Deklarata e plotë e kryetarit demokrat, Sali Berisha, në konferencën e ditës së martë
Siç e dini, Edi Rama i ka shpallur luftë opozitës dhe unë u them demokratëve kudo që janë, se me aktin e fundit, ai ka shpallur një luftë totale, për të cilën ne do i përgjigjemi me të gjithë forcën dhe mundësitë tona. Procesi është procesi më politik i këtij shekulli.
Në proces janë reformat epokale të PD-së, të cilat goditen nga një gardë pretoriane, të cilat goditen nga falanga politike krimi, në një analizë që dëshmon urrejtjen e tyre për reformat e tregut të lirë dhe demokracisë që ka ndërmarrë PD në vite.
Çdo demokrat duhet të ndjehet krenar me to.
Unë sot, jam këtu për të paraqitur vetëm njërën prej tyre, të cilën falangat të krimit politik, e paraqesin si fakt, argument se është ndërmarrë për të favorizuar dhëndrin tim. Apo është ndërmarrë për korrupsion.
Dhe kjo është vendimi për përdorimin e letrave me vlerë në procesin e privatizimit me përparësi ish-pronarëve.
Letrat me vlera, që ta dinë shqiptarët dhe u kujtohet, janë emetuar në Shqipëri dhe në shumicën e ish-vendeve komuniste si një mekanizëm me të cilën synohej që qytetarët të përfitonin nga privatizimi i ndërmarrjeve ku kishin shkrirë jetën e tyre në sistemin komunist.
Ato u përdorën me sukses të madh fillimisht nga Megi Theçer dhe në Argjentinë dhe më pas në vendet ish-komuniste kudo.
Si president i Republikës, kam dekretuar në fillim të vitit 1995, emetimin dhe shpërndarjen e tyre.
Bonot e privatizimit i janë shpërndarë falas qytetarëve sipas grupmoshave, por në fund të shpërndarjes, 1.3 milionë shqiptarë kanë pasur një bono privatizimi në xhep.
Një variant i tyre ishin lekët e privatizimit. Lekët e privatizimit iu dhanë të përndjekurve politikë. Ato ishin në mënyrë absolute ekuivalente me lekun. Bonot askërkund nuk janë identike me monedhën e vendit, kanë një përafrim. Kurse ato që u shpërndanë për ish-të përndjekurit, kishin vlerën më reale të lekut.
Në këtë periudhë, bonot e privatizimit u përdorën për privatizimin e mijërave objekteve dhe dhjetëra e dhjetëra sipërmarrjeve të mesme, në atë kohë kjo ishte fusha e privatizimit dhe blerjes së banesave, legalizimit të banesave.
Kurse të përndjekurve, lekët e privatizimit iu dhanë si dëmshpërblim për vitet e burgjeve dhe kampeve të përqendrimit.
Lekët e privatizimit funksionuan në mënyrë të përsosur. Me to, të përndjekurit blenë objekte, deri fabrika.
Në vitin 1997 procesi u ndërpre, por nuk u largua kurrë. Dhe në vitin 2020, kjo qeveri ka vendim për përdorimin e tyre.
Në vitin 2008, në prag të privatizimeve që ishin përpara, rikthehet përdorimi i tyre në masën 80 përqind me bono dhe 20 përqind me lekë.
Ndërkohë pronarët blenë, në mos gabohem, rreth 20 miliardë lekë objekte që u privatizuan. Në total, pjesa tjetër konsumoi rreth 120 milionë euro apo dollarë, sipas një raporti të vitit 2014 të Ministrisë së Financave.
Në vitin 2008, vendimi me të cilin në mënyrë më të pafytyrë, akuzohem për korrupsion pasiv sepse qenka bërë për të fituar dhëndri im pronar.
Pafytyrësia nuk mund të ketë emër tjetër.
Vendimi nuk kishte asnjë lidhje, dhe Jamarbër Malltezi pronar, bashkë me 64 pronarë të tjerë, i detyroheshin shtetit 794 mijë euro ose dollarë në atë kohë.
Ky grup pronarësh, 1 muaj përpara se të dalë vendimi, kishte paguar qindarkë për qindarkë 700 mijë euro me fatura bankare, pa asnjë bono privatizimi. Sepse vendimi nuk kishte dalë.
Pra, këta kishin mbetur debitorë afërsisht 100 mijë dollarë. Në këto 100 mijë dollarë, këta përdorën sipas ligjit 80 mijë. Dhe në total në pagesën e tyre, bonot e privatizimit janë gjithsej 11.4 përqind. Për objektet rrangullina që blenë dhe për tokën truall shteti në kuadrin e detyrimit ligjor.
Kjo është e vërteta, të gjitha variantet e tjera janë një shpifje e turpshme që fryhen dhe pompohen nga media të qeverisë dhe jo vetëm, në funksion të piramidës së mashtrimit, të dacibaos së mashtrimit të Edi Ramës dhe prokurorëve të tij.
Në vazhdim, janë përdorur dhe mijëra qytetarë të tjerë i kanë përdorur bonot e privatizimit për legalizimin e banesave dhe për privatizime të vogla, se të mëdhatë u bënë me formulë tjetër.
Kjo është e vërteta dhe unë do i marr një nga një para jush dhe shqiptarëve.
Kjo është aktakuzë e turpshme ndaj një reforme, që ekziston edhe sot. Këtu kam një vendim të vitit 2015 që thotë pse ua zgjasim këtë. Bonot përdoren si një detyrim ndaj qytetarëve se ti privatizove një ekonomi të tërë dhe ti mbete duarbosh. Nëpërmjet tyre kanë marrë diçka.
Sigurisht nuk them se funksionuan, por jo edhe jashtë funksionit. Se janë lekët e privatizimit rreth 20 miliardë, janë mbi 12 miliardë privatizime të tjera. Dhe prapë janë një stok i madh të papërdorura.
Edhe këta që kanë ardhur mbrapa, nuk kanë nxjerrë një ligj për t’i anuluar, por i kanë zgjatur afatin. Sepse nuk ka një bazë morale ajo. Jepu mundësi t’i përdorin si një shpërblim sado i vogël për ato që u privatizuan në këtë vend.
Pra është e tëra një aktakuzë ndaj reformës.
E turpshme, e pacipë, mercenarë të ligjit bëjnë pretenca ndaj reformave të thella.
Nuk ndodh kurrë kjo.
Legjislativi është legjislativ dhe nuk mundet kurrë një gjykatës të shpifë dhe të trillojë në atë mënyrë.
U dëmtua sporti, thotë. Po si u dëmtua sporti, kur në ligj thuhet se terrenet sportive do privatizohen me kusht që pronari t’i destinojë për aktivitet sportiv? Si dëmtohet sporti?
Ndërkohë që ato ishin të pushtuara nga parolaçër e të tjerë, ishin pronarë e pronarëve, qytetarët nuk përfitonin një qindarkë prej tyre.
Ne besuam se ajo ishte rruga për të mbështetur sportin. Dhe pronari nuk e përfitonte nëse nuk garantonte se kjo do përdorej.
Pra, nuk është problemi këtu i individit, problemi është aktakuzë e mirëfilltë politike ndaj reformave.
Por PD nuk heq dorë nga asgjë nga programi i saj. Ndjehet i nderuar për çdo vendim, akt dhe ligj që është miratuar në periudhën e qeverisjes së PD dhe aleatëve.
Të gjesh gjykatës që i lejojnë vetes të shpifë dhe manipulojë për ligjet e miratuara në parlament, kjo ndodh vetëm në këtë regjim.
Kjo nuk na dekurajon ne, ne mbetemi parti reformash.
U them demokratëve se ne jemi në luftë. Edi Rama i ka shpallur luftë opozitës dhe opozita do qëndrojë me të gjitha mundësitë e saj.