Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerësoi sot piktorin e shquar, Vangjush Mio (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”, me motivacionin “Si një ndër piktorët e parë profesionistë në Shqipëri. Me metodën e impresionizmit ka pikturuar me dashuri peizazhin shqiptar, me dritë dhe gjuhë artistike të nivelit më të lartë. Ai mbetet ‘Poet i natyrës’ dhe pararendësi në formimin e peizazhistëve të mëvonshëm”.
Po kështu me Dekoratën “Nderi i Kombit”, Kreu i Shtetit çmoi edhe piktorin e shquar Abdurrahim Buza (pas vdekjes), me motivacionin “Si një ndër piktorët e parë që hodhi bazat profesionale të arteve figurative në Shqipëri. Për krijimtarinë e tij të gjerë që përshkohet dallueshëm nga fryma kombëtare, e ndërthurur me vlera artistike. Si një zë unik e individualitet i dallueshëm në artin pamor shqiptar”.
Duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoninë e dekorimeve të dy mjeshtrave të papërsëritshëm të artit pamor shqiptar, Presidenti Meta u shpreh:
“Mirëseerdhët të gjithë sot, në një ceremoni shumë të veçantë të vlerësimit të dy personaliteteve, të artit dhe të kulturës sonë kombëtare, Vangjush Mio e Abdurrahim Buza.
Ky aktivitet zhvillohet sot në ditën e parë të muajit Tetor, i cilësuar tradicionalisht si muaji i letërsisë dhe artit, por edhe si muaji kur kanë lindur shkrimtarë të shquar të letrave shqipe dhe kulturës sonë, si Gjergj Fishta, Dritëro Agolli, Migjeni por edhe të tjerë.
Aktiviteti i sotëm shënon njëkohësisht, fillimin e një sërë aktivitetesh të tjera kulturore e artistike, që do të zhvillohen në këtë Institucion, gjatë muajit tetor.
Artistët shqiptarë i kanë patur dhe do i kenë dyert e Presidencës gjithmonë të hapura, për të performuar e për të shpalosur krijimtarinë e tyre.
Letërsia dhe arti kultivojnë dhe pasurojnë shpirtin e një kombi, ndaj ato janë gjithashtu shumë thelbësore, jo vetëm për identitetin e tij por dhe për vet demokracinë. Mesazhet që jep një pikturë, ashtu si edhe ato të një romani, mund të çojnë peshë zemrat dhe mendjet e miliona njerëzve nëpër botë dhe të përmbysin deri diktatura.
Edhe pse arti vetë nuk mund ta ndryshojë botën, ai qartësisht frymëzon ata, që mund ta bëjnë dhe që duhet ta bëjnë një gjë të tillë.
foto galeri foto galeri foto galeri 123PreviousNext
Prandaj është thelbësore që të japim mbështetjen dhe vlerësimin e duhur për gjithë artistët tanë, që ia kanë dedikuar jetën e tyre artit, i cili, siç ka thënë Pablo Pikaso, ‘fshin nga shpirti ynë pluhurin e jetës së përditëshme’.
Piktorët, që nderojmë sot, janë nga ata artistë, që me penelin e tyre, kanë skalitur në art bukuritë dhe historinë shqiptare, kanë krijuar vlera të spikatura artistike dhe me veprën e tyre kanë kontribuar në zhvillimin e arteve figurative në Shqipëri dhe në formimin e një plejade të tërë artistësh.
Vangjush Mio ishte piktori i parë impresionist në Shqipëri, një nga figurat më të rëndësishme të arteve pamore shqiptare, peizazhisti më i rëndësishem shqiptar i shekullit XX, i vlerësuar dhe i njohur si ‘poeti i peizazhit shqiptar’.
Dashurinë për vizatimin dhe pikturën Vangjush Mio e shprehu që në fëmijëri, dhe ajo mbeti dashuria e madhe gjatë gjithë jetës së tij, duke u konkretizuar me realizimin e qindra vizatimeve dhe pikturave në 4 dekada karrierë.
Vangjush Mio arriti të studionte në Universiteti Kombëtar të Arteve në Bukuresht, ku u njoh dhe u miqësua me shkrimtarët e shquar Asdreni dhe Lasgush Poradeci.
Për të vazhduar më tej me studimet në Romë, ku ai u bë admirues i realizmit italian të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX si dhe i impresionizmit.
Pas studimeve, Mio kthehet në vendlindjen e tij, Korçën, e cila ishte kryeqendra kulturore e vendit.
Atmosfera e ndezur kulturore e artistike e qytetit të Korçës, solli edhe krijimin e ‘Shoqërisë së Arteve të Bukura’, si dhe vënien në skenë të dramave e shfaqjeve të ndryshme, midis të cilave ‘Vdekja e Pirros’ e Mihal Gramenos, ku Mio ishte piktor i kostumeve të dramës.
Vangjush Mio, gjatë gjithë jetës së tij, organizoi dhe mori pjesë në shumë ekspozita, si personale edhe kombëtare. Veprat dhe krijimtaria e tij luajtën një rol të rëndësishëm në edukimin e brezave të artistëve shqiptarë, veçanërisht në vitet e regjimit komunist, në kushtet e izolimit kulturor, duke u bërë shëmbull i qartë i një arti jashtë propagandës partiake dhe kornizave të realizmit socialist shqiptar.
Vangjush Mio ishte piktori që bëri kapërcimin e pikturës shqiptare në konceptime moderne, duke e çliruar nga format e ngrira e disa herë diletante të pikturës së deriatëherëshme. Punimet e tij dallohen për dritën, transparencën dhe ajrin që i përshkon.
Krijimtaria e gjerë e artistit Vangjush Mio, në fushën e peizazhit dhe portretit realist, u bë shkollë e madhe për të gjithë artistët shqiptarë.
Gjatë gjithë karrierës së tij, Vangjush Mio realizoi vepra me cilësi të lartë artistik, nxorri në pah dritën diellore mesdhetare të peizazhit shqiptar dhe u bë shëmbulli i shkëlqyer i piktorit të natyrës, që me veprën e tij ndikoi në formimin e peisazhistëve të mëvonshëm në Shqipëri.
Për të gjithë kontributin e jashtëzakonshëm për artin tonë pamor, për ndikimin e tij në formimin e peisazhistëve në Shqipëri dhe për dashurinë me të cilën Vangjush Mio pikturoi peisazhin shqiptar, kam nderin t’i akordoj sot titullin e lartë ‘Nder i Kombit’.
Është kënaqësi e veçantë sot që të nderojmë një personalitet tjetër, kaq të rëndësishmë dhe të madh, të kulturës dhe kulturës sonë, Abdurrahim Buza i cili konsiderohet, si një nga mjeshtrat e mëdhenj të pikturës, pedagogu i nderuar i shumë brezave artistësh, mjeshtër i penelit dhe i tablove historike, burri i urtë e fjalëpak, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e artit pamor shqiptar.
Biri i një familje patriote nga Gjakova, i mbetur jetim në moshën 8 vjeçare, vazhdoi studimet në shkollën normale të Elbasanit, me mbështetjen dhe kujdesin e patriotit të madh Bajram Curri.
Pas studimeve të larta në Akademinë e Firences, Itali, u kthye në Shqipëri ku në bashkëpunim me piktorin Andrea Kushi dhe skulptorin Odhise Paskali, themeluan Shkollën Artistike të Vizatimit, e cila ishte shkolla e parë e Arteve të Bukura në Shqiperi dhe ajo që hodhi bazat e formimit të brezave të rinj të artistëve shqiptarë.
Gjatë karrierës së tij 50 vjeçare, Abdurrahim Buza lëvroi peizazhin, natyrën e qetë, portretin, kompozimin në teknikën e vajit dhe realizoi mbi 10 000 vizatime, duke nxjerrë kështu në pah krijmtarinë e tij shumëplanëshe dhe të niveleve më të larta artistike.
Edhe pse ndikimi i impresionizmit ndjehet në veprat e tij, Buza e gjeti zërin e tij unik në artin shqiptar, duke e shndërruar artin në simbolik të lartë. Ai është unik në stil, një individualitet i veçantë që nuk ndeshet në artistë të tjerë të kohës.
Vepra e Buzës përshkohet gjerësisht nga tema historike dhe ka frymë thellësisht kombëtare. Motivet etnike nga Gjakova, Kosova, dhe nga veriu i Shqipërisë, betejat e popullit shqiptar për liri, heronjtë e këtyre betejave, qëndresa dhe heroizmi i popullit shqiptar, jeta e popullit të thjeshtë, bëhen subjekt i shpeshtë i tij.
Buza na sjell natyrshëm magjinë dhe misterin e jetës së popullit shqiptar, zakonet dhe doket tradicionale, heronjtë dhe burrat e Kosovës e të Shqipërisë, jetën e përditëshme të tyre, të gjitha këto me penelin e tij të magjishëm. Veprat e tij si ‘Refugjatët’, ‘Lidhja e Prizrenit’, ‘Nusja kosovare’, ‘Azem Galica me trimat’, ‘Lojrat popullore”, “Dasmë gjakovare’ dhe shumë të tjera edhe pse në dimensione modeste janë madhështore dhe monumentale.
Buza, në gjithë krijimtarinë e tij artistike, shpalosi qartazi figurën e një piktori bashkëkohor, modern shqiptar e hapi një faqe të re në artin e kohës, duke u bërë një figurë artistike e dimensioneve evropiane.
Magjia dhe cilësia e lartë e artit të pikturës së mjeshtërit Abdurrahim Buza është bërë shembull frymëzimi dhe ka ndikuar në krijimtarinë e shumë artistëve shqiptarë.
Vepra e tij është gur i çmuar në fondin kombëtar të artit. Gjurmët e tij janë ndjekur, jo vetëm nga djali i tij, Z.Kujtim, që e falënderoj se dhe pse është në një situatë shëndetsore jo shumë të mirë, ka ardhur sot këtu, i cili është një peisazhist i njohur me kontribute të mëdha në fushën e artit, por edhe nga nipi i tij Sokoli, që po ecën nën shembullin e gjyshit dhe të babait të tij.
Për të gjithë kontributin e jashtëzakonshëm për artin tonë pamor, për frymën e fuqishme kombëtare të veprës së tij si dhe për vlerat e larta artistike, kam kënaqësinë t’i akordoj sot Abdurrahim Buzës titullin e lartë ‘Nder i Kombit’
Vërtet jam shumë i nderuar për këtë ceremoni vlerësimi të organizuar sot për këto dy personalitete shumë të mëdha të kulturës sonë kombëtare, sepse në këtë periudhë globalizimi, vetëm forcimi i identitetit kombëtar dhe krenarisë për kulturën tonë kombëtare, mund të na mbajë të bashkuar dhe të fortë, në mënyrë që të mos zhbëhemi si komb, as si shtet dhe as si shqiptarë”. – përfundoi Presidenti i Republikës