Jo më vonë se një ditë më pas, kjo deklaratë e z. Berisha u vërtetua nga fjalët e një zyrtari vendor, Drejtorit të Teatrit Bylis të Fierit, Klajdit Markut dhe u përforcua kur Marku, pas publikimit të videos nga "Piranjat" në SYRI TV, u kthye në “ish-Drejtor”, sepse Rama urdhëroi shkarkimin e tij të menjëhershëm nga detyra.
Por, e vërteta që s’mund të fshihet për administratën shqiptare që u derdh në Athinë me urdhër të Qeverisë dhe të PS-së, vjen edhe nga një burim tjetër pak më lart, nga një i zgjedhur vendor - Kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha, që edhe ai, i pyetur nga "Piranjat" shprehet se në Athinë kanë shkuar rreth shtatëmijë persona nga Shqipëria.
Lideri i opozitës, Sali Berisha, e ka publikuar këtë video sot në Fb me një shënim fare të shkurtër: “Pohojnë me gojën e tyre. Ky është Mariglen Disha, kryetar i bashkisë Librazhd dhe pohon me gojën e tij se në Athinë jemi të paktën 7000 vetë nga Shqipëria. Uroj të mos ketë fatin e drejtorit të Fierit!”, vërejti Berisha në përfundim.