Organizata për Bashkëpunimin dhe Sigurinë në Europë është zhytur në krizën më të thellë në histori.
Ajo nuk po zgjedh dot drejtuesit më të rëndësishëm.
Mes tyre është edhe Harlem Desir, Komisioner për Lirinë e Medias.
Shqipëria si drejtuese e OSBE ka propozuar zgjatjen e mandatit të tij, por është kundërshtuar nga Azerbajxhani dhe Taxhikistani.
Harlem Desir në dhjetor habiti publikun shqiptar e ndërkombëtar kur deklaroi befas se paketa ligjore anti-shpifje e propozuar nga qeveria Rama nuk shkel standardet e OSBE dhe mund të miratohet.
Pavarësisht nga ndryshimi i papritur e i pashpjeguar i zotit Desir, Komisioni Europian, Parlamenti Europian e Këshilli i Europës mbetën shumë kritikë ndaj paketës ligjore. Rama reagoi duke deklaruar në Kuvend se ata të Brukselit e Strasburgut nuk e kishin lexuar mirë ligjin.
Mbasi Presidenti e ktheu për rishqyrtim në Kuvend, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës kërkoi opinionin e Komisionit të Venecias. Kjo procedurë ishte e pazakonshme e mbase edhe paprecedent. Opinioni i publikuar së fundmi e hedh tërësisht poshtë paketën e Ramës. Pra favori i Desir nuk i bëri punë kryeministrit.
Kështu duket se do të ndodhë tani edhe me favorin e Ramës.