Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, ka përgëzuar protestuesit dhe banorët e Mamurrasit të cilët protestuan ditën e sotme në autostradën Thumanë-Kashar, pasi nuk kanë hyrje-dalje në këtë aks rrugor. ‘Banorët e Mamurrasit u përballën dhëmb për dhëmb me falangat e narkoshtetit’, u shpreh Berisha.
Lideri i opozitës i ka bërë thirrje qytetarëve nga veriu i Shqipërisë që të ngrihen në mosbindje civile duke i hequr të gjitha vendpagesat e vendosura nga qeveria e Edi Ramës, si në ‘Rrugën e Kombit’ dhe në autostradën Thumanë-Kashar: ‘U bëj thirrje qytetarëve nga Fushë Kruja në Vermosh t’i fshijnë nga faqja e dheut të gjitha vendpagesat për kalimin në rrugë’,
Gjithashtu Berisha ka hedhur akuza ndaj Edi Ramës, teksa i ka kujtuar këtij të fundit vendimet e Gjykatës Kushtetuese për Teatrin Kombëtar dhe mandatin e Olta Xhaçkës, tha se po i shkelmon qëllimisht ato, vetëm për të mbushur valixhet me narkoeuro. Duke folur para mbështetësve poshtë banesës së tij, Berisha tha se ligji tashmë është në duart e bandave kriminale.
‘Përmbysja e kësaj narkodiktature është misioni më i shenjtë! Kjo përmbysje është vendimtare për vetë ekzistencën e PD-së’, u shpreh Berisha.
Në fund të fjalës, Berisha ka theksuar se beteja e opozitës nuk është kurrë për një grusht mandatesh deputetësh. ‘Beteja jonë nuk është kurrë për një grusht mandatesh! Beteja jonë është për rikthimin e votës së lirë dhe rotacionin politik’, u shpreh kryedemokrati Sali Berisha në tubimin qytetar.
FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju qëndrestareve dhe qëndrestarëve të kauzës së drejtë të shqiptarëve.
Të kauzës së lirisë, dinjitetit, interesit kombëtar.
Përshëndetje dhe nderimin më të madh oratorëve të parlamentit të lirisë.
Një përshëndetje të përzemërt sot banorëve të Mamurrasit, të cilët me një guxim, vendosmëri, u përballën dhëmb për dhëmb me falangat e narkoshtetit, i cili i ndëshkon ata në mënyrën më të padrejtë, me atë çka duhet të ishte shpërblimi dhe mirësia e tyre.
Me rrugën, me të cilën thjesht për të respektuar kushtet e autostradave dhe rrugëve superstrada, të cilat nuk mund të shndërrohen kurrë në ndëshkim për banorët ku kalojnë, por u garantojnë atyre akses të plotë, lirshmëri në lëvizje.
Ata u përjashtuan nga Fushë Kruja, u përjashtuan nga Tirana në mënyrën më të padrejtë.
21 kilometra rrugë, që paraqesin autostradën e vetme të filluar dhe mbaruar në këto 11 vite, sapo u inaugurua, u shndërrua në një mallkim për qytetarët dhe banorët ku ajo kalon.
Së pari, ju bëj thirrje banorëve të protestojnë në mënyrën më të fuqishme për të drejtën e tyre dhe se PD do t’i mbështesë ata në të gjithë fuqinë e saj.
Së dyti, u bëj thirrje qytetarëve nga Fushë Kruja në Vermosh, në Valbonë, në Morinë dhe kudo, t’i fshijnë nga faqja e dheut të gjitha vendpagesat për kalimin në rrugë.
Zonat më të varfra të Europës, zonat më të varfra të Shqipërisë tatohen në mënyrë armiqësore nga Edi Rama.
Ndërkohë, zonat të cilat janë 30-40 vite më parë se ato në të ardhura, zona të cilat kanë pothuajse dyfishin e të ardhurave të tyre, nuk paguajnë asnjë qindarkë në qarkullimin në këtë vend.
Ndaj dhe ka ardhur koha që çdo qytetar të flasë kundër çdo padrejtësie.
Të ngrihet fuqishëm kundër këtij shteti që nuk ka ligj, Kushtetutë, moral dhe që qëndron vetëm mbi dhunën dhe frikësimin e qytetarëve.
Të dashur miq!
Zoti Edmond Budina shtroi këtu përsëri çështjen, barbarinë që u krye ndaj Teatrit Kombëtar.
Ndaj këtij simboli të arrirë të kulturës kombëtare, që u rrafshua nga mafia e tmerrshme qeveritare vetëm e vetëm për të mbushur baulet me narkoeuro.
Një vendim i Gjykatës Kushtetuese njohu barbarinë si të paligjshme, antikushtetuese.
Protesta epike e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit fitoi në ligjet e Kushtetutën e vendit të drejtën e kauzës që kishte mbrojtur.
Por në vendin ku Kushtetuta, ligji është në duart e krimit, është në duart e bandave, natyrisht gjithçka shkelmohet.
Përsëri tek ligji dhe Kushtetuta, a e shihni ju një deputete, një zonjë që e nisi jetën me piramida, që quhet Olta Xhaçka se si Edi Rama për shkak të lidhjeve mafioze, shkelmon mbi ligjin, mbi Kushtetutën, mbi gjykatën.
Dhe Olta, që ka bërë burrin investitor strategjik, nuk tundet nga parlamenti vetëm e vetëm se strategjik me burrin e Oltës është edhe Olsi i Edi Ramës apo vetë Edi Rama.
Të dashur miq, të dashur qytetarë dhe qytetare, ne jemi para alternativës më të rëndë, më të vështirë në tërë ekzistencën tonë.
Ose Shqipëria të zbrazet përfundimisht nga shqiptarët, kjo tokë e bekuar t’i përzërë ata si tokë e mallkuar për shkak të Edi Ramës, ose të ngrihemi me trimëri dhe guxim, me sakrificat që kërkon liria.
Demokrate e demokratë, përmbysja e kësaj narkodiktature është thirrja më e thellë e shpirtit tonë.
Përmbysja e kësaj narkodiktature është misioni më i shenjtë i yni.
Përmbysja e kësaj diktature është misioni më i shenjtë i yni.
Përmbysja e kësaj diktature që nuk njeh ligj, Kushtetutë, moral, që riktheu në Shqipëri burgjet politike, riktheu në Shqipëri betejën armiqësore kundër opozitës, është qëllimi ynë.
Kjo përmbysje është vendimtare për vetë ekzistencën e PD-së si forcë e vërtetë politike e shqiptarëve.
Si forcë e lirisë dhe pluralizmit, si forcë e shpresës dhe fitores.
Çdo ditë që kalon, ne na afron me zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Çdo ditë që kalon na afron ne me provën e ekzistencës dhe jetës sonë si organizatë politike.
Do përmbysim ne narkoshtetin dhe të krijojmë qeveri teknike apo do vrapojmë për një grusht mandatesh për të firmosur farsën elektorale të Edi Ramës?
Demokrate e demokratë, është shansi i fundit për ne si shpresa e fundit e shqiptarëve për t’u ngritur me të gjithë forcën tonë, të gatshëm për çdo sakrificë dhe realizuar përmbysjen e narkoshtetit, rikthimin e votës së lirë, fitoren e opozitës, rotacionin politik, shpëtimin e Shqipërisë.
Miq, jeni thirrur ta shohim të vërtetën në sy.
Jeni thirrur të mos i trembemi asaj, por të luftojmë me të gjithë forcën tonë për mbrojtjen, të sakrifikojmë për të vërtetën.
Beteja jonë nuk është kurrë për një grusht mandatesh.
Beteja jonë nuk është kurrë për farsë elektorale.
Do na dënojë historia!
Beteja jonë nuk është kurrë për të firmosur fitoren e grabitur të Edi Ramës.
Beteja jonë është për rikthimin e votës së lirë në Shqipëri.
Rikthimin e dinjitetit të shqiptarëve.
Rotacionin e vërtetë politik.
Fitoren e opozitës!
Liria kërkon sakrifica, liria arrihet vetëm me sakrifica.
Fitore, fitore, fitore!