Industria në krizë, rënia e euros fundos sektorin e rëndësishëm të ekonomisë

Diel, 29 September 2024 18:32
 

Sektori i industrisë dhe i eksportit nuk po kalon një periudhë pozitive. Pasi u rimëkëmb me shpejtësi në vitin 2021, duke rikuperuar me shpejtësi humbjet nga pandemia dhe rezistoi në 2022, viti 2023 ka qenë i vështirë.

Nga njëra ana janë rritur kostot e operimit të aktivitetit dhe të personelit. Disa i kanë transferuar në çmime, të tjerët, sidomos eksportuesit, e kanë pasur të vështirë. Nga ana tjetër, koniunktura e çmimeve dhe kërkesës në tregjet ndërkombëtare nuk ka qenë shumë e favorshme.

Rënia e Euros është një tjetër faktor që ka ndikuar negativisht eksportuesit, ndërsa prodhuesit, që marrin lëndën e parë nga importi, i ka lehtësuar disi.

Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se industria në total (“Industria nxjerrëse; përpunuese; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar; furnizimi me ujë; aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, rehabilitimit”) shënoi rënie me 0.68% në vitin 2023, hera e parë me ecuri negative që nga periudha e pandemisë, kur tkurrja ishte 7.8%.

Ndikimin më negativ e dha industria përpunuese, që u reduktua me 6.12%, me ecuri më negative sesa gjatë periudhës së pandemisë (-4.11%).

Mungesa e fuqisë punëtore është një tjetër arsye që po ndikon negativisht te prodhimi.

Aktiviteti i industrisë po zgjerohet me ritme shumë më të ulëta se ai i sipërmarrjeve të tjera, si ndërtimi dhe energjia, duke bërë që shumë prej tyre të dalin nga lista e “Monitor 200”, sipas të ardhurave.

“Kurum” është kompania më e madhe në Shqipëri në sektorin e industrisë, me të ardhura 37.7 miliardë lekë (me rënie 18.2%) e ndikuar nga rënia e çmimeve. “Bankers Petroleum”, eksportuesi më i madh i naftës bruto, shënoi rënie të të ardhurave me 19%, në 21.8 miliardë lekë, sipas burimeve nga kompania.

Eksportuesi i kromit, “Albchrome”, shënoi përgjysmim të të ardhurave në 8 miliardë lekë, e ndikuar nga koniunktura e pafavorshme e çmimeve në bursat ndërkombëtare. Sipas raportit të aktivitetit, 2023 ishte një vit i paqëndrueshmërisë së tregut, pas një periudhe shumë të pastabilizuar të çmimeve të energjisë elektrike dhe nga kriza e luftës në Ukrainë, që kaloi industria në vitin 2023, ku për shkak të kërkesës së ulët, çmimet e ferrokromit u ulën me rreth 35%, duke u krahasuar me vitin 2022.

“Gjatë vitit 2023 nuk u operua me kapacitet prodhues të plotë, për shkak të vendimeve të bordit, duke parë ndikimin e tregut të energjisë elektrike dhe të shitjes së produktit final. Për pasojë është prodhuar një sasi prej 14.793 tonësh në Elbasan dhe 14.230 tonë në Burrel përkatësisht.

Prodhimi i kromit arriti shifrën e 93.252 tonëve gjatë 2023. Ndërkohë për sa i përket aktivitetit investues, ai u rishikua dhe u shty pas shpërthimit të pandemisë, duke u përqendruar në objektiva të tjerë më të rëndësishëm. Vlera totale e investimit pritet të kapë shifrën e 30.9 milionë dollarëve deri në fund të vitit 2024.

Nëpërmjet këtij investimi pritet të zgjatet më tej jeta e minierës dhe të shfrytëzohen rreth 1.9 milionë tonë rezerva minerare”. “Albchrome” aktualisht prodhon rreth 93.000 tonë në vit mineral kromi nga Miniera e Bulqizës, dhe pret që ta rrisë prodhimin në 145.000 tonë në vit deri në vitin 2027.

Kompania sqaron se “Albchrome” zë një peshë të vogël në prodhimin global të ferrokromit dhe mineralit. “Edhe pse ‘Albchrome’ është një prodhues cilësor, ai ka një treg të kufizuar dhe konkurrencë shumë të fortë nga Kazakistani dhe Rusia (të gjitha bashkë me një prodhim total vjetor ferrokromi prej rreth 2 milionë tonë).

Kapaciteti prodhues vjetor i ferrokromit të ‘Albchrome’ përllogaritet rreth 72.000 tonë, ose 80% e kapacitetit vendas kundrejt një prodhimi global rreth 13.7 milionë tonë ferrokrom në vit”.

Prodhuesi i pijeve freskuese “Coca Cola” rriti të ardhurat me 14%, në 5.8 miliardë lekë, të ndikuar dhe nga shtrenjtimi i çmimeve. Sipas raportit të aktivitetit, që nga janari 2023, shoqëria rishikoi listën e çmimeve të shitjes për kategorinë “Pije freskuese të gazuara” (në vijim CSD), për të mbuluar rritjen e parashikuar të kostos në lëndët e para. Çmimet u rritën për të gjitha njësitë e produkteve (në vijim SKU-të) me ndikim pozitiv në të ardhurat bruto nga shitja (në vijim GSR) prej + 11.5%.

Duke filluar nga mesi i korrikut 2023, shoqëria rriti zbritjet e aplikuara në kanale të ndryshme shitjesh, kryesisht për tregtarët me shumicë, për të luftuar produktet e papërshtatshme që hyjnë në tregun shqiptar nga vende të tjera”.

“Pikëpamja ekonomike ka ndryshuar shumë vitet e fundit: sistemit të prodhimit i është dashur të përballet me sfida të rëndësishme të shkaktuara nga rritja e kostove në fusha të ndryshme kyçe, duke përfshirë lëndët e para, energjinë, transportin dhe logjistikën” – nënvizon Luca Busi, president i “Coca-Cola Bottling Shqipëria”.

“Inflacioni nuk ka prekur vetëm sektorin tonë, por ndikimi është regjistruar në nivel global dhe në të gjithë botën, duke krijuar fenomene të ndërlikuara: vështirësi në marrjen e lëndëve të para, ndërprerje të zinxhirit të furnizimit, rritje e kërkesës.

Për më tepër, rritja e çmimeve të mallrave – para së gjithash energjia – ka ndikuar fuqishëm në kostot operative, si rritja e tarifave të operatorëve logjistikë për dërgesat, e rënduar nga vonesat që kanë përkeqësuar më tej situatën”.

Grupi “EHW”, me aktivitet në përpunimin e mishit, prodhimin e ujit, supermarkete etj., raportoi 7.4 miliardë lekë të ardhura, me rënie të lehtë prej 1%. Prej disa vitesh, EHW raporton bilancin si grup, përfshirë dhe ujin “Qafshtama” dhe supermarketet (ajo zotëron 55% të aksioneve të shoqërisë “Conad Albania”). “Gjatë vitit 2023 nuk pati rritje të shitjeve, në ndryshim nga vitet paraardhëse.

Përkundrazi u shënua një ulje e të ardhurave nga shitja, në masën 1%. Mendoj që shkak kryesor për këtë ishte deflacioni i çmimeve që pasoi inflacionin e dy viteve paraardhës 2021, 2022. Për t’ju rikthyer rritjes së të ardhurave po bëjmë investime të vazhdueshme, në teknologji dhe në zgjerimin e mjetit të shitjeve. Parashikojmë që në përfundim të vitit, në vazhdim të arrijmë një rritje të të ardhurave në nivelin 3-4%”, pohon Luan Leka, CEO i grupit EHW.

Sipas raportit vjetor, “shoqëria EHW ka investuar gjatë vitit 2023 në rinovimin e teknologjisë për të rritur konkurrueshmërinë në treg. Një investim të rëndësishëm ka bërë dhe shoqëria ‘Qafshtama’, pjesë e grupit, e cila vuri plotësisht në eficiencë fabrikën e dytë në zonën malore të Qafshtamës. Gjatë vitit 2023 është investuar edhe në hapjen e dy supermarketeve të reja.

Gjatë vitit që u mbyll, shoqëria ka pasur në qendër të vëmendjes politikat për mbrojtjen e mjedisit. Për këtë qëllim janë instaluar në dy stabilimente impiante fotovoltaike për prodhimin e energjisë elektrike”.

“Kombinati i Mishit” raportoi të ardhura me rreth 3.7 miliardë lekë, me rritje 18%. Aktiviteti kryesor i shoqërisë ka qenë prodhimi dhe tregtimi i mallrave ushqimore, kryesisht në rrjetet e supermarketeve, por edhe shitje me shumicë për bizneset në të gjithë territorin e vendit.

Sipas raportit të aktivitetit, “tipar dallues i kësaj periudhe është rritja e të ardhurave nga aktiviteti i shfrytëzimit, e cila ka ardhur nga shumë faktorë, ku më kryesorët janë përmirësimet në strukturën e grupit të mallrave ushqimore, përmirësimi i cilësisë së mallrave nga furnizimet brenda dhe jashtë vendit, rritja e cilësisë së produkteve të prodhuara nga vetë njësia, përmirësimi i shërbimit etj.

Me rritjen e aktivitetit kryesor, është shtuar dhe shpërblimi i punonjësve, si dhe janë zgjeruar më tej hapësirat dhe mundësitë për kualifikim të vazhdueshëm, shpërblim të arsyeshëm dhe kontributi për realizimin personal të tyre.

“Aktiviteti ka qenë i njëjtë në shitje me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore dhe joushqimore. Fokusin kryesor e kemi pasur në shitjen me shumicë të produkteve të mishit të freskët në të gjithë territorin e vendit”, pohon Spiro Lengo, Menaxher i Përgjithshëm i “Kombinati i Mishit”.

“2023-shi ishte një vit i suksesshëm, ku përqendrimi ynë ishte më shumë në nevojat e turizmit, me një fokusim të veçantë tek mishrat e freskët të viçit dhe të pulës. Hotelet, resortet dhe restorantet, duke qenë se kishin një fluks të madh turistësh të huaj, u përqendruan në produkte cilësore për të ruajtur kërkesat e turistëve të huaj.

Kjo solli rritjen e kërkesës për cilësi. Për këtë arsye, përgjegjësia jonë ishte e madhe për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave. Kjo solli rritjen e punës me produkte mishi të freskëta nga vendi ose të Bashkimit Europian, aty ku kompania jonë është e mbështetur prej vitesh”.

Z.Lengo shton se kompania është e fokusuar në riorganizimin dhe modernizimin e sistemit të prodhimit dhe të shpërndarjes. “Përveç cilësisë duhet vëmendje edhe në strukturat e shpërndarjes, në mënyrë që produkti t’u shkojë klientëve në kohën e duhur dhe me të gjitha kushtet e larta higjeno-sanitare dhe frigoriferike”.

“Lajthiza Invest”, me aktivitet në prodhim, ambalazhim, tregtim i ujit natyral raportoi të ardhura prej 3.7 miliardë lekësh, me rritje gati 30% me bazë vjetore. Sipas raportit të aktivitetit, kryesisht shitjet më të mëdha kanë qenë nga formati 0.5 litra dhe 5 litra. Përveç mbulimit lokal në Shqipëri, shoqëria ka realizuar shitje në rajon (Maqedoni e Veriut dhe Kosovë) dhe një pjesë janë eksportuar dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

“Maccaferri Balkans” vijoi zgjerimin e shpejtë për të dytin vit radhazi, teksa të ardhurat arritën në 2.86 miliardë lekë, me rritje 14% me bazë vjetore, si rrjedhojë e investimeve të kryera për zgjerimin e aktivitetit. Shoqëria operon në tregun shqiptar prej afro 15 vitesh dhe në atë botëror, me një përvojë mbi 140 vjet.

Objekt kryesor ka aktivitetin e prodhimit dhe tregtimit të produkteve me përdredhje të dyfishtë (si gabione, materase dhe rrjeta), rrjetave në formë unazore dhe tregtimin e produkteve gjeosintetike të përdorura për të zgjidhur problemet në lidhje me kontrollin e erozionit, mbrojtjen e terrenit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Gjatë vitit 2022, në autostradën Durrës-Tiranë, Kilometri i 6, Xhafzotaj, shoqëria u transferua nga stabilimenti ekzistues me një kapanon prodhimi, në stabilimentin e ri me tre kapanone prodhimi, me vlerë investimi 4 milionë euro, për shtimin e linjave industriale të prodhimit, nga 4 makina ‘Linja Industriale’ duke e çuar numrin e tyre në 12 makina ‘Linja Industriale’ të cilat kanë trefishuar kapacitetet prodhuese të fabrikës.

Edhe në vitin 2023, shoqëria ka investuar në makineri të reja me vlerë investimi 500 mijë euro. Më 31 dhjetor 2023, Shoqëria ka të punësuar 196 punonjës. Gjatë vitit 2023, janë punësuar 64 punonjës të rinj, ose 32% e punonjësve në total”.

“CWI-Albania” (ÇOKYASAR WIRE INDUSTRY ALBANIA) është një nga sipërmarrjet më të reja në fushën e industrisë, një investim dhe bashkëpronësi shqiptaro-turke. E themeluar në vitin 2019, kompania nisi prodhimin e telave të galvanizuar, që përdoren për rrjeta ose kosha.

Në vitin 2023, të ardhurat ishin 2.2 miliardë lekë, me tkurrje prej 17% me bazë vjetore. Sipas burimeve të kompanisë, investimi është rreth 6 milionë euro dhe aktiviteti nisi në janar 2021, pas disa vonesave për shkak të pandemisë.

Industria e përpunimit të peshkut, nën potencial për shkak të kuotave dhe rënies së Euros

Industria e përpunimit të peshkut, e cila punon kryesisht me modelin e materialit të porositësit, ka tërhequr investime të shumta vitet e fundit. Por, sektori pengohet nga kufizimi i kuotave të eksportit. Për të shtuar eksportin e peshkut të përpunuar, industria prej vitesh e thekson se është i domosdoshëm negocimi për rritjen e kuotave të açuges së konservuar.

Në kuadër të marrëveshjes tregtare me BE-në, industria shqiptare e përpunimit të peshkut mund të eksportojë drejt Europës rreth 1600 tonë peshk të përpunuar, açuge të konservuar. Për shkak të zgjerimit të kësaj industrie, prej vitit 2015, kuotat e eksportit përmbushen që në muajt gusht apo tetor.

Pas plotësimit të kuotave, produktet taksohen me 25% të vlerës. Për një dërgesë në vlerën 200 mijë euro, eksportuesit shqiptar do t’i kushtojë 50 mijë euro taksa doganore. Momentalisht, ata kanë operuar, duke importuar produkt gjysmë të gatshëm, por me ligjet e reja europiane, çdo kategori produkti do të taksohet.

Kërkesa e industrialistëve shqiptarë është zgjerimi i kuotave me BE-në deri në 4000 tonë, mirëpo negociatat midis shtetit shqiptar dhe BE-së kanë mbetur në vend.

Aktualisht, industria operon me dy kategori produkti; produkt gjysmë i gatshëm, i cili shërben si lëndë e parë për prodhuesit europianë dhe produkt përfundimtar, të cilat janë konservat me peshkun açuge.

Humbjet nga rënia e Euros gjithashtu përbëjnë shqetësim edhe për eksportuesit e industrisë përpunuese të peshkut.

Sipas INSTAT, në vitin 2023, eksportet e grupit “Peshku dhe kafshët guaskore të nënujshme”, ranë me 4.7% me bazë vjetore, duke u tkurrur për herë të parë në vlerë që nga viti 2013, kur kishte filluar zgjerimi i vrullshëm i sektorit. Në këtë rënie ndikoi zhvlerësimi i Euros, teksa në sasi, eksportet u rritën lehtë me 2.7%, pas reduktimit me 5.3% vitin e mëparshëm.

Kjo ecuri reflektohet dhe në rënien e aktivitetit të operatorëve kryesorë që veprojnë në këtë segment.

“CORAL” mbetet sipërmarrja më e madhe përpunuese e peshkut në vend. Të ardhurat në vitin 2023 ishin 3.1 miliardë lekë, me rënie 8.3% me bazë vjetore.

Kompania pohon në raportin e aktivitetit se është përballur me vështirësi të shumta, si rritja e kostove dhe mungesa e fuqisë punëtore, e cila ka krijuar vonesa në dorëzimin e porosive. Sipas raportit të aktivitetit, “‘Coral’ sh.p.k. operon në sektorin e përpunimit të produkteve të detit që nga viti 1994.

Prej shumë vitesh, kompania operon dhe në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kosovë dhe Spanjë, marrëdhëniet me të cilën janë intensifikuar së tepërmi vitet e fundit, duke tregtuar produktet e saj në këto tregje me kompani shumë prestigjioze që janë lider të sektorit në këto vende.

Produktet e freskëta me origjinë shqiptare, si dhe importet nga Greqia dhe Italia të peshkut të freskët, kryesisht tregtohen brenda vendit dhe eksportohen. Por ka dhe importe të peshkut të ngrirë, por në pjesën më të madhe përpunohen dhe eksportohen përsëri në tregun e huaj”.

“Rozafa”, me aktivitet në zënie, grumbullim, përpunim dhe tregtim me shumicë e pakicë të prodhimeve të detit, brenda dhe jashtë vendit, pasi hyri për herë të parë në “Monitor 200” në vitin 2022, ka dalë sërish një vit më pas. Të ardhurat e saj ranë me 27%, në gati 1.7 miliardë lekë.

Gjergj Luca, drejtues i kompanisë “Rozafa” sh.p.k ka pohuar në një intervistë të mëparshme për “Monitor”, se potencialet për zhvillimin e këtij sektori janë jashtëzakonisht të mëdha. “Nga shteti shqiptar duhet të ndryshojë mentaliteti për zhvillimin e modelit ekonomik.

Prodhimi i Brendshme Bruto matet me prodhim dhe jo sesa turistë hyjnë. Nëse nuk kuptohet që i duhet dhënë më shumë rëndësi industrisë, prodhimit dhe eksporteve, ekonomia do të jetë e destinuar të përkeqësohet.

Duhet të rrisin kapacitetet eksportuese. Ato rriten nëse sipërmarrësit dëgjohen për problemet që kanë, që nga zhvlerësimi i Euros etj. Prodhimi është pjesa më vitale e një shoqërie dhe askush nuk i kthen sytë nga prodhuesit.

Vendi nuk mbahet nga spekulantët, por nga prodhimi, për të ndryshuar atmosferën e këtij vendi”.

Eksportuesit e veshjeve të këmbëve vuajnë rënien e Euros

Për të dytin vit radhazi, industria e veshjeve të këmbëve, që ka dhe sipërmarrjet më të mëdha në segmentin që punon me material porositësi, po pengohet nga dy sfida. Së pari, rënia e ndjeshme e Euros ka ulur të ardhurat në Lek të eksportuesve. Së dyti, ata po përballen me probleme të mëdha në gjetjen e fuqisë punëtore, duke bërë që të mos e përballojnë dot kërkesën nga porositësit.

Këtyre u shtohen edhe rritja e kostove, e ndikuar në pjesën më të madhe nga rritja e pagës minimale, që në prill 2023 u bë 40 mijë lekë. Edhe më herët, kompanitë po i rrisnin pagat, si një masë për të frenuar ikjen e punonjësve.

Rritja e kostove ka bërë që furnitorët, kryesisht nga Italia, të zhvendosen drejt shteteve të tjera në Marok, apo në Lindjen e Mesme. Sektori i prodhimit të këpucëve është ndër më të lehtët për të delokalizuar.

Në momentin që prodhimi bëhet më i shtrenjtë, porositësit nxitojnë drejt vendeve të tjera me kosto më të lira.

Sipërmarrjet e prodhimit të këpucëve, që kanë një cikël pothuajse të mbyllur, kanë dhe faturim më të lartë, duke qenë pjesë e “Monitor 200”, në raport me ato të tekstileve, që kryejnë vetëm disa procese në vend.

“Albaco Shoes” është ngjitur sërish në operatorin më të madh të prodhimit të këpucëve dhe të vetmin nga ky segment në listën e “Monitor 200”. Të ardhurat e shoqërisë ishin rreth 2.2 miliardë lekë, me rritje të lehtë prej 2.1%.

Në raportin e aktivitetit, administratori i shoqërisë me pronësi italiane thekson për të disatin vit radhazi se “Albaco Shoes”, gjatë vitit 2023 ka pasur ecuri jonormale të aktivitetit të saj. Faturimet kanë pësuar ulje me rreth 0.933% në krahasim me vitin 2022, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore.

Kostot e prodhimit kanë shënuar rritje me rreth 5.4% në raport me vitin e mëparshëm, ndërsa edhe në 2022 ishin shtuar me 1.4%.

Numri i të punësuarve është reduktuar për të dytin vit radhazi, duke u ulur me 35.33% (në 2022 ishte tkurrur me 14.33% në krahasim me vitin 2021). Çmimet e faturimit janë ulur me 3.5%, pas rënies me 1.5% vitin e mëparshëm.

“Efa Solution”, e specializuar në prodhimin e këpucëve dhe nënkontraktimin, që në vitin 2022 hyri për herë të parë në listën e “Monitor 200”, në 2023 realizoi 1.8 miliardë lekë të ardhura. Së bashku me sipërmarrjen tjetër “Pro Dyn”, po në prodhimin e këpucëve të ardhurat totale arritën në 2.3 miliardë lekë.

Eva Laro, administratore e kompanive tha se për të amortizuar rënien që erdhi si rrjedhojë e uljes së euros, rritjes së pagës minimale dhe tkurrjes së kërkesës nga jashtë kaloi në një nivel më të lartë të zinxhirit të vlerës, duke prodhuar për marka luksoze, si “Prada”, nga niveli i mesëm ku ishte i përqendruar më parë. Në 2024-n, pjesa më e madhe e të ardhurave po vijnë nga kontrata me “Prada”.

“Fital”, një nga operatorët më të mëdhenj të prodhimit të këpucëve në vend ka shënuar rënie të ndjeshme të të ardhurave me 34%, në 1.4 miliardë lekë, duke qenë larg vitit më të mirë në 2019-n kur qarkullimi vjetor arriti në rreth 2.4 miliardë lekë.

Sipas raportit të aktivitetit, efekte negative në treguesit e vitit 2023 ka dhënë kursi i këmbimit të Euros, e cila në fillim të vitit 2023 ka qenë 114.23 lekë/euro, ndërsa në fund të vitit 2023 ka qenë 103.88 lekë/euro.

Shoqëria ka rritur pagat për personelin. “Për vitin 2023, paga mesatare si kompani arrin në shifrën prej 47,339 lekësh, ndërsa për vitin 2022 ka qenë në nivelin prej 42, 160 lekësh, ose me rritje mesatare prej 5,179 lekë për të punësuar, ose me një rritje prej 12% në krahasim me vitin 2022”.

Skënder Pashaj, i cili drejton kompaninë “Fital”, nga prodhuesit më të mëdhenj në treg, pohon se përpos situatës së vështirë, nuk ka shpresa për rikuperim. Ndër shumë faktorë që kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës është rënia e kërkesës nga jashtë, tha ai.

“Ka një frenim të shitjeve, sidomos të këpucëve pas luftës në Ukrainë. Rritja e çmimeve të mallrave të shportës i ka shkurtuar blerjet për këpucë. Tendenca pritet të jetë e tillë, e kombinuar edhe nga ndryshimi i stilit të jetës dhe ndikimet klimatike që po ndikojnë në ndryshimin sezoneve”, – shpjegoi ai.

Z. Pashaj tha se në tregun e brendshëm, kostot e larta të punës nga rritja e pagave dhe humbjet nga kursi i këmbimit janë faktorë shtesë që kanë vështirësuar situatën në sektor.

Në vitin 2023, eksportet e veshjeve të këmbëve ranë me 14% në vlerë dhe po në të njëjtat nivele në sasi, të ndikuara nga vijimi i nënçmimit të Euros ndaj Lekut me rreth 12%, shtimi i kostove nga pagat e larta, ndryshimi i kërkesës globale për këpucë për shkak të motit të ngrohtë dhe zhvendosjes së prodhimit të sipërmarrjeve europiane drejt vendeve me kosto më të lira të punës, si India e shtete të tjera të Azisë.

Rënie e industrisë së miellit

Për herë të parë në renditjen e “Monitor 200” nuk ka asnjë shoqëri që ushtron aktivitet në industrinë e përpunimit të miellit.

Pas rritjes në vitin 2022, – që kryesisht erdhi nga shtrenjtimi i çmimeve, si rrjedhojë e situatës kaotike të krijuar pas sulmeve të Rusisë në Ukrainë, që zhbalancuan tregun global të drithërave – në vitin 2023 të ardhurat e kompanive kanë rënë ndjeshëm.

“Miell Tirana”, e vetmja që ishte në renditjen e “Monitor 200” në vitin 2022, deklaroi të ardhura prej 2 miliardë lekësh në 2023, me një tkurrje prej 19% me bazë vjetore.

“Bloja”, që ishte sipërmarrja më e madhe e këtij lloji në vend para tre vitesh, ka dalë nga renditja e më të mëdhave që në vitin 2022. Në 2023 ka raportuar rreth 1.2 miliardë lekë qarkullim vjetor, me rënie 32%.

“Atlas Mills” kishte të ardhura prej 1.6 miliardë lekësh, me rënie 17.7% me bazë vjetore.

Industria e qumështit “ndihmohet” nga importi

Sasia e qumështit të grumbulluar vitin e kaluar shënoi rënie me 8% në krahasim me vitin 2022, raportoi INSTAT, në vrojtimin e bërë me kompanitë e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit në vend.

Prodhimi i qumështit është rrjedhojë e rënies së numrit të bagëtive, të cilat vitin e kaluar ishin 11% më pak se në 2022 për secilën kategori.

Në vitin 2023, sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar rezulton rreth 101 mijë tonë, duke shënuar rënie me 8,0%, krahasuar me 2022.

Gjatë kësaj periudhe, sasia e qumështit të lopës të grumbulluar është rreth 80 mijë tonë, duke pësuar rënie me rreth 7,6%, krahasuar me vitin 2022.

Për shkak të rritjes së kostove dhe rënies së sasisë së qumështit, fabrikat përpunuese po shtojnë sasitë e qumështit të importuar, si lëndë të parë, kryesisht nga Italia, Sllovenia dhe Serbia.

Sipas të dhënave të Doganave, në periudhën janar-maj 2024 u importuan 7,1 milionë litra qumësht. Kjo është sasia më e lartë e periudhës që prej vitit 2017, kur nisi zbatimin për herë të parë skema e TVSH-së së kreditueshme 20% për agropërpunuesit.

Qumështi i prodhuar nga fermeri vendas vijon të mbetet më i shtrenjtë, krahasuar me qumështin e prodhuar në rajon apo Europë, pavarësisht uljeve të shpeshta të çmimit.

Sipas të dhënave të Doganave, 27% e qumështit të importuar vjen nga Italia, 16% e totalit të importeve e zë qumështi nga Sllovakia, 14.5% importet nga Hungaria, 13% nga Bosnjë-Hercegovina, 11% nga Kosova, rreth 9% nga Serbia etj. Sipas operatorëve vendas, në Europë, prodhimi i qumështit ka qenë i mbarë dhe ka shumë tepricë me çmime të ulëta.

Pavarësisht problematikave, prodhuesit kanë vijuar rritjen.

Përpunuesit e qumështit presin përkeqësim të konsumit nga reduktimi i popullsisë, teksa ndihen të shqetësuar edhe për investimet shtesë të nisura për procesin e automatizimit.

“Aktualisht jemi në investime të reja, por me merak e kemi. Si kompani presim ulje të shitjeve në vijim, për pasojë edhe reduktim të prodhimit”, pohon z. Saimir Begaj, drejtuesi i fabrikës së përpunimit të qumështit “Erzeni”.

Saimir Begaj tha se me investimet e reja që ka në proces kompania e përpunimit të qumështit “Erzeni”, synohet rritja për tregje të reja drejt eksportit.

“Nuk i trembemi importit, pavarësisht subvencioneve dhe uljes së kostove të prodhimit për shkak të sipërfaqeve të mëdha që janë nëpër botë, pasi jemi të sigurt që bëjmë produkte më të mira dhe të sigurta. Por edhe investimet tona janë vërtet më të mirat në rajon dhe më gjerë”, tha ai.

“Erzeni sh.p.k” është më i madhi në këtë segment. Në vitin 2023, kompania raportoi të ardhura prej gati 2.2 miliardë lekësh, me rritje prej 16.5% me bazë vjetore.

“ADG” (ish-Lufra) është i dyti më i madh me të ardhura prej 1.8 miliardë lekësh, me zgjerim 9.2%. “Viti 2023 ka shënuar një tkurrje të vogël të konsumit në volume edhe pse në të ardhura jemi me rritje për shkak te çmimeve më të larta krahasuar me 2022.

Ne kemi një rritje të qëndrueshme të biznesit, e cila vazhdon edhe gjatë vitit aktual si në të ardhura edhe në fitim për shkak të politikave të qëndrueshme që kemi zbatuar me fermerët tanë.

Investimet kanë qenë kryesisht të orientuara drejt zhvillimit të fermerëve. Ne i japim atyre në përdorim tanke ftohëse për të rritur sigurinë e qumështit që ata prodhojnë dhe për shumë prej tyre kemi dhënë edhe “hua” apo paradhënie për qumështin qe dorëzojnë që ata të investojnë tek fermat e tyre.

Gjithashtu po investojmë vazhdimisht në rritjen e eficencës së prodhimit dhe automatizimin e tij deri në nivelet më të larta, madje duke integruar edhe Inteligjencën Artificiale në menaxhimin e të dhënave që mbledhim”, thotë Luis Ndreka, CEO i “ADG”.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...