Hashash dhe kazino, PS në shërbim të krimit

Hënë, 14 September 2020 12:46

 

Hashash dhe kazino, PS në shërbim të krimit
Vendimi i fundit i qeverisë “Rama” për rihapjen e kazinove në qendër të Tiranës është nga ato akte që dëshmon se kjo mazhorancë është vënë totalisht në shërbim të krimit ose është peng i saj. Justifikimet gjysmake që kanë ardhur nga qeveria për këtë vendim dhe që thonë se hapen vetëm “ca kazino të ligjshme” dhe “shteti fiton taksa”, nuk bindin më askënd. Sepse nëse qeveria do të kishte hallin e taksave, fare mirë mund të mos i kishte mbyllur këto biznese kur vendosi heqjen e lojërave të fatit. E njëjta logjikë që përdor sot rilindja vlente dhe në dhjetor të vitit 2018, kur kryeministri citonte Biblën dhe Kuranin për dëmet që kumari i sjellë një shoqërie. Rihapja e kazinove 7 muaj para zgjedhjeve nuk është thjeshtë mosmbajte e premtimeve të qeverisë. Më shumë se kaq, ky vendim dëshmon se interesat e botës së krimit dhe njerëzve që përfitojnë nga pastrimi i parave e kanë detyruar qeverinë të bëhet qesharake duke dalë edhe kundër vendimeve të saj. Problemi me kazinotë është më shumë se çështje premtimi. Qeveria dhe kryeministri janë dorëzuar para interesave të grupeve kriminale dhe janë detyruar t’u japin një zonë të lirë për aktivitet në qendër të Tiranës. Sigurisht kjo mazhorancë ka pjesën e saj të përfitimit nga ky pakt i ri me bosët e lojërave të fatit. Një pjesë e madhe e parave që do të hyjnë në kazino do të vijnë nga bota e errët e krimit apo aferave korruptive të njerëzve pranë qeverisë. Këto para do të përdoren për zgjedhjet dhe në funksion të ruajtjes së pushtetit të kupolës rilindase.

Hapja e kazinove është dëshmia e fundit e interesave okulte dhe lidhjeve me krimin të kësaj qeverie, por jo e vetmja. Në historinë 8-vjeçare të pushtetit të Rilindjes, hashashizimi i vendit dhe trafiqet e drogës janë investimi kryesor dhe “reforma” më afatgjatë e saj. Gjatë viteve 2014-2017, mbjellja e drogës u kthye në investimin kryesor rilindas dhe Shqipëria u bë problem ndërkombëtar për trafiqet. Pas një pauze dy vjeçare për shkak të presionit ndërkombëtar, denoncimeve të mediave ndërkombëtare dhe hetimit të ish-ministrit të Brendshëm të Edi Ramës, hashashizimi i vendit është rikthyer sërish si projekt kombëtar. Afrimi i zgjedhjeve dhe këmbëngulja e PS-së për të marrë mandatin e tretë kanë sjellë dhe rihapjen e fermave të kanabisit dhe mbjelljen masive të tij. Në ndryshim nga vitet e tjera mbjellja nuk është e përqendruar në hapësira të mëdha, por në zona më të vogla dhe të shpërndara në pjesë të ndryshme të vendit. Këtë herë strategjia e lejimit të hashashit ka dhe një faktor plus. Drejtuesit e njësive vendore, të cilët kanë përgjegjësi ligjore për kontrollin e territorit, janë të gjithë përfaqësues të qeverisë dhe informacioni mbi parcelat, edhe nëse jepet mbetet, në një qark të mbyllur. Bashkitë, policia dhe qeveria në thelb janë përfaqësues të një pushteti dhe asnjë prej këtyre hallakave të shtetit nuk ka interes të zbulojë të vërtetën dhe t’i hapë telashe njeri-tjetrin. Afrimi i datës së zgjedhjeve ka bërë që të gjitha palët të mbyllin sytë dhe të përdorin biznesin e hashashit si garanci për vjedhjen dhe manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit të vitit 2021. Investitorët e këtij biznesi do të jenë në krah të kandidatëve rilindas dhe ata janë garancia e manipulimit të zgjedhjeve duke përdorur forcën dhe paratë.

Kanabizimi i vendit dhe hapja e kazinove janë aksione të lidhura me njëra tjetrën dhe që provojnë se kjo mazhorancë, si asnjë qeveri tjetër para saj, është vënë totalisht në shërbim të aferave kriminale dhe punëve të pista.

Login to post comments