Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas vendimit të gjykatës për të dënuar me 4 vite burg ish-kryebashkiakun e Lezhës, Fran Frrokaj
Bardhi thekson se Frrokaj ka bërë një punë të shkëlqyer për Lezhën dhe qytetarët e saj, duke punuar çdo ditë me përkushtim dhe ndershmëri.
Sipas tij, gjykimi ka pasur mungesë transparence dhe indicie të forta për ndërhyrje të papërshtatshme politike.
“Sapo u njohëm me vendimin e gjykatës për ish kreun e bashkisë së Lezhës zotin Fran Frrokaj. Ne jemi të bindur për punën e shkëlqyer që ai ka bërë për Lezhën dhe qytetarët e saj, sikundër shprehim besimin se zoti Frrokaj ka punuar çdo ditë me përkushtim dhe ndershmëri.
Gjykimi në shkallën e parë ka patur mungesë transparence dhe indicie të forta për ndërhyrje të papërshtatshme politike. Jemi informuar gjithashtu se z. Frrokaj do ta apelojë vendimin. Ne shprehim bindjen se gjykimi në shkallët më të larta i kësaj çështje do të nxjerrë në dritë të vërtetën. Ne i bëjmë thirrje organeve të drejtësisë ti qëndrojnë sa më larg ndikimeve të politikës në këtë proces dhe të bëjnë drejtësi”, shkruan Bardhi.