Berisha: Gjaku i martirëve të 2 Prillit, frymëzim për betejën e fuqishme për t’u rikthyer shqiptarëve votën e lirë

Tuesday, 02 Prill 2024 22:49

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka kujtuar përvjetorin e maritrëve të masakrës së 2 prillit në Shkodër, ku regjimi vrau katër protestues të cilët kundërshtonin rezultatin e zgjedhjeve të para pluraliste të manipuluara të 31 marsit 1991.

‘Gjaku i martirëve të 2 Prillit duhet të na frymëzojë në një betejë të fuqishme për t’u rikthyer shqiptarëve votën e lirë’, theksoi Berisha në fjalën e tij gjatë protestës maratonë që zhvillohet në ‘Rrugën e Shpresës’. 

 

Berisha: Mirëmbrëma qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të shpresës, dinjitetit dhe lirisë së shqiptarëve.

Një përshëndetje të përzemërt për ju, përshëndetje të përzemërt oratorëve fjalëartë, që nga kjo tribunë e parlamentit të lirisë përcjellin anekënd vendit shpresë, besim, guxim.

Të dashur miq, 2 Prilli është i gdhendur në memorien e demokracisë si një ditë e zezë, një ditë e përgjakshme.

Me 2 Prill të vitit 1991, të rinjtë e Shkodrës, qytetarët e Shkodrës dolën në protestë paqësore kundër vjedhjes dhe rrëmbimit të votës së tyre të lirë nga diktatura e fundit komuniste në Europë.

Në një akt hakmarrje primitive ndaj Shkodrës antikomuniste, falangat e krimit të diktaturës derdhën mbi të rinjtë dhe qytetarët e Shkodrës breshëri automatikësh dhe mitrolozësh.

Në këto sulme mizore, në këtë masakër të vërtetë ranë për votën e lirë për t’u bërë të pavdekshëm Arben Broci, ish-anëtar i kryesisë së PD, student themelues i kësaj partie.

Ranë bashkëluftarët e tij Bujar Bishanaku, Nazmir Kryeziu, Besnik Ceka dhe u plagosën 87 qytetarë të tjerë.

Të dashur miq, duke shprehur nderimin tonë më të madh për sakrificën e tyre që u bë dritë për shqiptarët, sakrificë që çeli dyert e votës së lirë në Shqipëri, sakrificë që jehoi në të katër anët e planetit, theksoj dhe shtoj këtu se këtë vit ne jemi më të detyruar se kurrë ndaj martirëve të 2 Prillit.

Sepse sot njëlloj si në 1991-shin, ne jemi qytetarët e votës së vjedhur dhe kontrolluar nga pushteti.

Sepse sot njëlloj me 1991-shin, ne jemi qytetarë që po braktisim pasivisht vendin.

Njëlloj si në 1991-shin, regjimi bën gjithçka për të asgjësuar opozitën.

Ndaj dhe për ne, sakrifica dhe gjaku i martirëve të 2 Prillit duhet të na frymëzojë në një betejë të fuqishme për të rikthyer shqiptarëve votën e lirë.

Ata ranë që Shkodra dhe Shqipëria të votojnë në liri.

Ata nuk duruan, nuk ulën kokën po dolën ballë për ballë regjimit të egër.

Ndaj dhe ne, o sot o kurrë, duhet të dalim ballë për ballë këtij regjimi dhe ta përmbysim atë.

Të shkojmë në qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.

Login to post comments