Mediat perëndimore ‘kryqëzojnë’ Ramën/ Gazetari tallet: Janë paguar për të sfumuar ‘21 janarin

E Enjte, 26 Janar 2023 11:25
 

Sipas disa prej gazetave më të mëdha në planet, ish-zyrtari i lartë i FBI-së është korruptuar në Tiranë nga kryeministri shqiptar, Edi Rama.

 
 Por ndërkohë, qeveria pretendon se të gjitha këto shkrime dhe kronika e analiza në mediat më të mëdha në botë, kanë për qëllim që të eklipsojnë një ‘shashkë’ qeveritare për ’21 janarin’.
 

Gazetari Andi Bushati ka ironizuar me këtë deklaratë të qeveritarëve, teksa publikon shkrimin e gazetës më të madhe angleze, Daily Mail.

“Hahahahaha, konspiracion i madh i mediave ndërkombëtare për të mbuluar zbulimet e reja për ‘21 janarin’. Këta kanë luajtur menç,” shkruan ai.

Më poshtë shkrimi i plotë i Daily Mail:

Spiuni shqiptar korruptoi zyrtarin e FBI-së pas takimit sekret me Ramën

Nga Keith Griffith, DAILY MAIL

Ish-agjenti i kundërzbulimit në FBI, i akuzuar se ka ndihmuar një oligark rus të shmangë sanksionet amerikane, është lënë i lirë pas pagimit të garancisë.

Charles McGonigal, 54 vjeç, doli i lirë nga gjykata federale në Manhattan të hënën pas pagesës së 500 mijë dollarëve si garanci pas arrestimit të shtunën me dy akuza të reja.

Njëra nga akuzat, regjistruar në Manhattan, akuzon McGonigal se ka shkelur ligjet amerikane për sanksionet, pas tërheqjes nga FBI, duke punuar për Oleg Deripaskën, një miliarder mik i Vladimir Putin.

Akuzat e tjera, të regjistruara në Washington DC, pretendojnë se McGonigal mori 225,000 dollarë si ryshfet nga një ish-oficer anonim i zbulimit shqiptar, gjatë kohës që drejtonte degën e kundërzbulimit në zyrën e FBI-së në New York.

McGonigal, i cili u largua nga FBI më 2018, luajti rol të rëndësishëm në hetime të profilit të lartë, përfshirë hetimin e Robert Mueller për lidhjet e pretenduara ruse me fushatën presidenciale të Donald Trump më 2016.

Akuza thotë se McGonigal shoqërohej nga një ish-spiun, të cilit nuk i përmendet emri, kur u takua fshehtas me kryeministrin shqiptar Edi Rama në shtator 2017, ku ai i dha Ramës pajisje të FBI-së dhe ofroi këshilla për licenca fitimprurëse për shpime për naftë.

McGonigal u lirua me një bono të firmosur, çka do të thotë se paratë nuk janë paguar paraprakisht. Bonoja u firmos nga ai vetë dhe dy persona të paidentifikuar.

Teksa largohej nga gjykata, avokati i McGonigal, Seth DuCharme, iu tha reporterëve se klienti i tij “ka pasur një karrierë të gjatë e të dalluar me FBI”.

“Kjo është pa dyshim një ditë e trazuar për Z. McGonigal e familjen e tij, por ne do të shqyrtojmë faktet, do t’i analizojmë, dhe kemi shumë besim te Z. McGonigal”, tha DuCharme, ish-kryeprokuror federal në Brooklyn.

McGonigal punoi në FBI nga 1996 deri në tërheqjen e tij më 2018, dhe nga 2016 deri sa e la Byronë ai ka qenë Agjent Special i Ngarkuar me Divizionin e Kundërzbulimit në FBI për zyrën në terren në New York.

Përveçse luajti rol kryesor në hetimin për lidhjet ruse të Donald Trump, ai drejtoi ekipin e FBI që hetoi arrestimet dhe vrasjet e informatorëve të CIA-s në Kinë, hetim që çoi në arrestimin dhe dënimin e agjentit të dyfishtë kinez Jerry Chun Shing Lee.

Por tani McGonigal është vetë nën akuzë për krijimin e një rrjeti mashtrimi me skema të shumta përfitimi me pagesa të paligjshme nga jashtë.

Në një email për gjithë Byronë të hënën, drejtori i FBI, Christopher Wray, tha se sjellja e McGonigal “është krejtësisht e ndryshme nga ajo që shoh te burrat e gratë e FBI-së që demonstrojnë çdo ditë përmes veprimeve të tyre se janë të denjë për besimin e publikut”.

Akuza më tronditëse është ajo e bashkëpunimit me një ish-diplomat sovjetik të shndërruar në përkthyes rusishteje për Deripaskën, një miliarder rus të cilin i referohen me kod si “bosi i madh” apo “klienti”.

McGonigal, i cili kishte mbikëqyrur dhe marrë pjesë në hetimin e oligarkëve rusë, përfshirë Deripaskën, punoi për të ndihmuar Deripaskën të hiqte sanksionet më 2019 dhe u pagua prej tij më 2021 për të hetuar një oligark rival, sipas Departamentit të Drejtësisë.

McGonigal dhe përkthyesi Sergej Shestakov u arrestuan të shtunën – McGonigal pas zbritjes në aeroportin John F. Kennedy dhe Shestakov në shtëpinë e tij në Morris, Connecticut.

Shestakov, i cili ka punuar si përkthyes për gjykata e prokurorë federalë në New York City në përfundim të karrierës si diplomat më 1993, ndihmoi në lidhjen e McGonigal me Deripaskën, sipas akuzës së ngritur ndaj tij.

Më 2018, ndërsa McGonigal punonte ende në FBI, Shestakov e prezantoi me një ish-diplomat sovjetik e rus i cili punonte si agjent për Deripaskën.

Ai person nuk është përmendur me emër në dokumentet e gjykatës, por Departamenti i Drejtësisë tha se ishte përmendur në raporte të medias si ish-oficer i inteligjencës ruse.

Sipas akuzës, Shestakov i kërkoi ndihmë McGonigalit për t’i siguruar vajzës së agjentit një stazh në njësitë e inteligjencës e të antiterrorizmit në Departamentin e Policisë në New York. McGonigal pranoi dhe i tha një kontakti në departamentin e policisë se “kam interes te babai i saj për një numër arsyesh”.

Sipas akuzës, një rreshter policie raportoi më pas në Departamentin e Policisë dhe në FBI se gruaja kishte një “marrëdhënie të afërt të pazakontë” me një agjent të FBI-së, i cili, thoshte ajo, i kishte dhënë akses në dokumente konfidenciale të FBI-së.

Rreshterit i dukej se ishte “e pazakontë që një studente kolegji të gëzonte një trajtim të tillë të veçantë nga Departamenti i Policisë i New Yorkut dhe nga FBI”, thotë akuza.

Pas tërheqjes nga FBI, McGonigal vazhdoi të punonte më 2019 si këshilltar e investigues për një firmë ligjore ndërkombëtare që synonte heqjen e sanksioneve mbi Deripaskën, një proces i njohur si “delisting” (heqje nga lista).

Firma i pagoi McGonigalit 25,000 dollarë përmes një korporate në pronësi të Shestakovit, thonë prokurorët, megjithatë puna u ndërpre nga faktorë të tillë si pandemia e Covid-19.

Më 2021, agjenti i Deripaskës pajtoi McGonigal e Shestakov për të gërmuar për një oligark rival, me të cilin Deripaska luftonte për të marrë kontrollin e një korporate të madhe ruse, kundrejt pagesë së menjëhershme të 51,280 dollarëve, plus 41,790 dollarë në muaj të paguar përmes një banke ruse në llogarinë e një kompanie në New Jersey, në pronësi të një miku të McGonigal. McGonigal ia mbajti të fshehtë mikut natyrën e vërtetë të pagesave.

McGonigal akuzohet edhe se ka fshehur nga FBI detaje kyç nga një udhëtim në Shqipëri më 2017 me një ish-oficer të zbulimit shqiptar i cili pretendohet se i ka dhënë të paktën 225,000 dollarë në tri pagesa të ndryshme.

Gjatë kohës në Shqipëri, sipas Departamentit të Drejtësisë, McGonigal u takua me kryeministrin shqiptar dhe e këshilloi për kujdes në dhënien e licencave të shpimit në fushat naftëmbajtëse në vend kompanive ruse. Kontaktet shqiptare të McGonigal kishin interesa financiarë në ato vendime.

Si shembull që tregon se si McGonigal përzjeu përfitimet personale me përgjegjësitë profesionale, prokurorët në Washington thonë se ai bëri që zyra e FBI-së në New York të hapte një hetim penal për lobim në të cilin ish-oficeri i zbulimit shqiptar do të shërbente si burim njerëzor konfidencial.

McGonigal e bëri këtë pa i zbuluar FBI-së apo Departamentit të Drejtësisë lidhjet financiare me shqiptarin.

Modifikuar më E Enjte, 26 Janar 2023 20:31
Login to post comments

Lajmet e fundit

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Politikë

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Nga Gezim Sadikaj: Si perfaqsues i banorve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.Shebull tipik i kesaj masakre eshte dhe familja Billa prej 20 antaresh!Mervet Billa dhe Izet...

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

Globi

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.   Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më...

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

Ekonomi

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

    Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje. Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e...