Sulmi ndaj Televizionit Ora është sulm ndaj demokracisë

Tuesday, 04 August 2020 17:32

Nga Ergys Mërtiri

Sulmi ndaj Televizionit Ora dhe Ora News është një akt i shëmtuar kundër fjalës së lirë. Nuk ka asnjë rëndësi nëse qendrojnë apo jo akuzat e ngritura ndaj presidentit të këtyre mediave, i cili duhet të gjykohet në mënyrë të drejtë, si çdo qytetar i këtij vendi. Nuk ka rëndësi aspak vlerësimi i gjithëkujt mbi mediat në fjalë (ndonëse realisht ato kanë qenë nga të paktat zëra që thonë disa të vërteta mbi këtë qeveri, në kushtet e kapjes thuajse të plotë të medias shqiptare prej saj). Kur qeveria godet një media, aq më tepër kur për këtë vihen në shërbim institucionet e gjyqësorit, të cilat presupozohet të jenë të pavarura, kjo është një goditje e rëndë për demokracinë.

Ky akt vjen në përputhje të plotë me shkatërrimin që po i bëhet çdo ditë themeleve të shtetit të së drejtës duke e kthyer shtetin në një instrument politik për të instaluar një pushtet absolut. Në një vend ku mediat janë kapur, ku institucionet e pavarura kontrollohen nga qeveria, ku ndarja e pushteteve nuk funksionon, ku votat blihen me para nga struktura kriminale, ku kushtetuta ndryshohet në mënyrë të njëanshme, ku ligji shkelet dhe përdoret në mënyrë arbitrare në funksion të interesave të pushtetarëve, goditja e atyre pak hapësirave opozitarizmi që ekzistojnë, është një ngjarje e rëndë.

Pamjet e forcave speciale të dërguara për të rrethuar televizionin ORA, na rikthyen në mendje ndërhyrjen brutale dhe barbare të bërë dy muaj e gjysëm më parë në Teatrin Kombëtar. Atëherë, trupat e armatosura, të cilat ekzistojnë si struktura që kanë për mision vetëm goditjen e terrorizmit, ia mësynë institucionit më të rëndësishëm të kulturës në vend, duke iu drejtuar automatikët artistëve dhe qytetarëve që protestonin në mbrojtje të trashëgimisë kulturore. Sot ato shfaqen kërcënueshëm ndaj një institucioni të fjalës së lirë.
Mbi të gjitha, ngjarja bëhet më e rëndë nga fakti që Prokuroria Speciale, e ngritur për të luftuar korupsionin e zyrtarëve të lartë, po përdoret si instrument politik, për të mbrojtur një pushtet të krimbur, si askush më parë, në zullum e korrupsion, nga mediat e pavarura. Shfaqja e sotme ka thyer te shumë njerëz edhe atë pak shpresë që dikush mund të ketë pasur tek institucionet e reja të drejtësisë.
Analogjia është e qartë dhe kuptimplotë. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka bërë gjashtë kallëzime në SPAK, për abuzime të rënda të Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj në shembjen e teatrit dhe duket se nuk ka një lëvizje serioze për të avancuar hetimet. Në rastin e televizionit ORA, SPAK-u lëviz vullnetarisht vetë, duke kërkuar të hetojë në kohë rekord, vepra penale të kryera njëzet vjet më parë, për të cilat ka një proces gjyqësor të përfunduar.

Por jo vetëm kaq, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka kërkuar në SPAK, masën e sekuestros preventive për projektin e ndërtimit të teatrit të ri, i cili është burimi i veprave penale që sollën shembjen e Teatrit të vjetër, një monument kulture dhe vlerë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të kryeqytetit. Në kallëzimin e AMT-së sqarohet se masa e sekuestros është shumë e rëndësishme për të penguar avancimin e projektit, nisjen e punimeve, të cilat do ta thellonin veprën penale dhe do të sillnin një kosto të pariparueshme për qytetin. Ne kemi kërkuar këtë masë, në shenjë respekti për ligjin dhe institucionet gjyqësore, duke kërkuar që punimet të ndërpriten derisa gjykata të shprehet përfundimisht. E megjithatë SPAK-u nuk ka reaguar dhe nuk e ka çuar në gjykatë kërkesën për këtë masë.

Në rastin e Televizionit Ora, masa e sekuestros është vendosur me një urgjencë të jashtëzakonshme, pavarësisht se në këtë rast kemi të bëjmë me të kundërtën: mosmarrja e kësaj mase nuk sjell ndonjë kosto mbi publikun, madje përkundrazi, marrja e saj, shkakton një dëm të madh, në lidhje me ushtrimin e fjalës së lirë si dhe në lidhje me aspekte ekonomike që rëndojnë, jo vetëm mbi kompaninë dhe publikun, por edhe mbi qindra punonjës që mbahen nga puna e tyre në këtë subjekt. Përse SPAK-u nuk pret gjykatën të thotë fjalën e fundit, për të vepruar pastaj me çdo masë, sipas ligjit? Cila është kjo urgjencë që e shtyn të rrezikojë kaq shumë? Përse, nga ana tjetër, kjo prokurori, nuk ndërhyn për të ndërprerë thellimin e kostos publike në rastin e Teatrit, derisa gjykata të vendosë se në cilën anë është e drejta?

Duket qartë që qëllimi, në të dyja rastet është politik dhe kjo prokurori, hapur dhe pa asnjë skrupull, vepron me dopiostandard duke i dalë në krah pushtetit kundër fjalës së lirë dhe kërkesave të qytetarëve. Në këto kushte, duhet theksuar se do të ishte në dinjitetin e përfaqësuesve të trupit diplomatik, të cilët janë investuar dhe kanë luftuar kaq fort për këtë reformë në drejtësi, të reagojnë për të mos pranuar që angazhimet e tyre të instrumentalizohen politikisht për të na ofruar një drejtësi të re, që po dëmton demokracinë në shërbim të një pushteti, që po kërkon të bëhet absolut.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...