Incidenti me Ambrozia Metën/ Pyetjet që nxorrën nga kontrolli Edi Ramën

E mërkurë, 20 Mars 2024 10:24
Tensioni verbal që krijohet sa herë Edi Rama përballet me gazetaren Ambrozia Meta u përshkallëzua në një prekje të padëshiruar fizike këtë të martë, gjatë një prononcimi në oborrin e Partisë Socialiste, ku kryeministri, dashur pa dashur, tejkaloi kufijtë e etikës në marrëdhënien me gazetarët. Incidenti u shoqërua me reagime të shumta nga shoqatat e gazetarëve, që e konsideruan veprimin e kryeministrit një përpjekje për intimidim.

Duhet thënë se në momentin e incidentit, gazetarja e Syri Tv e shfaqi menjëherë pakënaqësinë për dorën e zgjatur të kryeministrit drejt fytyrës së saj. Ajo shihet që tërhiqet instiktivisht me fjalët “Jo, ju lutem mos më prekni më!”.

Pas ngjarjes, Ambrozia Meta i tha BIRN-it se “fatkeqesisht arrogancën e zakonshme ndaj gazetarëve, kryeminsitri Rama, tani po e demonstron edhe me prekje fizike”. Duke komentuar atë që ndodhi, ajo shtoi se i vinte keq që “shefi i qeverise nuk arrin të kontrolloje dot veten, kur pyetet për çështje të interesit publik”.

Në anën tjetër, Rama refuzoi të kërkojë falje. Ai e quajti prekjen fizike ndaj gazetares një “përshëndetje miqësore” që ka ndodhur para kolegëve të saj dhe në transmetimin direkt të kamerave, rrethana që afërmendsh e përjashtojnë sulmin fizik.

“Jo vetëm që kishte asgjë pranë një agresioni, por të gjitha pyetjeve iu përgjigja me durim (pavarësisht disa ndërprerjeve jotetike ) në një bisedë të zakonshme me shtypin dhe u largova pas një lamtumire miqësore?!” shkruajti Rama në X, duke refuzuar të kërkojë falje për gjestin.

Pavarësisht interpretimit që i bën kryeministri, veprimi i tij ishte dukshëm shprehje e nervozizmit për pyetjet, që nuk i kishte nën kontroll. Madje edhe në ato pak radhë që hodhi në X për t’iu përgjigjur shqetësimit të shoqatave të gazetarëve, është e lehtë të dallohet acarimi i tij me gazetarët.

Rama e konfirmon këtë kur e akuzon gazetaren se ka thënë një “gënjeshtër krejtësisht të neveritshme” dhe kur përmend “ndërprerjet joetike” dhe“jashtë çdo standarti” që i bëhen gjatë kohës që ai flet. Në filmimin më poshtë, ku është prononcimi i plotë i Ramës, në disa raste ai ndalet dhe replikon me gazetaren, të cilës i kujton edukatën dhe përpiqet ta intimidojë duke i thënë se ajo është thjesht përcjellëse e pyetjeve, që sipas tij janë formuluar diku tjetër.

Por për këdo që e ka parë me kujdes prononcimin e plotë të Ramës sot, bie në sy një detaj tjetër shumë i rëndësishëm që e nxorri Ramën nga kontrolli.

është e vërtetë se që në nisje të prononcimit, gazetarja Ambrozia Meta ia “vjedh skenën” kolegëve të saj duke i bërë kryeministrit një seri pyetjesh që e vënë në vështirësi. Si për mungesën e një studimi që do të tregonte se sa përfitojnë shqiptarët nga projekti i Kushner në Sazan; apo për versionin e faljes së truallit dhe taksave njësoj siç ndodhi në Durrës; apo për shqetësimin që Rama po e shfrytëzon projektin e Sazanit për të qenë pranë familjes Trump në funksion të karrierës së tij.

Por pasi Ambrozia Meta i mori thuajse 10 minuta pyetje-përgjigje, Rama vendosi t’i japë fund komunikimit me të. Veshi i kap pyetjen e një prej gazetareve në krahun e tij të majtë. Shikoni në videon më poshtë se si i kthen kurrizin Ambrozia Metës në mënyrë demostrative, me shpresën se do t’i japë fund pyetjeve që sugjerojnë për një pazar të fshehtë në Sazan në kurriz të shqiptarëve. 

Por për habinë e tij, gazetarja Raziela Myslimaj vazhdon të njëjtën linjë mendimi. “Kur ka lindur ideja e këtij projekti Z.Kryeministër, gjatë vizitës së Ivanka  Trump vitin e kaluar?” i thotë ajo. “Urdhëroni?!” habitet kryeministri.

Pyetja e saj sugjeron që projekti është një marrëveshje e negociuar në fshehtësi, gjatë vizitave private të Kushner në Tiranë, në shpërfillje të  procedurave shtetërore. Rama e shmang dhe pret pyetjen e radhës.

Kulmin e tensionit ia jep gazetari Andon Kello, i cili i përmend faktet që zbuloi shkrimi i Neë York Times. “është përfolur për përfshirjen e Shefqet Kastratit në këtë projekt. A keni biseduar me Richard Grenell për Sazanin?” e pyet Kello. 

Kryeministri bën një hap pas. Ishte kthyer në këtë anë të gazetarëve për të shmangur Ambrozian, por gjeti ngacmime edhe më të hidhura. Bën një hap dhe tenton të relativizojë faktet. Kello i kujton “E thotë Neë York Times…”.

Rama lëshon disa klishe, të tipit se do të bëjë detyrën si “përfaqësues i denjë i popullit shqiptar që nuk negocion interesa personale, njësoj siç ka bërë në portin e Durrësit”. Këtu Ambrozia Meta i rikujton edhe një herë se në Durrës nuk ka ndonjë “investim”, por se thjesht po shiten apartamente në gropë.

 
Është ky momenti kur Rama zgjat dorën drejt fytyrës së gazetares. Më shumë se një “lamtumirë miqësore” siç e quan ai, veprimi ishte një përpjekje instiktive për t’i mbyllur gojën. Jo vetëm sepse me përgjigjet e tij, Rama nuk bind askënd se po përfaqëson interesat e taksapaguesve në projektin e Sazanit.

Përkundrazi, pyetjet janë ezauruese dhe nuk janë vetëm të Ambrozias, gazetaren me të cilën Rama është përplasur rregullisht. Njësoj si ajo edhe të tjerët kanë të njëjtat dyshime; se Sazani do të falet për llogaritë e Edi Ramës dhe të përfitimeve në karrierën e tij politike./Lapsi.al

Login to post comments

Lajmet e fundit

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...