Meta pret ambasadorin Shkurov: Shqipëria mbështet integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës

E mërkurë, 02 September 2020 09:21

 

Presidenti Ilir Meta priti në një takim ambasadorin e Ukrainës, Volodymyr Shkurov, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale. Duke i uruar mirëseardhjen dhe suksese në detyrë të parit Ambasador të Ukrainës rezident në Tiranë, Kreu i Shtetit theksoi se “kjo përbën një ngjarje historike për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona”.

Presidenti Meta e siguroi Ambasadorin Shkurov për pozicionin e qartë dhe të palëkundur të Shqipërisë në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës.
Meta vlerësoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë mjaft të mira, duke theksuar njëkohësisht se ka hapësira për t’i zhvilluar ato edhe më shumë, veçanërisht në aspektin e bashkëpunimit ekonomik e tregëtar.

Po ashtu kryetari i Shtetit falenderoi autoritetet ukrainase për adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar të komunitetit shqiptar në rajonin e Odesës. Mes të tjerash ai përcolli përshëndetjet për Presidentin Zelensky, si dhe dëshirën për ta pritur për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Login to post comments