Çështja e vulës së PD, zbardhet vendimi/ Kolegji deligjitimon Bashën e Alibeajn si palë

Hënë, 18 Mars 2024 23:55

Zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës së lartë, lidhur me atë që tashmë njihet si çështja e “vulës dhe logos” së PD-së. Referuar vendimit të Kolegjit çështja do të shqyrtohet në Apel, ndërsa Gjykata e Lartë në vendimin e saj deligjitimon si palë Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn.

Kolegji arrin në konkluzionin se Gjykata e Apelit i është shmangur detyrimeve të saj ligjore, të cilat janë të detyrueshmë për tu zbatuar, pasi garantojnë kryerjen e një procesi gjyqësor civil të rregullt, ligjor, efektiv dhe brenda afateve ligjore të arsyeshme. 

 

Gjykata e Apelit, vetëm pasi të arrinte në një konkluzion përfundimtar nëse mjeti i ankimit objekt shqyrtimi i plotësonte të gjitha parakushtet formale të pranueshmërisë, kishte të drejtë ti hapte rrugë shqyrtimit të shkaqeve të ankimit dhe ti jepte zgjidhje në themel çështjes objekt shqyrtimi. Ndërkohë, me disponimin për prishjen e vendimit të shkallës së parë dhe kthimin e çështjes për rigjykim, Gjykata e Apelit ka krijuar konfuzion dhe paqartësi në lidhje me çështjen objekt shqyrtimi përsa i përket objektit të kërkimit, si dhe me natyrën e gjykimit (ritin e gjykimit) që ndiqet në shqyrtimin e saj”, thuhet në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë.

Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, “në rast se Gjykata e Apelit ka arritur në konkluzionin se në themel të këtij gjykimi, qëndron përcaktimi se kush është juridikisht organi ligjor që përfaqëson tek të tretët subjektin juridik PDSH, kjo gjykatë, duhet të kishte vendosur pushimin e gjykimit, duke orientuar palët që të zhvillojnë një gjykim themeli mes tyre (gjykim kontencioz). Megjithatë, në asnjë rast gjykata nuk mund të vendoste prishjen e vendimit të shkallës së parë dhe kthimin e çështjes për rigjykim, pasi në mënyrën se si e ka analizuar çështjen kjo gjykatë nuk ka dhënë konsiderata në lidhje me çështje substanciale të ligjit procedural e që duhet të merren parasysh gjatë rigjykimit, të cilat lidhen me: (i) cili do të jetë rit i gjykimit që duhet të ndiqet në rigjykim (riti gracioz apo ai kontecioz); (ii) cili do të jëtë pozicioni procedural i PDSH së përfaqësuar nga Kryetari z.Lulzim Basha, përsa kohë ky subjekt ka paraqitur ankimin mbi bazën e të cilit gjykata e apelit ka vijuar zhvillimin e gjykimit në shkallë të dytë gjykimi (pra është legjitimuar si palë ndërgjyqëse në proces, por çfarë pozicioni do të ketë, person i interesuar, ndërhyrës kryesor me padi, ndërhyrës dytësor); si dhe (iii) cili do të jetë objekti i shqyrtimit në rigjykim, regjistrimi i vendimeve të dala nga Kuvendi Kombëtar i mbledhur në mënyrë të jashtëzakonshme në datën 11.12.2021, apo pavlefshmëria e vendimeve dhe ndryshimeve statutore të nxjerra nga ky Kuvend”. 

VENDIMIN E PLOTE E GJENI KETU

Pjesë nga vendimi i zbardhur i Gjykatës së Lartë

“Kolegji, konstaton se Gjykata e Apelit ka arritur në konkluzionin se personi juridik PDSH që tërheq interesa të ligjshme në këtë gjykim, përfaqësohet nga Kryetari Lulzim Basha, i cili, ka lëshuar autorizim për deputetin Enkelejd Alibeaj. Nëse gjykata e apelit ka arritur në konkluzionin se personi juridik që tërheq interes të ligjshëm për këtë proces gjyqësor është PDSH dhe ai përfaqësohet nga Kryetari z. Lulzim Basha, atëherë kjo gjykatë, nuk duhet të ishte shprehur për kthimin e çështjes për rigjykim, por duhet të kishte mbajtur parasysh përcaktimet e neneve 33, 297/ç e 298 të KPC. Për Kolegjin, dhënia e një qëndrimi përfundimtar në lidhje me këtë çështje është e rëndësishme për të garantuar një proces të rregullt ligjor dhe për të pasur një proces gjyqësor të vlefshëm dhe efektiv.

Në rastin objekt shqyrtimi, gjykata është investuar me kërkesë nga Komisioni i Rithemelimit, i cili, në përputhje me përcaktimet ligjore të nenit 9, 13 dhe 14 të ligjit nr.8580/2000 “Për partitë politike” i ndryshuar, ka kërkuar regjistrimin vendimeve të marra nga Kuvendi Kombëtar i thirrur në mënyrë të jashtëzakonshme në datën 11.12.2021, në regjistrin përkatës të partive politike. Gjithashtu, në përputhje me përcaktimet e nenit 15 të ligjit nr.8580/2000 “Për partitë politike” i ndryshuar, ligjvënësi ka parashikuar në mënyrë të qartë se: “Vendimi i gjykatës për regjistrimin ose mosregjistrimin e partive politike në regjistrin e partive politike mund të ankimohet në gjykatën e apelit të Tiranës brenda 15 ditëve nga data e shpalljes së vendimit të gjykatës”. Pra, është i qartë fakti që vendimi që merr gjykata në raste të tilla, është një vendim ndaj të cilit lejohet e drejta e ankimit në një gjykatë më të lartë.

Për sa më sipër, në kushtet kur riti i gjykimit që ndjek gjykata e shkallës së parë në shqytimin e këtyre rasteve, është e natyrës gracioze, pra me kërkesë të palës së interesuar dhe pa palë kundërshtare (shiko vendimin e datës 22.12.2023 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë të kaluar për unifikim me nr.11249-00663-00-2023 Regjitri Themeltar; vendimin nr. 00-2021-556, datë 07.05.2021 të Kolegjit Administrativ të gjykatës së Lartë), Kolegji thekson se Gjykata e Apelit, përpara se të kalonte në fazën e shqyrtimit të çështjes dhe të merrte në shqyrtim vendimin e dhënë nga gjykata e rrethit gjyqësor, duhet ti kishte dhënë përgjigje faktit nëse, vendimi i marrë sipas një gjykimi gracioz, a mund të ankimohet në një shkallë më të lartë gjykimi, nga një palë, e cila nuk ka qenë e legjitimuar as nga pikëpamja formale dhe as nga pikëpamja procedurale si palë ndërgjyqëse në procesin gjyqësor të zhvilluar në shkallë të parë.

Në rastin konkret, rezulton i provuar fakti se, Komisioni i Rithemelimit është krijuar dhe miratuar nga mbledhja e Kuvendit të Partisë Demokratike të datës 11.12.2021, i thirrur sipas parashikimeve statutore nga ¼ e anëtarëve/delegatëve të Kuvendit Kombëtar. Në këtë kuvend, është pretenduar se një nga vendimet e marra prej tij është edhe vendimi për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të PDSH, z.Lulzim Basha, i cili, ka si funksion përfaqësimin e subjektit PDSH tek të tretët. Për këtë arsye, nisur nga natyra e ndryshimeve statutore të marra në këtë Kuvend Kombëtar, pala e interesuar i është drejtuar gjykates me kërkesë, që të bëjë pasqyrimin e këtyre ndryshimeve në regjistrin e partive politike. Megjithatë, pavarësisht se kërkesa është paraqitur nga Komisioni i Rithemelimit dhe gjykata është investuar në një gjykim gracioz, ankimi ndaj vendimit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë është ankimuar në shkallë të dytë gjykimi, nga Kryetari i PDSH z.Lulzim Basha, përfaqësuar me autorizim nga deputeti z. Enkelejd Alibeaj. 

Në arsyetimin e vendimit të saj, Gjykata e Apelit ka arritur në konkluzionin se z.Lulzim Basha vijon të jetë kryetar i PDSH, duke e kufizuar arsyetimin e saj ligjor në faktin se,  kërkesa për heqje dorë nga funksioni i Kryetarit të PDSH nga ana e z.Lulzim Basha nuk është formalizuar me shkrim, si dhe nuk është depozituar në regjistrin e partive politike. Megjithatë, kjo gjykatë nuk ka vlerësuar dhe nuk ka marrë në analizë të detajuar faktin nëse ndryshimet statutore të miratuara nga Kuvendi Kombëtar i datës 17.07.2021, në të cilin z.Lulzim Basha është rizgjedhur Kryetar i PDSH janë regjistruar në regjistrin e partive politike apo jo, si dhe nëse kanë prodhuar efekte juridike këto ndryshime. Gjithashtu, gjykata e apelit nuk ka vlerësuar dhe nuk ka konkluduar nga pikëpamja e faktit dhe e ligjit se, çfarë efekti ligjor dhe rëndësie nga pikëpamja juridike ka mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Kombëtar të PDSH, si dhe vendimet e marra në këtë Kuvend, ku disa prej këtyre vendimeve kanë të bëjnë me shkarkimin e organeve drejtuese të PDSH (një prej të cilëve Kryetari i PDSH z. Lulëzim Basha) dhe krijimin e organeve të reja drejtuese, sikurse është edhe Komisioni i Rithemelimit. 

Kolegji vlerëson se, në kushtet kur gjykata e apelit ka legjitimuar dhe ka pranuar të marrë në shqyrtim ankimin e paraqitur nga PDSH e përfaqësuar nga deputeti Enkelejd Alibeaj sipas autorizimit të lëshuar nga kryetari z.Lulëzim Basha, nuk ka pasur asnjë shkak të arsyeshëm ligjor që të kthente shqyrtimin e çështjes për rigjykim, duke i lënë detyrë gjykatës së shkallës së parë që të verifikojë dhe të konkludojë se kush e përfaqësëson ligjërisht subjektin politik PDSH. Me disponimin e kthimit të çështjes për rigjykim në shkallë të parë, si dhe me detyrat e lëna për zbatim, gjykata e apelit ka ndryshuar natyrën (ritin) e gjykimit të mosmarrëveshjes, pra nga një gjykim gracioz me palë kërkuese, në një gjykim kontencioz me palë kundërshtare. Në këtë rast, gjykata ka krijuar një çështje të re, e cila, nga pikëpamja procedurale ka devijuar tërësisht nga çështja që është shqyrtuar në shkallë të parë.

Në rast se Gjykata e Apelit ka arritur në konkluzionin se në themel të këtij gjykimi, qëndron përcaktimi se kush është juridikisht organi ligjor që përfaqëson tek të tretët subjektin juridik PDSH, kjo gjykatë, duhet të kishte vendosur pushimin e gjykimit, duke orientuar palët që të zhvillojnë një gjykim themeli mes tyre (gjykim kontencioz). Megjithatë, në asnjë rast gjykata nuk mund të vendoste prishjen e vendimit të shkallës së parë dhe kthimin e çështjes për rigjykim, pasi në mënyrën se si e ka analizuar çështjen kjo gjykatë nuk ka dhënë konsiderata në lidhje me çështje substanciale të ligjit procedural e që duhet të merren parasysh gjatë rigjykimit, të cilat lidhen me: (i) cili do të jetë rit i gjykimit që duhet të ndiqet në rigjykim (riti gracioz apo ai kontecioz); (ii) cili do të jëtë pozicioni procedural i PDSH së përfaqësuar nga Kryetari z.Lulzim Basha, përsa kohë ky subjekt ka paraqitur ankimin mbi bazën e të cilit gjykata e apelit ka vijuar zhvillimin e gjykimit në shkallë të dytë gjykimi (pra është legjitimuar si palë ndërgjyqëse në proces, por çfarë pozicioni do të ketë, person i interesuar, ndërhyrës kryesor me padi, ndërhyrës dytësor); si dhe (iii) cili do të jetë objekti i shqyrtimit në rigjykim, regjistrimi i vendimeve të dala nga Kuvendi Kombëtar i mbledhur në mënyrë të jashtëzakonshme në datën 11.12.2021, apo pavlefshmëria e vendimeve dhe ndryshimeve statutore të nxjerra nga ky Kuvend. 

Kolegji vlerëson të theksojë faktin se, padia apo kërkesa e paraqitur në gjykatë, është në diskrecionin e palës që ka investuar gjykatën dhe në asnjë rast, gjykata nuk mund të ndryshojë vullnetin e palës që e ka investuar atë. Gjykata, në respektim të parimeve ligjore për një proces të rregullt ligjor, mund të orientojë dhe tu sugjerojë palëve që të plotësojnë të metat e padisë ose të kërkesës dhe në rast se ato nuk reflektohen nga pala e interesuar (kur paraqitet kërkesa) ose pala paditëse (kur paraqitet padia), gjykata i jep zgjidhje çështjes në mënyrë përfundimtare brenda kufijve të saj të shqyrtimit, nëpërmjet pranimit, rrëzimit, pushimit, kthimit të padisë apo kërkesës, në varësi të mjetit procedural me te cilin është investuar dhe në përputhje me shkakun ligjor që e justifikon këtë lloj vendimmarrjeje. 

Vlen të theksohet fakti se, në gjykimin e iniciuar në shkallë të parë është pretenduar regjistrimi i akteve të nxjerra nga Kuvendi Kombëtar i PDSH në datën 11.12.2021, gjykim i cili është iniciuar me kërkesë të Komisonit të Rithemelimit. Ndërsa ankimi në gjykatën e apelit, është paraqitur nga deputeti Enkelejd Alibeaj, përfaqësues më autorizimin e lëshuar nga Kryetari i PDSH z.Lulzim Basha. Nga faktet e pranuara në gjykim, nuk rezulton që pala që ka ushtruar ankimin ndaj vendimit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë të ketë paraqitur para kësaj të fundit, ndonjë kërkesë me të cilin të ketë kërkuar që të ndërhyjë në këtë proces gjyqësor, ose të ketë paraqitur një padi themeli, me të cilin të pretendohej deklarimi i pavlefshëm i mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Kombëtar të datës 11.12.2021, si dhe të vendimeve të dala nga mbledhja e këtij kuvendi. 

Në rastin konkret, Kolegji e sheh të arsyeshme që të evidentojë faktin se, gjykata është investuar me kërkesë dhe vendimmarrja e saj është e natyrës së një vërtetimi fakti (gjykim gracioz sipas nenit 388 të KPC), i cili, nuk prodhon pasoja për subjektet e tretë që nuk janë palë në këtë gjykim, por ka pasojë vetëm pasqyrimin e ndryshimeve statutore apo vendimeve të marra nga forumet vendimarrëse të subjektit juridik (partia politike) tek regjistri përkatës i partive politike. Për këtë arsye, në fazën në të cilën ndodhet ky gjykim, si dhe mënyrës së ngritjes së mosmarrëveshjes objekt shqyrtimi (pra paraqitjes kërkesës dhe zhvillimit të një gjykimi gracioz), Kolegji vlerëson se, gjykata e apelit kishte detyrimin ligjor që ti jepte përgjigje çështjes, nëse, pala që ka paraqitur ankimin ka legjitimitet procedural por edhe substancial që të kundërshtojë një vendim gjyqësor të tipit vërtetim fakti juridik (pra me natyrë deklarative), i cili ka dalë nga një gjykim, në të cilin, nuk ka qenë palë pjesamarrëse në pozicionin e personit të tretë (ose palës së interesuar).

Referuar përcaktimeve të nenit 10, 13 dhe 14 të ligjit nr.8580/2000 “Për partitë politike” i ndryshuar, i vetmi mjet ligjor që ligji i njeh subjekteve juridike të organizuara në formën e partive politike për të pasqyruar ndryshimet statutore është paraqitja e një kërkesë për regjistrimin e këtyre akteve, gjykimi i të cilës, bëhet në dhomë këshillimi pa praninë e palëve dhe mbi bazë aktesh shkresore, sipas përcaktimeve të KPC. Në vijim të sa më sipër, në rast se ndonjë subjekt i tretë pretendon se cenohet nga regjistrimi i këtyre akteve për ndryshimet statutore, ka detyrimin që të paraqesë padi themeli, në mënyrë që gjykata të vlerësojë themelin e mosmarrëveshjes dhe të përcaktojë në mënyrë përfundimtare se kush është subjekti që mbart të drejtën dhe kush ka tagrat e përfaqësimit ligjor të personit juridik ndaj të tretëve, si dhe të fshijë regjistrimet e kryera me nënvizim.

Kolegji vlerëson se, në arritjen e konkluzionit se kush është organi kompetent që përfaqëson në këtë rast PDSH, gjykata e apelit nuk duhet ta kufizonte dhe ngushtonte shqyrtimin gjyqësor, duke vlerësuar faktin nëse dorëheqja e kryetarit të PDSH z. Lulzim Basha është kryer në formën shkresore dhe a ka gjetur pasqyrim në regjistrin e partive politike. Për të pasur një gjykim të drejtë dhe të gjithëanshëm të çështjes, si dhe për të kuptuar drejtë natyrën e  këtij gjykimi, Gjykata e Apelit duhet të merrte në shqyrtim dhe të analizonte nga pikëpamja e ligjit dhe e faktit se, çfarë vlere provueshmërie dhe juridike kanë: (i) aktet e miratuara në Kuvendin Kombëtar të PDSH në datën 11.12.2021 në lidhje me organet drejtuese të PDSH, për të cilat kërkohet regjistrimi në regjistrin e partive politike; (ii) aktet e prodhuara nga organet zgjedhore KQZ dhe KAS për aq sa ato mund të konsiderohen se ndikojnë në mosmarrëveshjen objekt shyqrtimi; si dhe (iii) vendimet e marra nga Kolegji Zgjedhor Gjyqësor, i cili është gjykatë dhe vendimet e dhëna prej tij janë vendime gjyqësore të formës së prerë. Vetëm pasi të merren në analizë të gjitha faktet dhe provat e nevojshme të administruara në dosje, gjykata do të kishte mundësi për të konkluduar definitivisht se kush është organi që përfaqëson juridikisht tek të tretët PDSH-në, i cili është subjekti juridik që tërheq të drejtat në këtë gjykim.

Në këtë mënyrë, pavarësisht nga sa është arsyetuar edhe më sipër në këtë vendim në lidhje me zbatimin e rregullave proceduralë të gjykimit, Kolegji vlerëson se Gjykata e Apelit, nuk do ti jepte zgjidhje vetëm faktit nëse ankimi që e ka investuar atë në shkallë të dytë gjykimi plotëson parakushtet formale të pranueshmërisë apo jo, por do ti jepte zgjidhje edhe vetë themelit të kërkimit, pra nëse kërkesa e paraqitur për regjistrimin e vendimeve të dala nga Kuvendi Kombëtar i PDSH, është paraqitur nga organi që ka cilësinë për të vepruar dhe për të përfaqësuar PDSH me të tretët (pra, pala kërkuese gëzon ose jo legjitimitet procedural për paraqitjen e kërkesës).

Kolegji, vlerëson që pavarësisht faktit se sa ka arsyetuar më sipër në këtë vendim janë argumente të mjaftueshme ligjore për të justifikuar prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe kthimin e çështjes për rigjykim, për efekt të rëndësisë jurisprudenciale, e vlerëson të arsyeshme që të ndalet dhe të analizojë se edhe shkaqet e tjera që Gjykata e Apelit ka cituar në vendimmarrjen e saj, kur ka vlerësuar cenimin e vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe kthimin e kësaj çështje për rigjykim, me një tjetër trupë gjykuese.

Kështu, rezulton i provuar fakti se një nga shkaqet për cënimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë, të cilin Gjykata e Apelit e ka vlerësuar kryesisht, është se “... vendimi i dhënë nga Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është i paarsyetuar dhe se gjyqtari Agron Zhukri provohet që ka qenë në parakushtet e papajtueshmërisë për të dhënë vendimin objekt shqyrtimi, referuar nenit 72 të KPC...”.

Në lidhje me këtë çështje, Kolegji vlerëson të theksojë faktin se, ligjvënësi nuk ka parashikuar në mënyrë të shprehur se, vendimi i dhënë nga Kryetari i Gjykatës për të vlerësuar kërkesën për heqje dorë të gjyqtarit është një vendim i ankimueshëm. Kjo për faktin se, ligjvënësi nëpërmjet institutit të heqjes dorë, i ka dhënë mundësi vetë gjyqtarit që me ndërgjegje të vlerësojë heqjen dorë nga shqyrtimi i çështjes, duke ja ngarkuar vlerësimin e saj Kryetarit të Gjykatës. Në këtë kuptim, instituti i heqjes dorë dhe trajtimi i saj nga kryetari i gjykatës, është veprim procedural pasi parashikohet në ligjin procedural, i cili ka synuar që vetë  gjykata (gjyqtari ose Kryetari i Gjykatës) të vetëzbatojnë përcaktimet e KPC në lidhje me papajtueshëmrinë e gjyqtarit, pa përfshirë rolin aktiv të palëve ndërgjyqëse, të cilët tërheqin të drejta dhe detyrime nga procesi gjyqësor. Instituti i heqjes dorë, jep garanci të shtuara se është edhe vëtë gjykata ajo që ka detyrimin ligjor për të garantuar zhvillimin e një gjykimi të drejtë, të paanshëm, të ndershëm dhe të besueshëm nga palët. Kjo vjen në frymë edhe të përcaktimeve të nenit 72 të KPC, ku palët ndërgjyqëse që tërheqin të drejta dhe detyrimin për procesin gjyqësor mund të mos kenë dijeni në lidhje me çështje të karakterit tërësisht personal të gjyqtarit si, lidhjen gjinore e farefisnore; punësimin e të afërmve të tij, kontratat e nënshkruara më të tretët, marrëdhëniet e afërta shoqërore dhe interesat ligjore dhe ekonomike të tij me të tretët.

Gjithashtu, Kolegji thekson se, nëse vendimi i marrë nga Kryetari i Gjykatës sipas nenit 73 të KPC, do të ishte i ankimueshëm, ligjvënësi për ta bërë sa më efektiv këtë mjet ankimi, do të duhej të përcaktonte edhe këto çështje: (i) kush është subjekti që mund ta ankimonte këtë vendim (logjikisht dhe proceduralisht mund të ankimohej vetëm nga gjyqtari që ka paraqitur kërkesën, pasi pala e interesuar në këtë rast, mbron interesat e saj ligjore nëpërmjet institutit të përjashtimit); (ii) afatet brenda të cilit do të ushtrohej; si dhe (iii) organin që e merr në shqyrtim këtë ankim. Në kushtet kur ligjvënësi nuk ka dhënë asnjë parashikim të tillë, ky vendim nuk është i ankimueshëm dhe si i tillë, nuk mund të ankimohet as nga palët e përfshira në gjykim nëse nuk e kanë ushtruar të drejtën e tyre nëpërmjet institutit të përjashtimit të gjyqtarit, si dhe as të ngrihet kryesisht nga gjykata.

Në arritjen e këtij konkluzioni, Kolegji mban në vëmendje faktin se, një procedurë e tillë, nuk ka si qëllim krijimin e një mosmarrëveshje të re mes gjyqtarit të çështjes dhe kryetarit të gjykatës, duke u shmanguar fokusi dhe interesi i ligjshëm nga mosmarrëveshja e themelit dhe garantimi i shqyrtimit të saj përmes një procesi të rregullt ligjor.

Ligjvënësi ka bërë një diferencim të qartë midis institutit të heqjes dorë nga shqyrtimi i një çështje gjyqësore, me institutin e përjashtimit të gjyqtarit. Nga mënyra e formulimit dhe përcaktimeve ligjore që rregullojnë këto dy institute, vlerësohet se, instituti i heqjes dorë nga gjykimi, lidhet ngushtësisht me vullnetin personal të gjyqtarit, në ndryshim nga instituti i përjashtimit të gjyqtarit, i cili, lidhet me pretendimin dhe vullnetin e palëve ndërgjyqëse në proces. Megjithatë, në themel të të dy këtyre instituteve, qëndron vlerësimi dhe vërtetimi i faktit nëse plotësohen ose jo kushtet e papajtueshmërisë të përcaktuar në nenin 72 të KPC. Ligjvënësi në mënyrën e përcaktimit të kontrollit dhe verifikimit të papajtueshëmrisë së gjyqtarit, si në rastin e institutit të dorëheqjes, ku shqyrtimi i kërkesës për heqje dorë të gjyqtarit bëhet nga Kryetari i Gjykatës, ashtu edhe në rastin e aplikimit të institutitut të përjashtimit të gjyqtarit, ku kërkesa për përjashtim shqyrtohet nga një gjyqtar tjetër i gjykatës, ka pasur si qëllim që të japi garanci të mjaftueshme se asnjë gjyqtar nuk mund të shmaget nga ushtrimi i detyrës së tij kushtetuese pa një shkak të justifikuar, apo për shkak se palët ndërgjyqëse mund të krijojnë situata apo pretendime të tilla, të cilat, kanë si synim që të shmangin një gjyqtar nga shqyrtimi i çështjes jo për shkak të ekzistencës së kushteve ligjore të përcaktuara në ligjin procedural, por për shkak të vullnetit dhe preferencës së tyre.  

Trajtimi i kërkesës nëpërmjet institutit të heqjes dorë, nuk konkuron dhe nuk kushtëzon të drejtën e palëve për të paraqitur kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit sipas përcaktimeve të nenit 74 të KPC.

Megjithatë, në ndryshim nga vendimi që merr Kryetari i Gjykatës sipas nenit 73 të KPC (pra vendimi per pranimin ose refuzimin e kërkesës së gjyqtarit për heqje dorë nga gjykimi) i cili është një vendim i paankimueshëm, ndaj vendimit të gjykatës që shqyrton kërkesën e përjashtimit, lejohet e drejta e ankimit së bashku me vendimin përfundimtar (neni 75 i KPC).

Gjithashtu, vlen të theksohet fakti se, në rastin kur Kryetari i Gjykatës vlerëson rrëzimin e kërkesës së gjyqtarit për heqje dorë nga gjykimi në përputhje me përcaktimet e nenit 72 dhe 73 të KPC, palët ndërgjyqëse nuk kufizohen për të kërkuar përjashtimin e gjyqtarit të çështjes, sipas përcaktimeve të nenit 74 të KPC (shiko qëndrimin e mbajtur në vendimin me nr. 11243-03538-00-2013Regjistri Themeltar), datë 26.05.2016 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë me palë kërkuese Ibrahim Toshkëzi).

Për sa më sipër, Kolegji arrin në konkluzionin se, vendimi i dhënë nga Kryetari i gjykatës sipas nenit 73 të KPC, është një vendim “sui generis”, i cili, nuk është i ankimueshëm, por nuk ka as cilësinë e një vendimi gjyqësor përfundimtar dhe të formës së prerë sipas nenit 451 dhe 451/a të KPC. Bazuar sa më sipër, në rast se Kryetari i Gjykatës vendos rrëzimin e kërkesës së gjyqtarit për të hequr dorë nga gjykimi, palët e interesura, nuk kanë ndalesë ligjore që brenda të njëjtit proces gjyqësor, të paraqesin kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit. Në këtë rast, ndaj vendimit të pranimit ose i refuzimit të kërkesës për përjashtim gjyqtarit lejohet ankim sëbashku me vendimin përfundimtar sipas nenit 75, paragrafi i parë i KPC. Në rast se palët ndërgjyqëse nuk ushtrojnë të drejtën e ankimit së bashku me vendimin përfundimtar ndaj vendimit të përjashtimit ose mospërjashtimit të gjyqtarit sipas nenit 75 të KPC, ky vendim kthehet në vendim përfundimtar dhe  në lidhje me këtë çështje, gjykata rishikuese nuk ka më lëndë gjykimi.

Duke iu rikthyer rastit konkret, si dhe në përmbajtje të akteve shkresore të administruara në dosje, rezulton se gjyqtari Agron Zhukri ka dhënë dorëheqjen nga shqyrtimi i çështjes objekt shqyrtimi, për të cilin, Zëvendëskryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin e datës 20.12.2021 ka vendosur: “Mospranimin e kërkesës për heqje dorë të gjyqtarit Agron Zhukri” (shiko faqen 57 të dosjes gjyqësore në shkallë të parë).

Gjithashtu, rezulton i provuar fakti se, PDSH përfaqësuar nga Kryetari Lulzim Basha, edhe pse nuk ka qenë i legjitimuar formalisht dhe proceduralisht si palë në gjykim, ka paraqitur kërkesën e datës 21.12.2021 dhe të datës 24.12.2021, për përjashtimin nga gjykimi të mosmarrëveshjes objekt shqyrtimi të gjyqtarit Agron Zhukri (shiko faqen 64-68 të dosjes gjyqësore në shkallë të parë si dhe faqen 1 të dosjes gjyqësore që ka lidhje me shqyrtimin e kërkesës për përjashtim gjyqtari). Këto kërkesa janë trajtuar me vendimin e datës 04.02.2022 të  Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke u vendosur mospranimi i kërkesës, vendim i cili, nuk rezulton të jetë ankimuar me vendimin përfundimtar, që në këtë rast ka qenë vendimi nr. 3, datë 25.03.2022 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, nga ana e PDSH përfaqësuar nga kryetari z.Lulzim Basha. Në këtë kuptim, vendimi i datës 04.02.2022 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është vendim i formës së prerë sipas nenit 451/b të KPC, për palën që e ka pretenduar.

Nga aktet e administruara në dosje, ka rezultuar gjithashtu i provuar fakti se, pala kërkuese në këtë gjykim, Komisioni i Rithemelimit, ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Blerina Muça nga shqyrtimi i kushteve formale të pranueshmërisë së ankimit së paraqitur nga PDSH e përfaqësuar nga deputeti Enkelejd Alibeaj me autorizim të lëshuar nga z.Lulzim Basha, pretendim, i cili është rrëzuar me vendimin nr.542, datë 19.04.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ky vendim nuk rezulton të jetë ankimuar nga pala kërkuese së bashku me vendimin e ndërmjetëm nr. 508 Regj. Them., datë 22.04.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me të cilin është pranuar ankimi i paraqitur ndaj vendimit përfundimtar me nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe në këto kushte kjo çështje nuk mund të shqyrtohej nga Gjykata e Apelit.

Gjykata e Apelit ka marrë kryesisht çështjen e papajtueshmërisë së gjyqtarit Agron Zhukri, pasi ky pretendim nuk rezulton që të jetë pretenduar nga pala që ka ushtruar ankimin.

Nga ana tjetër, kjo gjykatë nuk rezulton që të ketë marrë në shqyrtim dhe ti ketë dhënë përgjigje palës kërkuese në këtë gjykim dhe as të ketë vlerësuar kryesisht nëse gjyqtarja Blerina Muçi, e cila ka dhënë vendimin nr. 508, datë 22.04.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me të cilin, i është hapur rruga për shqyrtimin e çështjes në shkallë të dytë, ka qenë në kushtet e papajtueshmërisë së përcaktuar nga neni 72 i KPC. Kolegji vlerëson të theksojë faktin se, në të dy rastet, themeli i pretendimeve të palëve për të përjashtuar gjyqtarët Muçi dhe Zhukri ka qenë raporti i tyre me shtetasin Sali Berisha, i cili, është njëkohësisht edhe anëtar i Komisionit të Rithemelimit.

Në lidhje me këtë çështje, Kolegji pavarsisht se vlerëson që pretendimet e ngritura nga palët e interesuara për të përjashtuar të dy gjyqtarët nuk janë të asaj shkalle që kërkon neni 72, pika 3 dhe 6 të KPC, pasi në rastin konkret, procesi gjyqësor nuk tërheq në mënyrë të  drejtpërdrejtë interesat e shtetasit Sali Berisha (si individ), por ka si palë personin juridik të së drejtës,  konkretisht PDSH, i cili është pretenduar se përfaqësohet nga organi kolegjial, Komisioni i Rithemelimit, çmon nga njëra anë se gjykata e apelit as mund të mërrte kryesisht në shqyrtim pajtueshmërinë e gjyqtarit Zhukri, aq më tepër referuar vendimit të zv.Kryetarit të gjykatës për mospranimin e dorëheqjes së tij, dhe nga ana tjetër, do të duhej të përgjigjej lidhur me pajtueshmërinë e gjyqtares Muçi, sa kohë këtë e kishte një nga shkaqet e ankimit.

Kolegji vlerëson se edhe shkaku tjetër i përdorur nga gjykata e apelit për të prishur vendimin e dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe për ta kthyer çështjen sërisht për rigjykim pranë kësaj gjykate, nuk qëndron.

Gjykata e Apelit ka interpretuar, edhe në këtë rast kryesisht,  se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vepruar gabim dhe në kundërshtim me nenin 297/a të KPC, dhe 298 lidhur me pezullimin e gjykimit dhe rifillimin e tij pa rënë ky shkak pezullimi. Në fakt rezulton se shkaku ligjor që ka vlerësuar Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë për pezullimin e gjykimit nuk ka qenë  sipas pikës “a” të nenit 297 të KPC, por sipas pikës “d” të këtij neni. Pra, gjykata e apelit ka ndryshuar shkakun ligjor mbi të cilin gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar pezullimin e gjykimit, fakt që ka bërë të vlerësoj më pas në mënyrë të gabuar edhe rrethanat në të cilat gjykimi ka rifilluar.

Kështu, rezulton se Gjykata e Shkallës së parë ka pezulluar shqyrtimin e çështjes me arsyetimin se nuk mund të shqyrtojë kërkesën për regjistrimin e akteve pa ju vënë më parë në dispozicion aktet e nevojshme nga zyra e regjistrimit të partive politike, akte të cilat ndodheshin për shqyrtim tek një gjyqtare tjetër e gjykatës. Ndërsa, gjykata e apelit ka vlerësuar se në rastin konkret, të dyja çështjet e paraqitura para gjykatës së rrethit gjyqësor kanë lidhje të ngushtë mes tyre dhe pa përfunduar zgjidhja e çështjes së parë me vendim përfundimtar, nuk mund të vijonte çështja e dytë.

Në nenin 467 të KPC, është përcaktuar qartësisht se: “Gjykata e apelit prish vendimin e gjykatës së shkallës së parë, tërësisht ose pjesërisht, sipas kufijve të nenit 121, të këtij Kodi, dhe e dërgon çështjen për rigjykim kur: a) gjykata e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën; b) përbërja e trupit gjykues nuk ka qenë e rregullt ose vendimi nuk është nënshkruar nga anëtarët e tij, ose është cenuar parimi i paanësisë; c) gjykata e shkallës së parë ka vendosur pushimin e çështjes në kundërshtim me rregullat e përcaktuara nga ky Kod; ç) çështja është gjykuar në mungesë të pjesëmarrësve në proces, pa pasur dijeni për gjykimin; d) nuk është formuar drejt bashkëndërgjyqësia, sipas nenit 162, paragrafi i dytë, i këtij Kodi; dh) kur mungojnë ose janë të pavlefshme padia, procesverbali gjyqësor, ankimi, si dhe çdo dokument tjetër që ka ndikuar në dhënien e vendimit; e) gjykata e shkallës së parë nuk e ka kryer shqyrtimin gjyqësor të të gjitha kërkimeve lidhur me objektin e mosmarrëveshjeve”.

Në analizë të përmbajtjes së nenit të sipërcituar, Kolegji vlerëson se, edhe aplikimi i gabuar apo mosrespektimi i përcaktimeve të nenit 297 të KPC, që kanë të bëjnë me pezullimin e gjykimit, nuk përfshihet në ato shkelje të rënda procedurale, të cilat ta bëjnë nul gjykimin e zhvilluar në gjykatën e shkallës së parë, pasi të gjitha faktet e vlerësuara të nevojshme si shkak pezullimi gjykata e apelit mund ti realizojë vetë nëpërmjet riçeljes së hetimit gjyqësor.

Gjithashtu, gjykata nuk ka dhënë asnjë argument dhe asnjë vlerësim ligjor dhe faktik se, cila është lidhja e ngushtë e cila kushtëzon zgjidhjen e çështjes objekt shqyrtimi, pa u zgjidhur më parë me vendim të formës së prerë, çështja civile që ka për objekt “Regjistrimin e vendimeve të marra në Kuvendin Kombetar të datës 17.07.2021”. Kjo për faktin se, vendimet që kërkohen të regjistrohen në mosmarrëveshjen objekt shqyrtimi, janë më të vonëshme në kohë, pasi kanë dalë nga Kuvendi Kombëtar i PDSH, i mbledhur në mënyrë të jashtëzakonshme në datën 11.12.2021. Për këtë arsye, ky shkak nuk mund të përdoret për të prishur vendimin e dhënë nga gjykata e shkallës së parë dhe për ta kthyer çështjen sërisht për rigjykim pranë kësaj gjykate me një tjetër trup gjykues, pa u bërë më parë një vlerësim i fakteve dhe rrethanave të secilës prej çështjeve, si dhe lidhjes së ngushtë që ekziston mes tyre.

Për gjithë sa është pasqyruar më sipër në këtë vendim, Kolegji vlerëson se, rekursi i paraqitur nga pala kërkuese në këtë gjykim PDSH përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit përmban shkaqe ligjore nga ato që parashikon neni 472 i KPC dhe për këtë arsye, vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit duhet të prishet dhe çështja duhet të kthehet për rishqyrtim pranë kësaj gjykate më një tjetër trup gjykues, sipas përcaktimeve të nenit 485, shkronja c të KPC.

Vendimi i dhënë nga gjykata e apelit është një vendim jopërfundimtar, pasi nuk i ka dhënë zgjidhje në themel mosmarrëveshjes objekt shqyrtimi, fakt i cili, e vë Gjykatën e Lartë si një gjykatë ligji, në pamundësi për ta zgjidhur këtë çështje në themel të saj, pasi nuk është garantuar zgjidhja e mosmarrëveshjes në mënyrë përfundimtare në shkallën e dytë të gjykimit. Gjithashtu, në kushtet kur për identifikimin dhe shqyrtimin e drejtë të kësaj çështje, kërkohet që të shtrihet shqyrtimi gjyqësor si dhe të kryhet vlerësimi i fakteve, rrethanave dhe provave të administruara në dosje, çështje të cilat janë jashtë juridiksionit rishikues të Gjykatës së Lartë. Për këtë arsye, Kolegji, brenda kufijve të tij të gjykimit, e ka kufizuar shqyrtimin gjyqësor të kësaj cështje në drejtim të identifikimit e gabimeve që ka lejuar Gjykata e Apelit në drejtim të gjykimit, hetimit të paplotë dhe interpretimit të gabuar të normave procedurale që ka lejuar Gjykata e Apelit, duke mos i dhënë zgjidhje përfundimtare mosmarrëveshjes objekt shqyrtimi, sipas përcaktimeve të nenit 485, shkronja “a” “b” dhe “ç” të KPC.

Kolegji, vlerëson të bëjë evident faktin se, gjatë fazës së rigjykimit, Gjykata e Apelit, duhet të mbajë në konsideratë orientimet e dhëna në këtë vendim, duke ruajtur kufijtë e shqyrtimit gjyqësor në këtë gjykatë, të cilat varen nga kufijtë dhe shkaqet e ankimit që kanë investuar gjykatën e apelit. Kjo gjykatë, duhet tu bëjë të qartë palëve se është detyrë e secilës prej tyre, që në përputhje me ligjin të provojnë faktet mbi të cilat bazojnë pretendimet për të drejtat që kërkojnë. Palët ashtu siç kanë të drejta kanë dhe detyrime që rrjedhin prej këtij procesi, në format dhe afatet e parashikuara me ligj. Gjykata duhet të lejojë palët që të paraqesin prova shkresore me anën e të cilave, ato të provojnë pretendimet e tyre bazuar në nenin 12 dhe 19 të KPC dhe t’i lejojë palët që t’ia nënshtrojnë këto prova hetimit e debatit gjyqësor.

Gjithashtu, Gjykata e Apelit duhet të mbajë në vëmendje dhe të zgjidhë çështjen në përputhje me përcaktimet e bëra në nenin 5, 6, 95, 120 të KPC dhe brenda kufijve ligjore që përcaktohen në nenin 467 të KPC, si dhe ti japë zgjidhje përfundimtare asaj në përputhje edhe me praktikën gjyqësore të konsoliduar në shqyrtimin e kësaj natyre mosmarrëveshjeje. Kryerja e veprimeve të përmendura më sipër, si dhe e të tjerave që eventualisht mund të lindin gjatë rigjykimit, do të lejojnë gjykatën të arrijë në përfundime të drejta dhe objektive lidhur me zgjidhjen e çështjes.

Për sa më sipër, Gjykata e Lartë, si gjykatë ligji, nuk i hyn analizës së provave, gjë që duhet ta bëjnë gjykatat e niveleve me të ulëta, por ajo vetëm evidenton shkeljet ligjore që kanë lejuar gjykatat e ulëta, qoftë të normave procedurale apo atyre materiale, duke kërkuar respektimin e tyre. Në rrethanat kur gjykata e apelit i ka të gjitha mundësitë ligjore të marrë në shqyrtim dhe të zgjidhë mosmarrëveshjen objekt gjykimi, Kolegji, vlerëson të prishë vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe të dërgojë çështjen për rishqyrtim pranë kësaj gjykate, me një tjetër trup gjykues.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...