Partia Demokratike të shpalosë plotësisht alternativën e saj qeverisëse!

Saturday, 31 August 2024 19:59
 
Nga Bujar Leskaj:
 

Në këta 12 vjet keqqeverisje, Shqipëria nuk është zbrazur në mënyrë spontane, çmimet e mallrave ushqimorë dhe kosto e jetës nuk u rritën vetiu, të rinjtë shqiptarë nuk kanë marrë arratinë nga vendi i tyre, pse i kishin të gjitha dhe donin aventurën.

Të gjitha këto kanë ardhur, ngaqe vendi qeveriset në mënyrën më të papërgjegjshme nga sekti Rama, i cili ka vrarë shpresën e ndërtimit të shtetit ligjor, vullnetin e sipërmarrjes së lirë dhe, mbi të gjitha, besimin tek shqiptarët se Shqipëria mund të bëhet.

E ka realizuar këtë, përmes një qeverisjeje të zhytur në afera korruptive, te cilat tashme nuk mbulohen dot me dhe janë në sytë e qytetarëve, partnerëve ndërkombëtarë dhe të drejtësisë. Skandali më i fundit është kontrabanda me mbetjet e rrezikshme nga Porti i Durrësit, e sponsorizuar nga vetë kjo qeveri dhe që mbrohet nga eksponentë të qeverisë me argumenta qesharake.

Denoncimet  e Partisë Demokratike për korrupsionin galopant te sektit Rama kanë qenë të shumta dhe të detajuara në këta 11 vjet. Dhe shumë mirë që kemi vepruar kështu.

Denoncimet ndaj keqqeverisje totale janë të domosdoshme dhe ato nuk duhet të shterojnë. Por indinjata dhe revolta nuk mjaftojnë.

I. Qytetarët duan alternativën dhe kërkojnë ekipin e besimit

Pesha e rëndesës e veprimtarisë së Partisë Demokratike duhet të shkojë drejt shpalosjes së alternativës për qeverisjen nesër, dhe jo vetëm denoncime për korrupsionin e qeverisjes së sotme.
Deri tani, shumica dërrmuese e mesazheve të opozitës kryesore të vendit tek qytetarët kanë qenë për të denoncuar dhe shumë pak për alternativën që ne japim. Nëse e shprehim këtë raport me gjuhën e shifrave, kanë qenë 90 përqind denoncime dhe 10 përqind alternativë e re qeverisjeje.

Ka ardhur më shumë se kurrë koha që ky raport të ndryshojë dhe të jetë 60 përqind ide dhe masa programore për qeverisje dhe 40 përqind denoncime. Edhe pse si denoncimet, ashtu dhe alternativa e re janë si enë komunikuese me njera-tjetrën, ky raport duhet të anojë fuqishëm për nga risitë dhe dobitë themelore të qeverisjes së Partisë Demokratike nesër. Ne nuk mund dhe nuk duhet ta kufizojmë veten në një portal denoncimesh, por duhet të marrim të plotë rolin e një partie alternativash.
Shqiptarët presin zgjidhje dhe meritojnë një alternativë më të mirë. Këtë alternativë duhet ta kemi të plotë tani! Ne duhet të punojmë tani më qytetarët, sidomos me të paangazhuarit dhe të pavendosurit për votën. Programi alternativ i Partisë Demokratike për qeverisjen pas pranverës së vitit 2025 duhet të jetë flakadani që do të ndezë tek ata shpresën për ndryshim.

Në nivel të politikës së jashtme, ne duhet të bazohemi tek Formula Rugoviane e miqësisë permanente me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe punës pa rreshtur për antarësimin në Bashkimin Evropian.  

Për alternativën qeverisese të Partise Demokratike ia vlen të flitet plotesisht dhe intensivisht sot e deri në muajin e fushatës zgjedhore në pranverë 2025. Programi nuk mund të mbahet në sirtar dhe të dalë dy apo një muaj përpara zgjedhjeve, me shqetësimin se mos na kopjon idetë kundërshtari politik,apo se kemi kohë për shpalosje.

Ne, si opozitë kryesore e vendit, na del detyrë emergjente sot ta japim për qytetarin me detaje Programin e Partisë Demokratike. Për këtë, 60 përqind e komunikimit tonë tek qytetarët duhet ta përbëjnë idetë, masat dhe zgjidhjet nga programi ynë për t’u kthyer në pushtet në vitin 2025 dhe në 40 përqind të komunikimit, ne mund / duhet të vazhdojmë me denoncimet.

Pikërisht tani që po hyjmë në javën e parë të shtatorit, është e domosdoshme që departamentet të përcjellin draftin e tyre në Kryesinë e Partisë Demokratike dhe në Grupin Parlamentar. Pasi të marrin vërejtjet dhe sygjerimet nga këto dy struktura themelore të partisë, programi duhet të përcillet në fund të shtatorit për diskutim të zgjeruar në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Disa prej ideve dhe masave kryesore të Programit tashmë janë bërë publike nga lideri i opozitës Prof. Dr. Sali Berisha, të tilla si miratimi i Minimumit Jetik Zyrtar, dyfishimi i pagave dhe pensioneve, reforma territoriale, taksa e sheshtë, etj. Por kjo nuk mjafton.

Diskutimet e deputetëve në Kuvend duhet të kenë përparësi, mes të tjerash, shpalosjen e pjesëve të programit të Partisë Demokratike për qeverisjen e nesërme. E nesërmja vjen shumë shpejt dhe ne duhet të jemi shumë mirë të përgatitur për të.

Jemi të vonuar në këtë proces jetik për ngjalljen e frymës së ndryshimit. E kemi të domosdoshme sot përcjelljen e detajuar të ideve dhe masave kryesore të programit qeverisës së Partisë Demokratike tek qytetarët, me objektivin që në mesin e tetorit të këtij viti, ta lançojmë të plotë atë, me boshtet që i gjykoj si më poshtë:

II. Ndryshime kushtetuese për të siguruar demokracinë në vend

Pas 12 vitesh qeverisje të papërgjegjshme dhe skandaloze të sektit Rama, ne si demokratë nuk mundemi të pranojmë të mos çlirojmë plotësisht energjitë tona për ndryshim, të mos bashkojmë shumicën e shqiptarëve rreth kauzës dhe alternativës për ndryshim, pa premtimin dhe programin për të ripunuar thellë Kushtetutën, duke garantuar një Legjislativ të pavarur dhe llogarikërkues ndaj Ekzekutivit, si dhe transparencën dhe pavarësinë e plotë të institucioneve të pavarura, kur të vijmë në pushtet.
Ne duhet të kërkojmë, përmes një Referendumi Popullor, ndryshime themelore në Kushtetutën e vitit 1998, të tilla si një Kuvend me vetëm 100 deputetë, që të reflektojë ndryshimet në popullsinë tonë, një mëvetësi të shprehur qartë të institucioneve të pavarura nga Ekzekutivi, të garantuar nga Kushtetuta me mekanizma kontrolli, si dhe një sistem zgjedhor proporcional rajonal, me lista 100 përqind të hapura.
Problemi më i madh që kemi si qytetarë është që Kuvendi i Shqipërisë, i cili duhet të kontrollojë qeverisjen, është shndërruar në një institucion të dobët dhe noter të rëndomtë të kryetarit të partisë në qeveri, kryetarit të sektit Rama.

Listat e kandidatëve për deputetë kërkojne patjetër zhvillimin e primareve në parti dhe lëvizja rigjeneruese e Rithemelimit na sjell një shembull të çmuar të forcës mobilizuese dhe besuese në ndryshim, që kanë primaret. Besoj se Kryetari Berisha do t’i përmbahet premtimit të tij për zgjedhjen e ekipit konkurues, sipas rezultateve të primareve të Partisë Demokratike.

III. Reforma e plotë Territoriale-Administrative

Në nivel të reformës së thellë në administratën vendore, ne duhet të realizojmë Reformën e Re Territoriale-Administrative, të propozuar nga departamenti përkatës dhe Sekretari i Pushtetit Vendor për PD-në, Ylli Asllani, me krijimin e 95 bashkive.Pse jo duke organizuar edhe degët e Partisë Demokratike në fushatën e ardhshme sipas kësaj ndarjeje të propozuar.  

Reforma Territoriale – Administrative është jo vetëm sfidë, por edhe mision, prandaj kërkon vizion, qasje strategjike dhe profesionalizëm. Propozimi i Partise Demokratike për 95 bashki respekton parimet e autonomisë vendore dhe drejtpeshon konceptin e qeverisjes lokale dhe raportin e saj me qeverisjen qendrore, me komunitetin qytetar dhe me përgjegjësitë shtetërore për shërbime sociale, ekonomike, kulturore.

Ai bazohet në një strategji zhvillimi afatgjatë si dhe në praktikat e mira të qeverisjeve lokale, në vendet që kanë kaluar një tranzicionin të gjatë, njëlloj si vendi ynë.

Rikonceptimi i ndarjes territoriale, sipas propozimit të opozitës, do të sjellë zbatimin e mëtejshëm të reformës, bazuar në kritere si ai i distancës minimale apo kriteri i popullsisë minimale, që sjell sinergji në realizimin e shërbimeve ndaj qytetarit.

Rikonfigurimi në 95bashki do të sjellë respektimin e plotë të të gjitha aspekteve të decentralizimit dhe simetri demografike e ekonomike, jo vetëm mes bashkive të një rajoni, por edhe mes rajoneve të ndryshme të Shqipërisë.Sot ,të gjtha sa më sipeër Rama i ka shkelur me këmbë.

Krijimi i 33 bashkive të reja, do të ndihmojë realisht zona dhe njësi administrative periferike, të cilat sot nuk marrin as fondet dhe as vëmendjen e duhur, si nga pushteti vendor, ashtu dhe nga bashkia ku janë nën juridiksion.

Të 95 bashkitë do të kenë mundësi reale që të rrisin cilësinë e shërbimeve dhe të ushtrojnë kompetenca në diskrecion të plotë, siç parashikohet në Kartën Europiane të Autonomisë. Propozimi i Partisë Demokratike është në përputhje me parimet e Kartës së Autonomisë Vendore, pasi siguron konsensusin e domosdoshëm politik e social, ofron planifikime realiste për të garantuar autonominë financiare dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarin.

IV. Programi ekonomiko-social i shpresës dhe mirëqënies për të gjithë

Duhet ta bëjmë plotësisht të qartë dhe tërheqëse për qytetarin argumentin e shëndoshë ekonomik, që rritja ekonomike e vendit është e domosdoshme të mbështetet nga një sistem i sheshtë tatimor, i bazuar mbi tatimin e sheshtë 10 përqind

Ky sistem tatimor duhet të mbështesë, me përjashtime të mirëmenduara fiskale, edhe kompanitë start-up dhe ato të gjelbra. Kryefjala e Programit Ekonomik te Partise Demokratike duhet të jetë garantimi i një ekonomie të çliruar nga praktikat korruptive dhe klienteliste, të cilat e kanë izoluar de-facto ekonomikisht dhe politikisht Shqipërinë, duke pjellë kastën e oligarkëve pranë Ramës.

PD duhet të distancohet totalisht nga oligarkët dhe ta qartësojë qëndrimin ndaj tyre, në dobi të qytetarëve konsumatorë dhe të bizneseve të vogla dhe të mesme, që ndihen të shtypura dhe asfiksuara nga pozitat diktuese të kompanive të oligarkëve në tregje dhe në garat për tendera shtetërorë.

Në ekonomi dhe jo vetëm, ne duhet të implementojmë në programin tonë mekanizma të fortë të sigurimit të llogaridhënies dhe transperencës.

Duhet ta japim të plotë mesazhin se Partia Demokratike do t’i rikthehet me forcë qeverisë së vogël, por efiçiente për qytetarin. Ajo do të rikthejë garën reale në prokurimet publike, duke anulluar çdo koncesion korruptiv dhe klientelist dhe duke ndaluar me ligj ofertat PPP të pakërkuara.

Në përmirësimin e administratës tatimore, ne duhet t’i bëjmë të kuptueshme për qytetarët dobitë e:
a) uljes së numrit të shkallëve të ndryshme tatimore;
b) zbatimit të taksës së sheshtë 10 përqind mbi kapitalin, i cili krijon vende pune, si dhe
c) zbatimit të taksës së sheshtë 10 përqind mbi të ardhurat nga puna.

Partia Demokratike do të anullojë të gjitha lehtësirat fiskale të dhëna nga ligjet preferenciale dhe të porositura të sektit në qeverisje. Ajo do ta rishikojë në tërësi Ligjin “Për Investitorin  Strategjik”, me përparësi sjelljen e investitorëve të huaj, dhe jo “gostitjen” e oligarkëve të Ramës, përmes VKM-ve, me toka në bregdet.

Me qëllim kufizimin e ndjeshëm të emigracionit të sotëm masiv dhe rikthimin e të rinjve në vend, ne duhet ta detajojmë Paketën e plotë me Stimuj Fiskalë dhe Grante për të punësuarit në moshë të re, si dhe për sipërmarrësit deri në 35 vjeç. Duhet ta deklarojmë tani dhe në detaje Paketën e plotë Mbështetëse për Familjet e Reja, që nga niveli i subvencionit të normave të interesit për kredi për blerje banese nga çiftet e rinj, tek rritja e ndjeshme e bonusit të bebes, tek granti mujor për çdo fëmijë deri në moshën 21 vjeç, etj. Të gjitha këto dobi dhe mesazhe qendrore ekonomike, si dhe shumë të tjera, ne duhet t’ia përcjellim qytetarit çdo ditë, përmes një gjuhe të thjeshtë e me shifra, duke filluar nga kjo jave e parë e shtatorit.

Në nivel të pasurive kombëtare, ne duhet të deklarojmë pasuri parësore kombëtare bujqësinë dhe t’i japim asaj vendin që i takon në subvencionet shtetërore. Duhet të evidentojmë me transparencë të plotë përgjegjësitë e sektit Rama në skandalin me fondet e IPARD II, si dhe në shfrytëzimin barbar të pasurive të tjera nëntokësore dhe mbitokësore, duke kërkuar rimbursimin e tyre nga ato struktura shtetërore që ndihmuan në abuzim dhe nga kompanitë private të përfshira në abuzim.

xxx

Ne duhet të bindim qytetarin, sidomos atë të paangazhuar dhe të pavendosur, për dobitë konkrete të programit tonë për ndryshim. Dhe këtë nuk duhet ta bëjmë jo vetëm dy muaj përpara garës zgjedhore, por duke filluar nga sot, tani dhe nga të gjithë antarët e drejtuesit në çdo nivel në PD, deputetë , ish-deputetë dhe kandidatë të ardhshëmDuke filluar nga kjo javë e parë e shtatorit. Me durim, me profesionalizëm me punë të palodhur çdo ditë, me trokitje çdo ditë në dyert e qytetarëve, për t’i bindur për ndryshimin që presin, përmes programit tonë dhe për ta arritur atë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...