Duke folur në lidhje me dosjen e dorëzuar nga SPAK në gjykatë ndaj tij, lideri i opozitës Sali Berisha deklaroi se, skrapistët e partisë kanë mashtruar hapur.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:
Meqenëse e hape këtë çështje, megjithëse sot jam për çështje të tjera, më duhet të bëj një sqarim lidhur me këtë çështje.
Në fletërrufenë aktpadi ndaj meje, mashtruesit publikë Dumani i pyetjes 1 milion euro dhe tre shtëpive me rrogë shteti, Kraja i vilave dhe i të shkuarës xhelat i Sigurimit të Shtetit, simotra biologjike, ndrikulla e bandave Mellonai, mashtruan, një nga mashtrimet e shumta, se Sali Berisha, siç u kujtohet, vendimin për letrat me vlerë e anuloi pas 7 muajsh pasi e firmosi.
Për ta lidhur këtë sikur gjoja ky vendim që kishte dalë 1 muaj pasi familjet pronare të klubit Partizani kishin paguar mbi 90 përqind të të gjithë shumës, por për ta lidhur këtë, mashtruan publikun e thanë se ky pasi përfundoi problemi i klubit Partizani, anuloi vendimin.
E vërteta është se 7 muaj pas këtij vendimi, për sa i përket pronarëve, përdorimit të letrave me vlerë nga pronarët për të blerë, parablerë objekte të ndërtuara në pronat e tyre, nuk lëvizi asnjë germë. Mashtruan, për të mos përdorur atë term që meritojnë.
Përkundrazi, ajo pikë e vendimit u la siç ishte, u ndryshua vetëm një pikë e vendimit, e cila përjashtonte përdorimin në ankand të letrave me vlerë për të tjerët.
Meqenëse ata kishin shpifur dhe mashtruar publikisht, u paditën nga avoketërit e mi, por padia Skrapi i partisë refuzoi të hapë çështje penale për skrapistët mercenarë të partisë.
Së dyti, ju jeni gazetarë dhe unë u bëj thirrje të bëni një kontroll të seancës kur mercenarët e Skrapit u paraqitën në komisionin e mandateve, kur ata deklaruan se kishin ardhur pa dosje, deklaruan se jemi këtu për zëvendësimin e masave të sigurisë, pasi Berisha nuk zbatoi masat e para.
Unë nuk i zbatova se ishin antikushtetuese, antiligjore.
Kurse tani të zënë ngushtë se kanë shkelur ligjin, deklarojnë se nuk shkuam vetëm për këtë. Nuk shkuan për asnjë prej tyre, se regjistrimi është zyrtar, publik.
Edhe për këtë, avoketërit gjykuan se duheshin paditur.
Përsëri, skrapistët e hodhën poshtë, nuk hapën çështje penale.
Tani vijmë tek pyetja direkte.
Do të jenë avoketërit ata që do të vendosin mbi domosdoshmërinë e paraqitjes time në seancën gjyqësore, kjo paraprake mos gaboj.