Monitorimi i PD-së për zgjedhjet ka dhënë rezultatet e para. PD e Elbasanit mësohet se ka paditur në prokurori drejtorin e ISHSH-së në Elbasan.
Sipas PD, një drejtor i Partisë Socialiste është kapur duke shpërndarë formularë për votat në ambientet e institucionit. “Ky është Formulari i mbledhjes së votave për Partinë Socialiste i shpërndarë nga Drejtori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor Elbasan Blendi Musai, tek punonjësit nën varësinë e tij. Ky është krim dhe abuzim i rëndë me detyrën”,- thuhet në reagimin e PD-së.
Reagim në emër të Partisë Demokratike:
Ky është Formulari i mbledhjes së votave për Partinë Socialiste i shpërndarë nga Drejtori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor Elbasan Blendi Musai, tek punonjësit nën varësinë e tij. Ky është krim dhe abuzim i rëndë me detyrën.
Partia Demokratike Elbasan dënon këtë akt kriminal të Blendi Musait dhe e garanton se do të përballet me forcën e ligjit, pa asnjë hezitim.
Gjatë ditës së sotme kemi përcjellë të dhënat e plota për kallëzimin e tij në prokurori për kryerjen e veprës penale të parashikuar në nenin 328/a ‘Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore’ të Kodit Penal.
Partia Demokratike Elbasan garanton të gjithë punonjësit e administratës publike që nuk angazhohen në veprimtari politike dhe nuk bien pre e presionit të paligjshëm, se asnjë akt shantazhi apo largimi nga puna për qëllime elektorale nuk do të njihet nga Qeveria e re e Partisë Demokratike, e dalë pas zgjedhjeve të 25 Prillit 2021.