Nga Jamarbër Malltezi
Në lidhje me citimin që disa media i kanë bërë deklaratave të gazetares Anila Hoxha, bazuar në piramidën e mashtrimit, aktpadinë e prokurorisë private të Edi Ramës se: “…shumë persona kanë kërcënuar shumë ministra që bënë këtë dhe atë…”.
Sqaroj sa vijon:
Ky është një trillim ordiner i Skapistave politikë, pasi deri sot nuk ekziston asnjë dëshmi, fakt apo dokument që ndonjë person të ketë bërë kërcënimin më të vogël ministrave të kohës në të gjithë procesin e njohjes kthimit të pronës pronarëve të ligjshëm dhe parablerjes prej tyre të objekteve të ndërtuara mbi të.
Për sa i përket një deklarate të ish gjeneral Qirjazit sipas të cilës ministri Oketa i kishte bërë presion për të firmosur, pasi sipas tij kjo gjë i ishte kërkuar atij vetë, sqaroj edhe njëherë:
1-Kjo deklaratë e tij është përgenjeshtruar në mënyrë kategorike nga ish ministri Gazmend Oketa.
2- Biseda mes ministrit Oketa dhe drejtorit Qiriazi nuk ka patur asnjë lidhje me njohjen, kthimin e tokës apo privatizimin e objekteve të ish klubit Partizani, pasi këto procese përfshirë dhe pagesat e plota nga pronarët, kishin përfunduar një vit më parë. Por ish general Vladimir Qirjazi, mbante peng në shkelje të ligjeve, terrenin dhe objektet që duhet t’i inventarizonte, ndërkohë që ato shfrytëzoheshin si pronë private nga të tretë, që nuk i paguanin asnjë qindarkë shtetit për veprimtarinë e tyre private, por paguanin individë të korruptuar që të pengonin dorëzimin e tyre pronarëve, pasi ai objekt ishte privatizuar dhe paguar prej tyre.
Midis një ministri që ka zbatuar ligjin dhe një zyrtari që ka dëmtuar buxhetin e shtetit, duke lejuar shfrytëzimin e paligjshëm të pronës shtetërore nga të tretët, pa asnjë kontratë a tagër ligjor, secili mund të zgjedhë të besojë kë të dojë. Z.Qirjazi do të thirret si dëshmitar për të provuar pretendimet e tij.
Kurse lidhur me ndryshimet në ligjin e sporteve në vitin 2007, sqarojmë se ato ndryshime vinin në kundërshtim të hapur me ligjin bazë të kthimit dhe kompesimit të pronës dhe ligji nuk kishte fuqi prapavepruese që të ndalte një proces të nisur në vitin 2005, tek një tokë që Edi Rama i kishte ndryshuar destinacionin dhe kishte lëshuar ‘Leje shesh ndërtimi’. Por në rast se Berisha donte të favorizonte Malltezin apo familjen Begeja sipas ligjit të sportit të vitit 2007 mund t’ia jepte direkt me koncesion ‘klubin Partizani’ dhe Prof. Malltezi t’a merrte të gjithën si Olsi Rama 37,000m2 e jo aq sa ç’i takonte ndër qindra pronarë, që ishte veç 410m2 apo me pak se 1%.
Në lidhje me të ardhurat e Argita Malltezit, përfshirë edhe shpenzimet e saj për prindërit, ato janë të gjitha nga burime të ligjshme dhe të deklaruara në ILDKP.