Gjermani, Sussane Schutz:Negociatat në presidencën tonë, vetëm nëse Shqipëria plotëson kushtet

Tuesday, 11 August 2020 08:34

 

Gjermania: S’ka negociata me qeverinë e Edi Ramës
Gjermania, vendi që mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian ka dërguar dje një mesazh të qartë kundër qeverisë së Edi Ramës për integrimin në BE. Susanne Schutz, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor dhe ish-ambasadore e Gjermanisë në Tiranë, në një intervistë për Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative, ka deklaruar se negociatat nuk do të hapen me Shqipërinë, nëse nuk plotësohen kushtet. Diplomatja Susanne Schutz ka bërë një paralele mes reformave në Maqedoninë e Veriut dhe ato të Shqipëri duke theksuar se konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë nuk mund të kryhet pa plotësimin e kushteve. “Ne synojmë të mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe, nëse plotësohen kushtet, gjithashtu edhe me Shqipërinë gjatë presidencës sonë të Këshillit”,- ka deklaruar diplomatja Schutz.

Përmendja e kushteve është një qëndrim i hershëm të Gjermanisë ndaj zhvillimeve në Shqipëri. Në këto kushte, më kryesoret janë reforma zgjedhore, ngritja e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, dënimi i korrupsionit në nivele të larta dhe deri te dënimi i krimit elektoral në zgjedhjet e vitit 2017. Qeveria “Rama” nuk ka bërë asgjë për plotësimin e tyre, madje ka përkeqësuar situatën dhe në disa reforma që vlerësoheshin pozitive. Reforma zgjedhore ishte një prej kushteve që duhet të ishte përmbushur gjatë muajit korrik. Në letër reforma u miratua nga Rilindja, por në mënyrën me të keqe të mundshme e rrëzoi me 30 korrik. Partia Socialiste rrëzoi konsensusin e arritur me 4 qershor me opozitën reale e ndërkombëtarët dhe u përfshi në një aventurë të rrezikshme për ndryshimin e Kushtetutës me opozitën false në Parlament. Ndryshimi i njëanshëm i Kushtetutës është shkelje e parimit kryesor të demokracisë dhe ka vënë në rrezik gjithë zhvillimet politike. Votimi i njëanshëm i ligjit themeltar të shtetit e ka bërë dhe më të largët mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE.

 

Ndërkohë në plotësimin e kushteve të tjera të BE dhe Bundestagut gjerman qeveria “Rama” nuk ka bërë asnjë hap para. Hetimi i krimit elektoral, konkretisht dosjet e Dibrës dhe të Shijakut po përfundon në mënyrë qesharake nga drejtësia e re. Edhe pse përgjimet e publikuara nga gazeta “Bild” në Gjermani tregonin për ministra dhe deputetë të Rilindjes të përfshirë në vjedhje votash, hetimet janë drejt pushimit. Dosjet u morën në shqyrtim nga SPAK dhe hetimet e bujshme përfunduan me arrestimet e disa komisionerëve, një pjesë e të cilëve kishin vdekur prej disa muajsh. Po ashtu dhe me dënimin e korrupsionit në nivele të larta, drejtësia e re nuk ka asnjë bilanc. Akuzat për koncensione të paligjshme, vjedhje të buxhetit dhe korrupsion galopant në radhët e qeverisë dhe administratës nuk mungojnë asnjë ditë. Por deri më sot nuk ka asnjë zyrtarë të lartë të PS që të jetë paditur apo marrë nën hetim. Edhe ato pak raste kur ka nisur hetimi dosjet po zvarriten dhe proceset nuk dihet kur do të përfundojnë. Ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë vijon të mos jetë më çështje serioze për Rilindjen edhe pse këto dy institucione garantojnë themelet e shtetit. Duke i pezulluar këto gjykata nga funksioni i tyre, me pretekstin e reformës në drejtësi, qeveria vijon të shkel ligjet, Kushtetutën dhe gjithë parimet demokratike, pa pasur frikë se do të ndëshkohet ndonjë ditë. Me gjithë këto shkelje të rënda ligjore nga Rilindja, Gjykata Kushtetuese mund ta shpallte të paligjshëm Kuvendin dhe kjo është arsyeja se përse ky institucion mbahet i bllokuar nga Rilindja. Kushtet e Gjermanisë për integrimin janë harruar nga qeveria. Kryeministri dhe Ministria e Jashtme nuk i përmendin më. Madje edhe procesi i integrimit në BE, si prioritet kombëtar i çdo qeverie, nuk renditet më të çështjet kryesore të kësaj qeverie. Në këtë situatë duket se qeveria ka hequr dorë nga zbatimi i ligjit dhe sjellja demokratike, Gjermania si vendi që drejton BE, dha sinjalin e parë se është distancuar nga kjo qeveri. Përmendja e kushteve nga zyrtarja më e lartë e Gjermanisë që merret me Ballkanin, do të thotë se qeveria e Edi Ramës nuk shihet më si mazhorancë që mund të integrojë vendin në Bashkimin Europian. Për Berlinin, Edi Rama dhe qeveria e tij nuk shihen më si partnerë në procesin e integrimit, por si problem serioz që po bllokon vendin. Bile me plane të zeza dhe për Kosovën, pasi ishte Gjermania që bllokoi planin Vuçiç-Thaçi-Rama.

Modifikuar më Tuesday, 11 August 2020 09:43
Login to post comments