Ish-Kryeministri Sali Berisha i ka bërë një thirrje indirekte të përjashtuarve dhe “armiqve” të Bashës që të lënë mënjanë përplasjet dhe të vijnë në PD për të dhënë kontributin e tyre, në një kohë kur sipas tij revolta qytetare kundër qeverisë ka nisur dhe nuk do të ndalet.
Në një intervistë për INTV, Berisha e analizon protestën dhe tubimet e qytetarëve për taksën e Rrugës së Kombit si një shenjë të qartë se tashmë ka ardhur koha për të rrëzuar qeverinë përmes protestës.
Madje Berisha shprehet se kryetari i PD-së e ka bërë tashmë apologjinë, dhe sipas mendimit të tij kjo kërkesë për falje do të reflektohet në veprime konkrete.
“PD është në një proces bashkimi të kontributeve. Kryetari dhe grupi i statutit ka bërë ndryshime, dhe është i hapur për ndryshime, në të cilat duhet ta gjejnë veten në parimet që besojnë edhe njerëz të cilët për arsye objektive apo subjektive janë ligjërisht të zemëruar e të pakënaqur. Sikundër kryetari është shprehur se ka njohur gabimet e tij. Kur një njëri njeh gabimet kjo do të thotë se merr masa, njeh përgjegjësinë e gabimeve dhe natyrisht përcakton rrugën e kapërcimit të pasojave të këtyre gabimeve”, tha Berisha.