Rama prek fondin e kontigjencës për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve

Premte, 01 December 2023 12:22

Përmes një akti normativ, qeveria po bëhet gati që të përdorë fondin e kontigjencës për të shlyer detyrimet e prapambetura ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve – një borxh që në total kap vlerën e 3 miliardë lekëve.

BIRN 

Qeveria shqiptare po përgatitet të shlyejë detyrimet e prapambetura për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve me fondet e mbetura të buxhetit 2023, me anë të një akti normativ që po harton Ministria e Financave. 

 

Vendimi për kalimin e fondit të kontigjencës për shlyerjen e këtyre detyrimeve u bë i ditur në mbledhjen e fundit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve më 24 nëntor, gjatë miratimit të projekt-buxhetit për vitin 2024.

Duke iu referuar kërkesave të institucioneve të drejtësisë, deputeti Klevis Xhoxhi, si relator i çështjes, njoftoi se komisioni ishte dakordësuar me Ministrinë e Financave që kësaj çështje t'i jepej zgjidhje brenda këtij viti.

 
 

“Për detyrimet e prapambetura për gjyqtarët dhe prokurorët në sistemin e drejtësisë është gjendur mundësia që të bëhen nga fondi i kontigjencës, nëpërmjet një Akti Normativ që do të akomodojë fondet e mbetura të buxhetit 2023,” tha Xhoxhi.

Burime nga Ministria e Financave i thanë BIRN se fondi në total i llogaritur nga këto detyrime që nga viti 2019 mendohet të jetë 3 miliardë lekë, por Akti Normativ do të sqarojë mënyrën e shlyerjes së tyre.

Sipas ligjit, fondi i kontigjencës përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave për raste të paparashikuara.

Detyrimet rrjedhin nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese për shtesën prej 14 mijë lekësh të pagës për magjistratët që nga viti 2019 e në vijim, shtesë që nuk gjente zbatim në buxhetin e vitit 2024 duke krijuar ankesa nga institucionet e drejtësisë.

Këto institucione po përballen me përmbarimin, pasi dhjetra prokurorë e magjistratë kanë fituar gjyqet për përfitimin e kësaj shtese page.

Gjatë dëgjesave për buxhetin në Komisionin e Ligjeve përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë kërkuan nga Kuvendi që të zbatohet vendimi i Gjykatës dhe të parashikohej kompensimi për shtesat e prapambetura në buxhetin e ri që Kuvendi u akordon këtyre institucioneve.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit,  Komisioni i Pavarur i Apelimit, Prokuroria e Përgjithshme dhe Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, apeluan që Kuvendi të zgjidhte ngërçin e krijuar duke e cilësuar këtë çështje sensitive për mbarvajtjen e punës dhe pavarësinë e tyre.

Efektet financiare vetëm për KLGj shkonin përafërsisht në 700 milionë lekë.

Prokuroria e Përgjithshme u ankua për bllokim të llogarisë së thesarit për shkak të vendimeve përmbarimore, si shkak i moshlyerjes së detyrimeve për shtesat e pagave të punonjësve.

Ndërsa organet e vetingut e cilësuan me rëndësi shlyerjen e detyrimit, në mënyrë që të detyroheshin komisionerët të përballeshin me gjyqtarët të cilët i kanë subjekt të verifikimit.

Që prej dy vitesh punonjësit e organeve të drejtësisë po fitojnë në masë gjyqet për zbatimin e këtij vendimi duke futur në ngërç financiar funksionimin e tyre dhe duke i shtuar detyrimeve financiare të shtesës së pagës edhe shpenzimet gjyqësore e përmbarimore.

Beteja e gjyqtarëve nisi në fillim të vitit 2021, pas një auditimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në Këshillin e Lartë Gjyqësor, ku konstatoi se kishte një gabim në interpretimin e ligjit “Për statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”, gabim që u kishte mohuar atyre 14 mijë lekë në muaj.

Sipas përllogaritjes së re paga referencë e tyre duhet të ishte 132.100 lekë nga 118.000 lekë që ishte llogaritur deri në atë kohë.

Ministria e Financave refuzoi të zbatonte rekomandimin, duke e cilësuar atë të padrejtë dhe me një kosto të lartë në buxhetin e shtetit, ndërsa Komisioni i Ligjeve ndërhyri në ligj duke e ndryshuar nenin përkatës për të ruajtur përllogaritjen e vjetër të pagës 118.00 lekë.

Por gjyqtarët e dërguan çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila një vit më parë i shpalli antikushtetuese nenet e ndryshuara nga mazhoranca antikushtetuese duke detyruar Kuvendin të rishikonte përllogaritjen e pagave për magjistratët dhe duke i vendosur buxhetit të shtetit një barrë financiare për kompensimin e detyrimeve të prapambetura që nga viti 2019.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Vrasja e Egli Progës në Pogradec/ Del ekspertiza mjeko-ligjore: Dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit

Kronikë

Vrasja e Egli Progës në Pogradec/ Del ekspertiza mjeko-ligjore: Dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit

    Instituti i Mjekësisë Ligjore ka përfunduar ekspertimin mjeko-ligjor për 42-vjeçarin Egli Proga, i cili u rrah për vdekje më 10 gusht në një lokal në Pogradec. Në akt-ekspertim përshkruhen dëmtimet e...

Dr. Alk Shehu sot mori titullin „Kardiolog“

Politikë

Dr. Alk Shehu sot mori titullin „Kardiolog“

Dr. Alk Shehu sot mori titullin „Kardiolog“, duke perfunduar specializimin 6 vjecar ne “Kardiologji e Mjekesi Interne”!Ne Gjermani mbas nje aktiviteti spitalor, studimi, impenjim e pune.Mbas nje aktiviteti te gjere...

Makina u afrua në lokal, njëri nga personat zbriti dhe…! Dinamika si ndodhi atentati në “Don Bosko”! Ja itinerari që ndoqën autorët! Shënjestra, banor i zonës

Politikë

Makina u afrua në lokal, njëri nga personat zbriti dhe…! Dinamika si ndodhi atentati në “Don Bosko”! Ja itinerari që ndoqën autorët! Shënjestra, banor i zonës

  Të tjera detaje janë zbardhur nga atentati me armë zjarri në zonën e “Don Boskos”, ku mbetën të plagosur Kastriot Elezi dhe u plagosu Ronaldo Metushi, ngjarje e ndodhur pasditen...