Dy ditë pasi në Kuvend u miratua në parim në më pak se 5 minuta projektbuxheti për vitin 2024, ka ardhur reagimi i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri.
Delegacioni i kujton Shqipërisë se një parlament funksional, është shtylla e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Po ashtu, përfaqësuesit e unionit në Shqipëri kujtojnë se dialogu konstruktiv në parlament është i rëndësishëm dhe në interes të qytetarëve shqiptarë.
"Pas zhvillimeve të fundit në Parlamentin e Shqipërisë, Bashkimi Evropian rikujton se një Parlament funksional që ushtron një rol efektiv mbikëqyrës dhe legjislativ është një shtyllë qendrore e procesit të anëtarësimit në BE. Dialogu politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në parlament është shumë i rëndësishëm dhe në interes të qytetarëve shqiptarë," thuhet në deklaratën e tyre.
Një ditë më parë, për krizën që ka përfshirë parlamentin reagoi edhe ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner. Diplomati gjerman i bëri thirrje mazhorancës dhe opozitës që të bashkëpunojnë, teksa theksoi se parlamenti duhet të plotësojë rolin e tij thelbësor kushtetues.
Ndërsa ambasada e SHBA vuri në dukje se “një parlament funksional dhe dialogu midis përfaqësuesve të tij, janë me rëndësi kritike për t'u ofruar shërbime dhe hartuar ligje në interes të popullit shqiptar".