'Afera' e koncesionit në Portin e Durrësit/ Pse u shqetësua Balluku nga media gjermane

Tuesday, 03 December 2024 20:51
 

Nga Boldnews.al

Zv.kryeministrja dhe njëkohësisht Ministrja e Infrastrukturës, reagoi fort, po pa asnjë fakt, lidhur me dyshimet e ngritura në dy shkrime radhazi të publikuara së fundmi në median gjermane “focus.de”, ku ngrihen pikëpyetje mbi tjetërsimin e kontratës koncesionare të operimit në terminalin e kontenierëve, në Kalatën Lindore të Portit të Durrësit. 

Në një reagim në rrjete sociale pasditen e kësaj të Hëne (2 dhjetor 2024), Balluku foli për njerëz që “po luftojnë kundër projektit strategjik të Portit të ri, Durrës” dhe që po “luftojnë kundër fuqizimit të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si pjesë integrale e portit të ri, nëpërmjet porteve të thata”, duke “eksportuar baltë në media të huaja, për t’u dukur më të besueshëm kur e hedhin pastaj këtu”.

Image

Përtej tekstit me fjalor tipik të “hartimeve” dhe që ngjan si dy pika uji me reagimet e kryeministrit Edi Rama pas publikimit të përgjimeve të dosjes “339” në gazetën gjermane “Bild”, ministrja Balluku nuk u dha përgjigje asnjë prej dyshimeve të ngritura në raportimet e “Focus.de” dhe të tjera që ngrihen pas atyre shkrimeve.

I rikthemi shkurtimisht çështjes së koncesionit të terminalit të Durrësit, një rast që po ndiqet me shumë interes, jo vetëm nga media gjermane, por edhe nga investitorë e politikanë, në Berlin dhe Bruksel. 

Në maj të vitit 2013, ndërmjet qeverisë shqiptare të drejtuar në atë kohë nga Sali Berisha dhe kompanisë së huaj “EMS Shipping Trading”, u nënshkrua kontrata koncesionare me afat 35 vjet, me objekt “Menaxhimi, operimi, ndërtimi, mirëmbajtja dhe përmirësimi teknik dhe adaptimi i Terminali Lindor në Portin e Durrësit”.

Në vitin 2023, qeveria shqiptare, tashmë e drejtuar nga Edi Rama, miratoi projektin turistik “Durrës Jaht Marina”, i cili cënonte drejtëpërdrejtë interesat financiare të koncesionarit “EMS”.

Ky i fundit, pasi nuk gjeti mirëkuptim nga qeveria shqiptare, të përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës me drejtuese Belinda Ballukun, iu drejtua Arbitrazhit Ndërkombëtar. Në padinë e saj, “EMS” kërkonte nga qeveria shqiptare shumën prej 40 milionë euro, në formën e dëmshpërblimit.

Por, në Korrik të vitit 2024, “EMS” tërhiqet nga Arbitrazhi, duke i shitur aksionet e kompanisë koncesionare tek kroatët e “Schapha d.o.o”, për vlerën 13 milionë euro.

Media gjermane, “Focus.de” ka ngritur pikëpyetje të forta mbi këto zhvillime, të cilat nuk kanë marrë ende asnjë përgjigje zyrtare e publike nga Balluku.

Sipas dy artikujve, kontrata koncesionare iu shit një kompanie të vogël lokale kroate, mbi të cilën ekzistojnë të dhëna për lidhje të dyshimta ndërkombëtare me vende nga Amerika Latine.

“…Rasti bëhet edhe më problematik nga lidhjet e pronarëve të “Schapha” me Ekuadorin dhe Kolumbinë. Burimet ngrenë shqetësime se vende si Kolumbia dhe Ekuadori, me destinacione si Shqipëria, po monitorohen gjithnjë e më shumë nga DEA, si rrugë potenciale të trafikut të drogës….”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e “Focus.de” të datës 29 nëntor 2024.

Gjithashtu, në shkrim ngrihen dyshime se tjetërsimi i kontratës koncesionare nga ‘EMS” tek “Schapha” është një operacion që fsheh interesat e një oligarku shqiptar, të lidhur me qeverinë.

“Si një kompani fasadë, një oligark vendas shqiptar, me mbështetjen e menaxherëve rajonalë të MAERSK, mund të fitonte të drejtat ekskluzive të operimit për portin e ri të Porto Romanos – për 45 vitet e ardhshme”, shkruan “Focus.de”, i cili ngre dyshime edhe për rolin e ish-drejtorit të Portit Durrës (Pirro Vëngu, aktualisht Ministër i Mbrojtjes), si edhe ministres Belinda Balluku.

Dyshimet e ngritura nga media gjermane, por që nuk janë vetëm të saj, nuk janë sqaruar asnjëherë ngë Balluku dhe shefi i saj, politik, Edi Rama.

Opinioni publik nuk ka asnjë lloj transparence nga Balluku se përse u detyrua “EMS” t’i drejtohet Arbitrazhit dhe, përse, në mënyrë “të çuditshme”, u tërhoq nga kërkesa për dëmshpërblim 40 milionë dollar.

Balluku nuk ka bërë asnjë lloj transparence për verifikimet e mundshme mbi integritetin e kompanisë kroate që bleu aksionet e koncesionarit të Terminalit të Durrësit, për më tepër që ajo, si titullare e autoritetit kontraktor, ka autorizuar shitjen/tjetërsimin e të drejtave koncesionare nga “EMS” tek kroatët e “Schapha” doo.

Image

Porti i Durrësit është përdorur shpesh si vend destinacioni apo edhe tranzitimi e drogave të forta nga Amerika Latine drejt Europës, nëpërmjet kontenierëve. Pikërisht, për këtë arsye, dyshimet e ngritura nga media gjermane për lidhje tregtare mes kompanisë kroate që tashmë po operon në Terminalin e Kalatës Lindore, duhej të ishin sqaruar në mënyrë shteruese nga ministrja Balluku.

Pa përgjigje nga Balluku ka mbetur edhe fakti se përse një kompani duhet të paguajë 13 milionë euro për një kontratë koncesionare, e cila, si rregull, duhet të përfundojë shumë shpejt, në varësi të ecurisë së projektit turistik të nënshkruar mes Ramës dhe biznesmenit saudit, Muhamed el Alabar, për Marinën e Jahteve Durrës.

“Focus de” ngre shqetësimin se transaksioni mes dy kompanive të huaja shërben si një operacion fasade për të mbuluar interesat e një oligarku shqiptar, i cili beson se mund të marrë të drejtat ekskluzive të operimit në portin e ri të Porto Romanos.

Dyshimet janë konkrete dhe një qeveri e përgjegjshme duhet të jepte sqarime të përgjegjshme. Por, Belinda Balluku ka zgjedhur të reagojë me “patriotizma” e me “armiq të brendshëm e të jashtëm”, të cilët po luftojnë projektet strategjike e zhvillimore të qeverisë së saj dhe të Edi Ramës.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...