Sot në Bruksel do të jetë takimi i radhës ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe me ndërmjetësimin e emisarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Mirosllav Lajçak.
Ky i fundit ka thënë se në takimin e sotëm temë diskutimi do të jenë pretendimet financiare dhe aranzhimet për komunitetin joshumicë.
Sipas tij, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq kanë rënë dakord që ekipi negociator të ndjekë këto tema.
“Të dyja temat janë shumë komplekse, për këtë arsye do të diskutojmë për pretendimet financiare dhe aranzhimin për komunitetin jo shumicë në ditët në vijim”, është shprehur ai.
Por, takimi i sotëm në Bruksel ka ngjallë diskutime të ashpra në Kosovë.
Mundësia e riaktualizimit të Asociacionit të komunave serbe në dialogun me Serbinë po konsiderohet e rrezikshme nga presidenti, opozita dhe shoqëria civile.
Presidenti Hashim Thaçi kërkoi nga Kuvendi përmes rezolutës t’i ndalojë të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës.
“Diskutimi për asociacionin në Bruksel është fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës. Ndërsa, diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit të shtetit tonë. Kuvendi i Kosovës duhet urgjentisht ta trajtojë këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit. Po ashtu, urgjentisht duhet ta votojë edhe një rezolutë, me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror”, thuhet në komunikatën e presidencës.
Por, kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se në kryeqytetin evropian nuk do të diskutohet Asociacioni.
Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se 23 nene të marrëveshjes për Asociacionin janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.