Arbër Veliaj, vëllai i Erion Veliajt, është një nga njerëzit që dominon tregun e reklamave në Shqipëri.
Këtë gjë ai e bën me anë të kompanisë “Gogel”,të cilën e bleu në 2011. Tashmë, kjo kompani ka 100% aksioner “Gogel Holding”, e cila ka sërish pronar Arbër Veliajn.
Me anë të kësaj kompanie, vëllai i kryebashkiakut ka kapur tregun e marketingut. Një prej kompanive që Arbër Veliaj menaxhon është “One Albania”.
Vëllai i Veliajt merret me rrjetet sociale dhe me marketingun e “One Albania”, e cila në fakt përveçse kliente e Arbrit duket se është e lidhur drejtpërdrejt edhe me Veliajn.
“One Albania” ka fituar një tender nga Bashkia e Tiranës. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Shërbim për infrastrukturë të dedikuar optike dhe shërbime data”.
Në garë kanë marrë pjesë 6 kompani, përfshirë këtu edhe atë telefonike “Vodafone Albania”.
Megjithatë, më 20 shtator 2024, fituese e tenderit është shpallur “One Albania”, me vlerën 68 774 075 lekë, ndërsa fondi limit ishte 74 398 398 lekë.
Në “Open Data”, tenderi për shërbimin e internetit, të fituar nga kompania kliente e Arbër Veliajt, rezulton me flamur të kuq për skualifikimin e të gjithë operatorëve konkurrues.
Më parë, ky shërbim kryhej nga “Albtelecom Albania”, që sot është kompania “One”. Edhe “Albtelecom” ishte kliente e kompanisë “Gogel” të vëllait të Veliajt, i cili i krijonte asaj fushatat e marketingut.
Pra, Erion Veliaj u ka dhënë tenderin e internetit klientëve të Arbër Veliajt, të deklaruara në portofolin e kompanive që u shpërndan reklamat.
Njëra dorë lan tjetrën, të dyja lajnë fytyrën.