Rama: Nuk lejoj komisione hetimore, do të ndryshoj edhe Ligjin e Komisioneve!

Premte, 24 November 2023 16:03

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar shprehimisht sot se jo vetëm që nuk do të lejojë ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, jo vetëm që nuk do të marrë parasysh kërkesat për të cilat Kryetari i PD-së, Sali Berisha dhe deputetët e opozitës në Kuvend po vazhdojnë të protestojnë prej javësh, por ka njoftuar me kryeneçësi se bashkë me Grupin parlamentar të PS-së kanë përgatitur edhe ndryshimet në Ligjin për Komisionet Hetimore. Rama madje e ngriti studimin e bërë para mediave, për të dëshmuar atë që tha, sepse siç u shpreh, e priste t'ia bënin pyetje.

Gjatë konferencës së shtypit sot, Rama theksoi se pavarësisht nga numri i deputetëve të opozitës që e kërkojnë ngritjen e komisioneve hetimore dhe që citojnë nenin përkatës të Kushtetutës që ua jep të drejtën, as ai dhe as Grupi parlamentar i PS-së, nuk do të negociojnë me ta po do të presin me durim derisa kundërshtarët e tij t'i godasë drejtësia. 

 

Në vijim, pyetja drejtuar Kryeministrit dhe përgjigjja e tij:

Pyetje: Z. Kryeministër, opozita ka deklaruar se do ta vazhdojë protestën e saj pa kthim për ngritjen e komisioneve hetimore. Gjendur përpara kushteve, çfarë do të bëjë mazhoranca, a do të hedhë një hap pas për të dialoguar? Z. Bardhi u shpreh i hapur për të negociuar me PS-në...

 
 

Rama: Së pari, ne nuk negociojmë me “Non gratën” dhe me asnjë zëdhënës të “Non gratës”! Këtë e kemi thënë qysh ditën e parë dhe nuk është e re.

“Non grata” dhe zëdhënësit e tij, që kanë marrë përsipër që për një hall krejtësisht personal me drejtësinë e re ta kthejnë parlamentin në një shesh për të bërë përshesh dhe i gëzohen faktit që ndezja deri edhe e flakës në sallën e parlamentit merr dhenë në të gjitha mediat e botës, a a thua kjo sjell gjë tjetër përveç zhgarravitjes së imazhit të Shqipërisë, janë në të drejtën e tyre të bëjnë zgjedhjet e tyre.

Parlamenti ka rregullat e veta ka dhe kufizimet e veta sepse në kushtet kur rregullorja e parlamentit përcakton si masën më ekstreme të mundshme nga vetë parlamenti, “përjashtimin vetëm për 10 ditë” edhe të zjarrëvënësit, atëherë ne nuk na mbetet gjë tjetër përveç me qetësi e durim të presim që drejtësia të bëjë drejtësi mbi ata që pengojnë forcërisht ushtrimin e detyrës së të tjerëve.

Nga ana tjetër këtu nuk ka asgjë për të negociuar për arsyen e thjeshtë se është krejt e pavërtetë që komisionet hetimore mund të ngrihen thjesht e vetëm se një numër i caktuar firmëtarësh iu teket të ngrenë një komision hetimor.

Mënyra se si ngrihen komisionet hetimore është qartësisht e përcaktuar jo vetëm në ligj, por është qartësisht e kornizuar edhe nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Se po të ishte kushtetuese çdo nismë për të ngritur një komision hetimor, atëherë Gjykata Kushtetuese nuk do të kishte mundur të shpallte komisione antikushtetuese hetimore, siç edhe ka shpallur, që do të thotë se në rastin e ngritjes së një komisioni antikushtetues, ka gabuar Kuvendi; që do të thotë që kur Kuvendi ngre një komision hetimor duhet ta ngrejë brenda kornizës kushtetuese dhe duke i marrë parasysh të gjitha ato përcaktime të ligjit për arsyet pse dhe për mënyrën si ngrihet një komision hetimor.

Nuk mund të ngresh komisione hetimore bazuar në thathetheme që i ke përhapur vetë. Kjo nuk mund të bëhet pavarësisht se ti mund të kesh një mandat deputeti dhe me vete një numër deputetësh që firmosin që thashethemet që ti ke përhapur vetë të kthehen në një komision hetimor.

Së treti, ne e kemi thënë që në krye të herës që është koha të rishikojmë Ligjin për Komisionet Hetimore duke marrë parasysh eksperiencën e gjithë këtyre viteve dhe duke marrë parasysh edhe dështimet e panumërta të komisioneve hetimore në gjithë këto vite dhe ky komision ad hoc nuk është ngritur se nuk ka pasur vullnet nga ana tjetër për t’u përfshirë.

Ndërkohë ne kemi punuar intensivisht gjatë gjithë këtyre muajve që kur e kemi marr këtë nismë dhe kemi konsideruar dy drejtime të kësaj pune. E para, integrimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për komisionet hetimore në Ligjin për Komisionet Hetimore dhe burimin e vetë ligjit për komisionet hetimore që është ligji gjerman. Kjo është shoqëruar edhe me një analizë të funksionimit të komisioneve hetimore në vendet e BE dhe unë isha i bindur se do të vinte kjo pyetje dhe kam gjithë studimin bërë nga grupi i punës për të ndërhyrë në Ligjin për Komisionet Hetimore./ar/sh/SYRI.NET

Login to post comments