Në një takim me pensionistët në Elbasan, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shpalosi kritika të ashpra ndaj qeverisë, duke argumentuar se fondet e pensioneve po mbeten të papërfillshme për shkak të keqmenaxhimit dhe abuzimeve në investime kapitale.
Duke përmendur shembuj konkretë, Berisha theksoi se tenderat publikë po manipulohen për përfitime personale të një grupi të vogël njerëzish. Gjendjen e pensionistëve e cilësoi si tejet të rënduar, duke theksuar se ata janë më të shfrytëzuarit në këtë sistem. Gjithashtu, ai e quajti shpërndarjen e buxhetit si një akt të pashpirt dhe të pamëshirshëm ndaj shtresave më të prekura të shoqërisë.
FJALA E BERISHËS:
Çfarë pëson Shqipëria nëse vendos qeveria të kalojë 800 milionë fondin e pensioneve?
Ua them ju pse nuk bëhet kjo, sepse për ju, për pensionistët kanë lënë 16 milionë euro, kanë parashikuar për vitin tjetër 17 milionë euro.
Ku shkojnë këto? Këto vidhen në mënyrën më të pamëshirë.
Si vidhen? Vidhen në ndërtim rrugësh me çmime 10 herë më të larta se Kroacia, që është standard i BE.
E kam thënë dhe do ua them 100 herë, lexoni në Google, merrni rrugën në Kroaci, Bjelosik-Manastir, 17 kilometra rrugë, 27 metra e gjerë rruga, standard evropian, është ndërtuar me 27 milionë euro. I bie 1.6 milionë euro për km.
Sa i bie për një km Edi Ramës dhe Belinda Ballukut? I bie nga 15 në 32 milionë euro në fushë.
Këta janë të çmendur, këta nuk kanë kufi në vjedhje. Prandaj buxheti shkon 80 përqind investime kapitale dhe vjedhje kapitale.
Nuk mbetet ajo, sigurisht.
Po të veprosh në këtë mënyrë njerëzit të duken miza, njerëzit nuk ekzistojnë. Dhe kur e di që i ke vjedhur, të duken viktima dhe më keq.
Kjo është arsyeja që ky njeri që i ra qark e tërthor nga Korça në Durrës, duke fajësuar njëherë opozitën, njëherë bizneset, në një kohë që dispononte në tavolinë për të shpërndarë buxhetin me 8.2 miliardë euro.
Pra, kjo shpërndarje e të ardhurave është shpërndarja më e pamëshirë. Ne e kemi provuar në diktaturë, po Enver Hoxha i kthente në bunkerë në paranojën e tij, kurse këta i vjedhin për vete.
Hyn i vëllai i Erion Veliajt me 100 euro në një kompani, na përfundon me 32 milionë euro xhiro kompania. Fitimet e kompanive të tyre, se tani çfarë ndodh?
Ju pensionistë jeni njerëzit më të shfrytëzuar sepse paguani tre pensione taksa shtetit.
Mos harroni këtë.
Ku shkojnë këto? Këto shkojnë në një grusht kompanish që ndajnë paratë me qeverinë.
Bëhet tenderi, shembulli, tuneli i Llogarasë, ofrohet kompani me 130 milionë euro, jo, thotë, nuk fiton. Përsëritet tenderi, fiton kompania me 180 milionë euro, e ndërton po kjo kompani që pruri 130 milionë euro.
U them unë që në mënyrë absolute çdo tender në këtë mënyrë e bëjnë. Sill kaq ofertën ti dhe pastaj e ndajmë bashkë.
Pastaj ku mbetet për pensionistët? Bëhet qameti po të shtojmë fondin tek pensionistët. Ky është cinizëm ekstrem.
Plus tjetra, narko-eurot që vijnë me kontejnera, dhe ato pesë parë që u vijnë jashtë nga fëmijët, janë zhvlerësuar në masën 30-40 përqind.