Një sherr ka ndodhur të hënën në fshatin Palasë në një lokal nate në bregdet.
Policia njofton se ka shpallur në kërkim dy persona, Xh. S., 28 vjeç, banues në Tiranë, si dhe G. B., 49 vjeç, banues në Durrës.
Sipas policisë gjatë një konflikti për motive të dobëta, ata kanë goditur me sende të forta shtetasin L. K., 42 vjeç.
Burime për CNA bëjnë me dije se konflikti ka ndodhur te lokali "SIN" në fshatin bregdetar. Sipas burimeve policore, ky lokal është një investim i ri i dyshimtë.
Njoftimi i Policisë:
Komisariati i Policisë Himarë referoi materiale në Prokurori dhe punohet për kapjen e shtetasit Xh. S., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ditën e djeshme, në fshatin Palasë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin L. K., 42 vjeç. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Në vijim të hetimeve të kryera nga grupi hetimor dhe këqyrja e pamjeve filmike, një pjesë e pamjeve janë bërë publike në rrjete sociale dhe në disa media, është identifikuar dhe shpallur në kërkim një tjetër shtetas që dyshohet se është përfshirë në këtë konflikt, shtetasi G. B., 49 vjeç, banues në Durrës.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, Xh. S. dhe G. B. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë konflikt.