Nënkryetari i LSI Petrit Vasili me anë të një deklarate për mediat deklaroi se Edi Rama do që të ndajë Shqipërinë në 4 vilajete.
Vasili u shpreh se Rama ka shpartalluar cdo pushtet lokal dhe tashmë gjithcka varet nga ai dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë në Tiranë. Për Vasilin, Rama po bën veprime të kundër-ligjshme e do të përgjigjet për gjithcka.
“Edi Rama ka vendosur të ndajë Shqipërinë në 4 vilajete. Qeveria ka pushtuar pushtetin lokal. Rajonet i rrëmbejnë kompetencat qarqeve. Iu rrëmbëhet pushteti bashkive dhe qarqeve. Kufijtë e tyre nuk ndryshohen pa pyetur popullatën thuhej në ligj, ndërsa e ndryshoi atë me 69 vota, duke rrëmbyer kompetencat e pushtetit lokal. Projekti është i mjerë dhe i turpshëm. Edi Rama ka thyer ligjet.
Pushtuesit e pushtetit lokal janë një ushtri në shpartallim në ikje e mendojnë që të marrin cfarë të marrin me vete. Nxitimi i “pushtuesve” është shumë i madh. Pushteti lokal është zero, pasi gjithcka është në duar të kryeministrit. Kemi ca përfaqësues kukulla të pushtetit lokal, sepse kompetencat në ato detyra janë zero. Këto ndodhin, vetëm që të grumbullojnë milionat në duart e tyre. Të gjithë ata që votojnë këto ligje, do të përgjigjen për këto faje të rënda ndaj vendit. Është vepruar kundër interesave të popullit”, tha Vasili.