ende pa masë sigurimi, është edhe ish-kryebashkiaku Flavio Tosi, i cili akuzohet se ka përdorur kompaninë “Aima” si një zyrë investigimi për çështje që lidheshin me interesa të tij private.
Të tre këta emra kanë lidhje me Erion Veliaj, në krijimin dhe më tej bashkëpunimin e “Eco Tirana”.
Flavio Tosi, në cilësinë e kryebashkiakut të Veronas, nënshkroi me Veliajn kontratën e bashkëpunimit për krijimin e “Eco Tirana”,
Ndërsa Andrea Miglioranzi dhe Ennio Cozzolotto, deri në vitin 2018, kanë qenë administratorë të shoqërisë “Eco Tirana”.