Gjatë konferencës për mediat nga selia blu, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka hedhur poshtë pretendimet se, reformën e pronësisë e ka bërë për dhëndërrin e tij, Jamarbër Malltezi.
Gjatë konferencës Berisha tha se, ‘Ligji i ri për kthimin dhe kompensimin e pronave, solli ndryshimin e të drejtës së kompensimit dhe për vendimet e mëparshme të ndërmarra nga komisioni i kthimit dhe kompensimit të pronave me ligjet e vjetra, të shfuqizuara të marra bazuar vetëm në një vendim gjyqësor’.
Pjesë nga deklarata e kryetarit të PD-së, Sali Berisha:
Ky është një mashtrim publik që përbën vepër penale se bazohet në fshehje të dhjetëra dhe qindra dokumenteve zyrtare të organeve shtetërore, përfshi këtu vendimet e gjykatës.
Këto dokumente faktojnë se procesi i kthimit të pronave ka filluar në vitin 1994 dhe ka përfunduar para vitit 2005.
Po kështu, kthimi i pronave të grabitura nga regjimi i Enver Hoxhës këtyre familjeve, ka filluar në vitin 1995 dhe ata kanë marrë në përputhje me ligjin e kohës, një pjesë të pronave të tyre dhe ka vazhduar në vite deri në vitin 2009 me privatizimin.
Në amoralitet të plotë politik, Edvini dhe larot e tij skapistë, aludojnë ndaj meje në mënyrë groteske se reformën e pronësisë dhe reforma të tjera themelore të programit të PD, amendimin e ligjit të kthimit dhe kompensimit të pronave, përdorimin e letrave me vlerë, i paskam ndërmarrë për të favorizuar dhëndrin tim pronar, i cili, e vërteta është se nuk ka marrë as 10 përqind të asaj që i takon.
Sipas tyre, për këtë qëllim, unë amendova ligjin e vitit 2004 dhe zgjata me një vit afatin e dorëzimit të dokumenteve të ish-pronarëve, për të kërkuar pronat e tyre.
Këtu mund të përdorja çdo epitet, por po i pyes këta me nder ish-zyrtarë: po Fatos Nano, që para meje kishte zgjatur me dy vite, afatin në këtë ligj, për pronarët, për dorëzimin e dokumenteve të tyre, e bëri këtë për dhëndrin tim?
Sharlatanë mjeranë, jeni turpi i ligjit dhe keni moralin e Edvinit.
Ligji 9533, 17.7.2006, nuk kishte për qëllim vetëm shtyrjen e afateve, por solli shumë risi të tjera në procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave. Në parim ai ligj synonte të mbronte interesat e shtetit, por synonte njëlloj mbrojtjen e pronësisë private të subjekteve të shpronësuara.
Kështu, u vendos që të mos hetoheshin kërkesa bazuar vetëm në vendime gjyqësore, por të përdoreshin dokumente të gjera për të vërtetuar saktësisht pronësinë dhe origjinën e saj.
Në lidhje me shtyrjen e afatit të pranimit, e kemi bërë këtë sepse kishte shumë pronarë që nuk kishin plotësuar dokumentet. Kjo është bërë edhe në vitin 2008. Një praktikë rutinë pothuaj.
Në këtë reformë u parashikua edhe e drejta për t’iu drejtuar gjykatës, por në çdo rast, për rivendosjen e të drejtës për të kërkuar rivendosjen në afat të të drejtës së pronësisë. Pra,nëse administrata brutalisht ia mohonte atij se iku afati, qytetari shkonte në gjykatë dhe vendoste afatin.
Ligji i ri për kthimin dhe kompensimin e pronave, solli ndryshimin e të drejtës së kompensimit dhe për vendimet e mëparshme të ndërmarra nga komisioni i kthimit dhe kompensimit të pronave me ligjet e vjetra, të shfuqizuara të marra bazuar vetëm në një vendim gjyqësor.
Ky kompensim sipas ligjit të ri do bëhej bazuar në dokumentacionin e parashikuar në ligjin 9533, pra nuk lejohej kompensim për vendime të marra me vendime gjyqësore. Fakti është se pati edhe abuzime.
Kjo reformë solli të drejtën e Avokaturës së Shtetit dhe drejtorit të përgjithshëm të AKKP, për të rishikuar vendimet që ishin në kundërshtim të hapur me ligjin.
Në këtë reformë, u rritën kufizimet në abuzime në krahasim me ligjin e mëparshëm, i cili u njihte në mënyrë absurde të drejtën e kthimit për pasuritë që ishin blerë më parë nga persona të tretë për ndërtime. Pra, mori fund ky absurditet.