Deputeti demokrat, Tritan Shehu, insistoi edhe në këtë seancë plenare, që Kuvendi të marrë në shqyrtim kërkesën për një seancë për mocion me debat dhe rezolutë për gjenocidin serb në Kosovë.
Ai tha se kjo çështje po bëhet gjithmonë e më imperative për shkak të situatës në rajon.
“Jam i detyruar të flas për të disatën herë për një çështje që e konsideroj thelbësore.
U ngrita sot pasi u vura në njoftim për atë që u diskutua edhe dje në Konferencën e Kryetarëve për kërkesën tonë për mocion me debat dhe rezolutë për të njohur dhe dënuar gjenocidin serb në Kosovë dhe për të ndihmuar qeverinë e Kosovës për njohjet.
Qeveria shqiptare po hesht si fija e barit dhe ne si parlament po vazhdojmë të heshtim për turpin tonë. Keni për detyrë së paku të kaloni këtë çështje në seancën plenare.
Duhet ta kalojmë në seancë plenare dhe ta miratojmë.
Nëse nuk do e bëni, nesër do kërkoj interpelancë me kryeministrin për këtë çështje, ashtu siç kërkova për Ballkanin e Hapur.
Është në nderin tonë ta fusim në seancë plenare dhe të miratojmë rezolutën,” tha Shehu.