Mbi përgatitjet për bisedimet mbi një Marrëveshje Deti me Greqinë

Hënë, 10 August 2020 17:40

 

Nisur nga rëndësia dhe referenca e veçantë që ka për vendin tonë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë po ndjek me vëmendje dhe përparësi demarshet më të fundit intensive të diplomacisë greke lidhur me përcaktimin e Zonave Ekskluzive Ekonomike detare me disa vende. Së fundmi, më 6 Gusht ajo përfundoi negociatat për një Marrëveshje të tillë me Egjiptin ndërsa më 8 Qershor e ka nëshkruar me Italinë; ndërkohë, është në proces bisedimesh me Izraelin, Qipron, Libinë, etj.

Po ashtu, disa ditë më parë, liderët më të lartë grekë dhe turq shprehën në parim gatishmërinë për rifillimin e bisedimeve ndërmjet tyre lidhur me përcaktimin e Zonave Ekskluzive Ekonomike në Detin Egje dhe në Mesdheun Lindor.

Në këtë kuadër, në Qershor dhe disa ditë më parë, Ministri i Jashtëm grek, Zoti Dendias ka pohuar publikisht se Greqia do të kërkojë rifillimin e negociatave për një Marrëveshje mbi Detin dhe me Shqipërinë, pas anullimit nga Gjykata Kushtetuese më 2010 të Marrëveshjes së nënshkruar me 2009 dhe dështimit të dy tentativave të tjera më 2017/2018.

Më këtë rast, duke marrë shkas nga mungesa e transparencës publike mbi këtë çështje me ndjeshmëri të jashtëzakonshme politike dhe publike, KASH i kërkon qeverisë dhe të diplomacisë sonë për ta vlerësuar drejt e në kohën e duhur këtë moment të ri përcaktues në marrëdhëniet me Greqinë fqinje. Kjo kërkon gjithashtu të jemi të përgatitur me kohë, me alternativa të përditësuara konkrete dhe bindëse, të bashkërenduara me të gjitha institucionet më të larta dhe instancat e tjera përkatëse.

Për këtë qëllim, nevojitet të fillojnë sa më shpejt në formatet e duhura konsultimet, shkëmbimi i ideve dhe mendimeve profesionale mbi alternativat paraprake me grupet e ekspertëve, pa paragjykime partiake, politike apo të tjera, në fushat juridike, ekonomike, ushtarake, teknike, të sigurisë, etj.

Mbi atë bazë, mund të bëhet mbi kritere më objektive përzgjedhja dhe krijimi i një ekipi të ri negociator gjithëpërshirës, kompetent dhe i specializuar për këto çështje.

Padyshim që njohja me përmbajtjen e marrrëveshjeve që Greqia ka bërë e po bën me vendet e lartpërmendura është me rëndësi të dorës së parë. Gjithsesi, kërkohet kujdes për të shmangur kopjimin dhe referencat mekanike, duke mbajtur mirë në konsideratë kushtet dhe rrethanat tona si dhe specifikat teknike, tregtare, të së drejtës ndërkombëtare të detit, etj.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thekson me këtë rast se debatet, diskutimet dhe sugjerimet e ndryshme mbi një marrëveshje të mundshme nuk ka përse të bëhen me nxitim.

KASH thekson se negociatat e ardhshme për këtë Marrëveshje, me një problematikë të gjerë aspektesh tejet të koklavitura dhe konkrete, janë me rëndësi të madhe për interesat e vendit tonë; po aq të rëndësishme janë ato për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin dypalësh me Greqinë fqinje. Gjithashtu, përcaktimi dhe ecuria e këtij procesi mund të ketë ndikimin e vet dhe në procesin historik të negociatave për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Europian. Dihet tashmë se sheshimi i problemeve ekzistuese me vendet fqinj është një ndër kushtet kryesore politike dhe diplomatike, për çdo vend kandidat për anëtarësim ne BE.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh bindjen dhe besimin se qeveria dhe diplomacia shqiptare do të intensifikojnë punën dhe përgatitjet përkatëse, duke e shoqëruar këtë proces me transparencën dhe informimin e duhur publik, natyrisht brenda rregullave dhe etikës diplomatike.

Së fundi, meqenëse në Këshillin tonë ka ambasadorë të njohur, profesorë dhe ekspertë me njohje dhe përvojë të gjatë në trajtimin e çështjeve komplekse të së drejtës ndërkombëtare mbi Detin, KASH është i hapur dhe shprehet i gatshëm të japë ndihmesën e vet në këtë proces.

Login to post comments