Erion Veliaj u shfaq sot në një prej emisioneve televizive për të minimizuar sa të mundet skandalin e ‘5D’ që çoi në qeli 3 nga drejtorët më të rëndësishëm të tij në Bashkinë e Tiranës, njëherazi edhe anëtarët e shtabit të tij electoral në zgjedhjet e 14 majit.
Me një panel gazetarësh shumë miqësor, Veliaj u mundua të relativizojë vjedhjen përmes një skeme të sofistikuar, ku drejtorët më të rëndësishëm të Bashkisë, kishin krijuar një kompani, me të cilat kryenin punimet publike në Tiranë, duke fituar tenderat me bekimin e Kryebashkiakut, më pas i investonin paratë në hotele, që janë faktuar me dokumente dhe fakte.
Veliaj ka marrë në mbrojtje drejtorët, duke u shprehur se ka bërë punë shumë të mira me Mariglen Qaton, Taulant Tushen, që e evidentoi madje edhe për ndërtimin e 40 shkollave, shumicën e të cilave i ka ndërtuar pikërisht kjo kompania e famshme e 5 drejtorëve të Kryebashkiakut, si dhe Redi Mollën.
Kryebashkiaku ka zgjedhur të minimizojë në maksimum skandalin, madje duke theksuar se këta bashkëpunëtorët e tij të afërt janë pjesë e një administrate që ka 11 mijë punonjës, dhe që nuk është çudi e madhe që të ketë probleme.
Në fakt Veliaj harron një detaj, që mundohet ta konsiderojë të vogël, pasi janë plot 30 mln euro që janë zhvatur nga drejtorët e tij, që sot ndodhen në qeli, por edhe të tjerë që janë nën hetim dhe pritet të kenë fatin e drejtorëve të arrestuar.
Ndoshta Veliaj do të hyjë në histori si kryebashkiaku që të gjithë drejtorët mund ti përfundojnë në qeli, dhe ai sërisht mund të shfaqet dhe të mburret me punën e tyre, nëse deri atëherë SPAK nuk do ti rezervojë të njëjtin fat…