Në dosjen hetimore “5D”, Prokuroria e Posaçme ka identifikuar të paktën 11 procedura tenderuese abuzive, të shpërndara: 6 nga Ujësjellësi i Tiranës, një nga “Tirana Parking”, një nga “Klubi Sportiv Tirana” dhe 3 nga Bashkia e Tiranës.
Referuar të dhënave zyrtare, rezulton se Bashkia e Tiranës ka “dhuruar” tenderat më të shtrenjtë kompanisë me pronarë faktikë Mariglen Qato dhe Redi Molla, të dy drejtorë të rëndësishëm në varësinë e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Fondi total i tre tenderave që ka fituar “5D” shpk (ish V.A.S Construction” nga Bashkia e Veliajt arrin në vlerën 860.8 milionë lekë të reja ose rreth 8.5 milionë euro.
Rruga e Mulletit
Në qershor të vitit 2019, Bashkia e Tiranës shpall tenderin me objekt “Ndërtimi i segmentit rrugor nga rreth-rrotullimi Mullet deri tek ura e fshatit Qeha”. Fondi limit për këtë procedurë ishte përcaktuar në shumën 208.243.180 lekë të reja.
Në procedurë marrin pjesë 12 konkurentë, mes të cilëve edhe bashkimi i operatorëve “V.A.S Construction” dhe “Sterkaj”.
Në përfundim, ky bashkim operatorësh u shpall fitues, në shkelje të ligjit, siç konstaton Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme në vendimin për masën e sigurisë ndaj Mariglen Qatos, Redi Mollës dhe të tjerë zyrtarëve të Bashkisë Tiranë e institucionet e varësisë.
Për këtë procedurë, Gjykata e Posaçme konstaton se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO), i përbërë nga Taulant Tusha, Drejtor i Punëve Publike në Bashki; Enton Punavija, Drejtor i Transportit në Bashki; dhe Albano Janku, zyrtar në Bashkinë e Tiranës, kanë favorizuar kompaninë “V.A.S Construction” (5D), megjithëse nuk plotësonte kriteret e përcaktuara në tender.
Sipas Gjykatës, tre anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave mbajnë përgjegjësi ligjore për shkeljet e ligjit të Prokurimev, duke u dyshuar si autorë të veprës penale “Shkeljes së barazisë në tendera.
Biçikletat e Liqenit të Thatë
Në 4 Tetor 2021, titullari i Autoritetit Kontraktor (Erion Veliaj, i cili nuk përmendet me emër në vendimin e Gjykatës së Posaçme) urdhëron nisjen e procedurës tenderuese me objekt “Ndërtimi pedonale dhe korsi biçikletash, Liqeni i Thatë”.
Fondi limit për këtë procedurë ishte 69.600.572 lekë të reja dhe në tender marrin pjesë 22 operatorë ekonomikë.
Në dhjetor të vitit 2021, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO) në Bashkinë e Tiranë, i përbërë nga Taulant Tusha, Enton Punavija dhe Julian Zanaj, shpallin fitues kompaninë “5D” shpk.
Edhe në të rast, hetimi i SPAK-ut ka identifikuar problematika të ndryshme në dokumentat e kompanisë “5D”, të cilat janë toleruar nga KVO-ja.
Në vendimin e Gjykatës thuhet se “5D” (ish V.A.S Construction”) ka pasur mungesa në makineritë e nevojshme, si edhe në stafin e specializuar.
Për të njëjtat arsye, nga ky tender janë skualifikuar disa prej operatorëve garues. Ndërkohë që, për kompaninë “5D”, zyrtarët e tenderit kanë mbyllur sytë, duke e kualifikuar dhe madje duke e shpallur edhe fitues.
Për këtë procedurë, SPAK-u ka cituar në dosje edhe një komunikim telefonik, me mesazhe, ndërmjet administratorit të kompanisë “5D” shpk, Nestor Muhametllari dhe Redi Mollës, i dyshuar si një nga dy pronarët faktik të shoqërisë.
Biseda rezulton të jetë kryer në datë 12 nëntor 2021, pikërisht në kohën që Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Bashkinë Tiranë po shqyrtonte dokumentacionin e kompanive pjesëmarrëse në garë:
Nestor Muhametllari: Ok, L.Thatë. Erdhi përgjigjja
Redi Molla: Nonaaaaaa
Ky komunikim është një prej detajeve, mbi të cilat SPAK-u ka krijuar dyshime se Redi Molla, drejtori jetëgjatë i Ujësjellësit të Tiranës, fshihej pas kompanisë “5D” shpk.
Rehabilitimi i qendrës Kinostudio
Në 22 shtator 2022, titullari i Bashkisë së Tiranës (sërish nuk përmendet emri i Veliaj në vendimin e gjykatës), urdhëron nisjen e procedurës së prokurimit publik me objekt: “Rehabilitimi i Qendrës Kinostudio”, me fond limit 583.046.084 lekë të reja.
Në procedurë marrin pjesë 12 operatorë ekonomikë. Në përfundim KVO-ja, e përbërë sërish me titullar Taulant Tusha dhe anëtarë Enton Punavija e Julian Zanaj, shpall fitues bashkimin e operatorëve “5D” shpk dhe “Bami” shpk.
Kjo procedurë rezulton të jetë më e shtrenjta që ka fituar “5D” shpk (ish-V.A.S Construction” në tenderat e zhvilluar nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet e saj të varësisë.
Në këtë rast, hetimi i SPAK-ut ka zbuluar se asnjë prej dy operatorëve nuk plotësonte disa prej kritereve të përcaktuara në dokumentat e tenderit.
Megjithatë, KVO e ka kualifikuar, duke e shpallur edhe fitues kompaninë “5D”, në shkelje të ligjit.
Për këto procedura të zhvilluara nga Bashkia e Tiranës, Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurimit “arrest me burg” për kryetarin e KVO-së, Taulant Tusha, i cili gjendet në paraburgim edhe për aferën e inceneratorit të Tiranës.
Ndërkohë, për anëtarët e tjerë, Enton Punavija, Julian Zanaj dhe Albano Janku, gjykata caktoi masën e “detyrimit për paraqitje”, të gjithë nën dyshimet për kryerjen e veprës penale të “shkeljes së barazisë në tendera.