Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar me Dekoratën ”Nderi i Kombit” skulptorin Mumtas Dhrami
Meta thotë se Dhrami ka skalitur me daltë si rrallë kush historinë e lavdishme të kombit shqiptar dhe Monumentin e Lirisë në Drashovië, Harkun e Triumfit të epopesë së luftërave të Vlorës e Labërisë kundër pushtuesve e cilëson si një nga kryeveprat e tij.
Ai vlerëson skulptorin për kontributin e tij dhe arritjet e larta artistike në fushën e skulpturës, ngritjen e shkollës shqiptare të arteveve figurative dhe lartësimin e kulturës kombëtare.
STATUSI NGA ILIR META
Skulptori i Popullit, duararti Mumtas Dhrami, ka skalitur me daltë si rrallë kush historinë e lavdishme të kombit shqiptar
Falë talentit të jashtëzakonshëm dhe aftësive të tij krijuese ai ka gdhendur mjeshtërisht duke i përjetësuar momentet më kulmore dhe figurat më të shquara të shqiptarisë, në një galeri të pafund veprash e monumentesh artistike, për t’i sjellë gjithmonë të gjalla midis nesh.
Një prej kryeveprave të tij është edhe Monumenti i Lirisë në Drashovicë, Harku i Triumfit të epopesë së lavdishme të luftërave të Vlorës e Labërisë kundër pushtuesve, nga ku pata kënaqësinë ta vlerësoja sot me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, për kontributin e shquar dhe arritjet e larta artistike në fushën e skulpturës, ngritjen e forcimin e shkollës shqiptare të arteve figurative, si dhe lartësimin e kulturës kombëtare.
Mirënjohës të gjithë artistëve që me krijimtarinë e tyre i kanë përjetësuar mesazhet frymëzuese që vijnë nga historia në mbrojtje të Lirisë, Pavarësisë dhe Sovranitetit të Shqipërisë! 🇦🇱