Varfëri dhe pabarazi. Është kjo fotografia ende bardh e zi e mospasjes deri në mjerim në Shqipëri. Janë rreth 350 mijë qytetarë, kryesisht në zonat rurale që jetojnë me më pak se 600 lekë në ditë. Shifrat e përditësuara i tregoi Emanuel Salinas Drejtuesi i zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri.
“13.7% e popullsisë është në varfëri. Ndërkohë ka shumë të tjerë që gjenden në situatë vulnerabël, që gjenden në kufirin për t’u bërë të varfër. Nga ana tjetër nuk po ka mjaftueshëm kujdes për kapitalin njerëzor. Po ka shumë vëmendje ndaj emigrimit sesa ndaj kapitalit njerëzor. Emigrimi është një proces, dhe nuk duhet menduar për ta ndaluar. Kapitali njerëzor duhet trajtuar më me kujdes. Duhet të punojmë për edukimin dhe aftësimin e të rinjve”, tha Salinas.
Veç varfërisë dhe pabarazisë, një tjetër problem “madhor dhe urgjent” që Shqipëria duhet të zgjidhë është korrupsioni. Për drejtoreshën për Çështjet e Europës Jugore-Qendrore në Departamentin e Shtetit të SHBA, Colleen Hyland, lufta ndaj korrupsioni është kusht për “rritjen ekonomike dhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian.”
“Korrupsioni është një çështje e madhe jo vetëm në Shqipëri apo Ballkan. Ky problem duhet tejkaluar me ndihmën e SPAK. Nëse vendi mund korrupsioni do të integrohej në Bashkimin Europian dhe do të thithte investime. Duhet të mbani ne kontroll korrupsioni dhe ndryshmet ligjore që bëni duhet të jenë përputhje me BE. Në si SHBA do ju mbështesim”, tha ajo.
Nga konferenca e tretë Rajonale “Balkanomics” me fokus “Rritjen Ekonomike përmes Investimeve Inteligjente, zyrtarja e DASH kërkoi kujdes edhe procedurat tenderuese që iu jepen kompanive të huaja pasi ekziston rreziku i përdorimit të ekonomisë “si mjet presioni politik”.
“Jemi partner të Shqipërisë, në nxisim vendin të marrë në konsideratë investimet që duhet të përthithur. Duhet të menaxhohen më mirë edhe tenderat. Duhet të merrni ofertuesit më të mirë, jo vetëm në bazë të çmimit. Pra lidhet me sigurinë kombëtare, të ketë mekanizma edhe për shtete që ju bëjnë ofertën”, tha Hyland.
Në konferencën rajonale “Balkanomics” u diskutua edhe mbi sfidat e tregut të punës nën ndikimin e zhvillimeve teknologjike si dhe rreziqeve në rritje që i kanosen Shqipërisë nga ndryshimet klimaterike.