Presidenti Ilir Meta i ka dhënë Orkestrës Frymore të ushtrisë, titullin e lartë "Kalorës i Urdhrit të Flamurit. Në mesazhin e tij në Fb, Presidenti shprehet:
"Pata kënaqësinë të vlerësoja Orkestrën Frymore të Forcave të Armatosura me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”. Në nderim të gjithë veprimtarisë, si formacion unik, interpretuesi dhe prezantuesi më dinjitoz i trinomit -Komb - Flamur – Himn!
Gjatë luftës Nacional Çlirimtare shumë muzikantë morën armët dhe instrumentet muzikore, duke formuar jo vetëm orkestrën e ushtrisë, por edhe një formacion ushtarak, që dha kontributin e tij në luftën për çlirimin e vendit duke përsëritur epopenë e Bandës VATRA: Me pushkë dhe vegël muzikore për atdhenë.
Orkestra Frymore e Ushtrisë apo Bandës së Ushtrisë, pas çlirimit të vendit, ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm në pasurimin e aktivitete kulturore e artistike në vend dhe duke dhënë një kontribut të madh, si për krijimin e orkestrës filarmonike shqiptare dhe të Ansamblit të Ushtrisë, ashtu edhe për rritjen cilësore të orkestrave të ndryshme ushtarake.
Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura është e vetmja orkestër frymore profesioniste në Shqipëri, pasardhëse e denjë e bandës "Vatra".
Ky është një shembull frymëzimi që duhet të na shërbejë edhe sot për të rinjtë tanë, për profesionistët apo të gjitha kategoritë e shoqërisë që e duan atdheun, se pavarësisht fushave nga vijnë, mund t’i shërbejnë Shqipërisë, zhvillimit dhe përparimit të popullit shqiptar."