Duke komentuar raportin e UNESCO-s që del kundër qeverisë shqiptare për dhënien me koncesion të parkut kombëtar të Butrintit, kryetari i PD-së, Sali Berisha i bëri thirrje Fondacionit Shqiptaro-Amerikan që të tërhiqet nga kjo aferë korruptive me Edi Ramën.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:
Së fundmi miq kam një mirënjohje shumë të thellë ndaj Organizatës Botërore të Trashëgimisë Kulturore, UNESCO-s, e cila në raportin e saj që ka fshehur Edi Rama, zbërtheu copëtimin, shkatërrimin e Edi Ramës me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të parkut më përrallor që ka Europa, parkut kombëtar të Butrintit.
Më lejoni të falënderoj para jush, përzemërsisht deputeten Ina Zhupa e cila qëndroi e pamposhtur nga çdo presion, për t’i mbrojtur Shqipërisë pasurinë e saj më përrallore, parkun e Butrintit.
Të falënderoj profesor doktor Apollon Baçen, avokat i pamposhtur i kësaj trashëgimie.
Të falënderoj Aleancën për Mbrojtjen e Butrintit dhe të gjithë ata që u përballën me presionet më çnjerëzore, më të gjithanshme, por qëndruan në mbrojtje të kësaj pasurie të pashoqe e theksoj edhe njëherë.
Parku i Butrintit, nga qyteza arkeologjike te Kepi i Stillës, përbën ndoshta një nga mrekullitë më të mëdha në botë.
Ky park u mbrojt dhe duhet t’u rrëfej këtu se nga viti 1993, gjer në vitin 2013, Fondacioni i Lordit Rothchild, luajti një rol shumë pozitiv në mbrojtjen e tij.
Unë ju kujtoj ju se në një moment kur zgjeruam rrugën për çështje sigurie, protestat e tyre te qeveria shqiptare ishin të përsëritura dhe të fuqishme.
Por çfarë ndodhi më vonë? Parku u copëtua me projektin e Edi Ramës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan.
Unë jam këtu për të kërkuar publikisht Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, tërhiquni menjëherë nga projekti, kërkoni të falur sepse keni kryer një akt shumë të rëndë ndaj një pasurie përrallore të kombit shqiptar.
Është pikërisht projekti juaj, i bazuar në studimin tuaj korruptiv me Edi Ramën, që i dha këtij të fundit mundësinë të projektojë, të ndërtojë te Gjiri i Manastirit, te Kepi i Stillës me qindra e mijëra banesa.
Unë kam pasur një bashkëpunim të ngushtë, të frutshëm, kam respektuar shumë, kam vlerësuar lart të gjithë kontributin e këtij fondi. Kam pasur marrëdhënie miqësore me presidentin e tij.
Por natyrisht Butrinti ishte për mua, interesi i shqiptarëve ishte mbi të gjitha.
Ndaj i them, zoti Granoff, tërhiqe projektin. I bëtë një dëm të madh.
Ju keni kontribut të padiskutueshëm në dhjetëra e dhjetëra projekte në Shqipëri.
Por ajo që bëtë është e paimagjinueshme. U bëtë bashkautor në një megakorrupsion të tmerrshëm me Edi Ramën.
Përndryshe, me një peticion do i kërkojmë hetim Kongresit të SHBA për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan. Keqpërdorimin e tij nga Edi Rama.