Lëvizjet e fundit të Ramës dhe kundërpërgjigjja e faktorit ndërkombëtar ndaj përpjekjeve të tij për të hedhur në erë marrëveshjen për Reformën Zgjedhore kanë sjellë në plan të parë problemin e përhershëm që shfaqet para shoqërive, të cilat i lejojnë liderët e tyre të shndërrohen nga politikanë të zgjedhur, në liderë totalitarë.
Problemi është ky: këta liderë e deformojnë sistemin demokratik në atë shkallë, sa e bëjnë të pamundur rrotacionin politik me votë demokratike. Dhe kur sharmi i liderit totalitar venitet dhe shoqërisë i rëndohet aq shumë pesha e abuzimeve të tij me pushtetin (po asaj shoqërie që e ka inkurajuar ngritjen e tij), sa do ta largojë me çdo kusht tashmë liderin e padëshiruar, shoqëria nuk i ka më instrumentet për ta rrëzuar dhe i duhet ose ta shqisë me dhunë nga poltrona e pushtetit, ose t’i nënshtrohet atij dhe të vazhdojë rënien pafund bashkë me të.
Me Ramën kemi arritur në këtë pikë dhe kjo po ndodh. Parlamenti Europian, Bundestagu gjerman, ambasada e SHBA-së, OSBEsë, të gjithë aktorët ndërkombëtarë me me ndikim për Shqipërinë, kanë deklaruar qartë dhe prerë si asnjëherë tjetër më parë, vendosmërinë për zbatimin e marrëveshjes për Reformën Zgjedhore dhe kundërshtinë ndaj përpjekjeve të Kryeministrit Rama për të mos e respektuar atë. Madje, ambasadorja amerikane ka përmendur në mënyrë të qartë nevojën për rrotacion politik, duke e konsideruar atë si “qarkullimi i gjakut”. Edhe pse pjesë e një diskursi “diplomatik”, nuk është e vështirë të kuptohet se rrotacioni politik nënkupton nevojën e alternimit të pushtetit, pra largimin e mazhorancës nga pushteti dhe kthimin në pushtet të opozitës.
Nëse për politikanët normalë një gjë e tillë do të tingëllonte e natyrshme, për Ramën një gjë e tillë tingëllon e pakuptueshme. Sepse Rama tashmë nuk e kupton këtë gjuhë. Rama që njohim tani nuk është më Rama i fillimit, megjithëse shenjat e këtij Rame që njohim tani i kemi parë që në ato fillime (kush ka ditur dhe dashur t’i shohë). Rama është një lider tipik autoritar i zhytur në delirin e vet dhe i bindur se, ashtu siç ka bërë ç’ka dashur me pushtetin duke i marrë të gjitha dhe duke e ushtruar atë në mënyrën më mediokre dhe të rrezikshme të mundshme, të njëjtën gjë mund ta bëjë pafundësisht. Për të, pushtet pa kufi do të thotë edhe kohë e pakufishme e ushtrimit të tij. Dhe për ta mbajtur atë, mund të thërrasë në ndihmë paratë e krimit, paratë e hashashit, gazin e Sandër Lleshajt, ditirambet e Spiropalit, gjenialitetin politik të Taulant Ballës, opozitën qesharake parlamentare, gazetarë servilë… shkurt, gjithë ata me të cilët ka ngritur piramidën e krimit, në majë të të cilit është ulur vetë dhe e hedh vështrimin tej, tej, në mandatin e tretë, të katërt, përtej viteve ‘30 të këtij shekulli.
Ne që shohim këtu poshtë, nuk shohim asgjë tjetër veçse gropën që ka hapur Rama për shoqërinë shqiptare, për sot dhe për nesër. Për fat të mirë, këtë po e sheh tani edhe faktori ndërkombëtar. Jemi mbledhur të gjithë buzë kësaj grope, të zemëruar, të fyer, të kërcënuar, qytetarë të të gjitha profesioneve, të të gjitha bindjeve, aktorë socialë e aktorë politikë dhe ulërasim për gropën, lokalë e ndërkombëtarë.
Rama, i dorëzuar para presionit të “opozitës së re”, deklaron se do ta prishë marrëveshjen, gjë që do të thotë se do bëjë një përpjekje të fundit për ta penguar kthimin e zgjedhjeve demokratike në vend, pra ndryshimin me votë të pushtetit. Lëvizja e këtyre ditëve nuk lë vend për iluzion: Rama do t’i shkojë deri në fund ëndrrës së tij totalitare.
Për këtë arsye duhet një reagim më i strukturuar në ide, por edhe nga pikëpamja organizative, i aktorëve politikë, të shoqërisë civile dhe të faktorit ndërkombëtar. Këta aktorë janë ende konfuzë në këtë drejtim dhe si rrjedhim, rrezikojnë të jenë joefikasë. Në përpjekje për solidaritet, shohim se amalgama e krijuar: shoqëri civile, parti politike, qytetarë të revoltuar, në vend që të çojë në një bashkim energjish, të aftë për të përballuar rrezikun e përbashkët Rama, mund të çojë në një shkartisje kaotike pa objektiva të përcaktuara qartë.
Opozita politike ka zbritur në terren dhe po bën një fushatë të orientuar drejt ekonomisë, gjë kjo pozitive, por duke harruar se realizimi i alternativës së saj nënkupton së pari ardhjen në pushtet. Dhe se krahas parashtrimit të platformës qeverisëse duhen krijuar kushtet për zgjedhje demokratike, gjë kjo që me lëvizjet e fundit të Ramës, duket se do të gjejë pengesa të forta.
Për këtë arsye, duhet një strategji e mirmenduar në koordinimin e përpjekjeve për realizimin e objektivit themelor: alternim paqësor i pushtetit, qartësim rolesh dhe objektivash, ku të përfshihen të gjithë ata që e duan një gjë të tillë: partitë politike, faktori ndërkombëtar, shoqëria civile, mediat dhe kryesisht qytetarët. Një lëvizje me objektiva të përcaktuara mund t’i çonte aktorët në rolet e tyre, duke i përfshirë në një ndërveprim që krijon premisat e rithemelimit të demokracisë në vend, duke ridimensionuar marrëdhëniet mes qytetarit, organizatave politike e atyre të shoqërisë civile, shtetit, ligjit.