Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, u shpreh mbrëmë në opinion se dorëheqja e Saimir Tahirit vazhdon një teatër i shëmtuar i dyshes Rama-Tahiri, duke pasur parasysh që tashmë krimi i organizuar është vendosur si një nga pikat kusht të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave.
Intervista e plotë
Në fakt e ripërsëris që dorëheqja e Sajmir Tahirit vazhdon një teatër i shëmtuar i dyshes Rama-Tahiri, duke pasur parasysh që tashmë krimi i organizuar është vendosur si një nga pikat kusht të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave, dhe jo vetëm për këtë, por dhe shumë bashkëveprime të tjera që ndërkombëtarët duan të institucionalizojnë në Shqipëri. E gjetën si një kurban prej disa orësh për ta zhvilluar këtë lajm dhe për të tërhequr sado pak vëmendje. Mendoj që dorëheqja e Sajmir Tahirit është thjesht një largim vëmendje nga problemi kryesor i asaj çka po kalon Shqipëria sot. Dorëheqja e Tahirit është thjesht për t’i dhënë pak oksigjen Edi Ramës, sepse ajo çka është më e rëndësishmja është që tashmë nuk është thjesht Tahiri ai që pengon integrimin në Bashkimin Evropian, dhe jo vetëm integrimin, por edhe në shumë çështje të tjera që kanë të bëjnë me stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Por është vetë Edi Rama ai që është problemi i vetëm. Tashmë ndërkombëtarët e kanë kuptuar këtë gjë. Edhe pse mbaroi shfaqja e pikturave shumëngjyrëshe apo dhe e fasadave të bukura që paraqiteshin në takime me kryeministra apo ekspozitat e kushtueshme të tij në botën e artit, tashmë u kthyen në realitet, sepse buka e përditshme që hanë shqiptarët është shumë më e rëndësishme se sa arti. Terrorizmi që po zhvillohet apo ekspansioni i jashtëzakonshëm i krimit të organizuar në Evropë është shumë më i rëndësishëm dhe shumë më i rrezikshëm se sa ekspozitat e Edi Ramës në rrugët e Bashkimit Europian apo në zyrat e tyre.
A mendoni që Rama kishte dijeni së paku apo ishte bashkëpunëtor në vendimin për këtë dorëheqje?
Sigurisht që Rama është ideatori i saj. Rama është ai që e ka nxitur Sajmir Tahirin. Të mos harrojmë që më 19 prill, Sajmir Tahiri erdhi në parlament për të mos humbur mandatin dhe pas dy javësh vjen dhe dorëzon mandatin. Tashmë që Rama mbylli të gjitha deal-et e tij me prokurorinë dhe gjykatat, mendon që bërja për disa orë kurban e Saimir Tahirit, gjë e cila mund të finalizohet me një arrest shtëpie, gjë që do jetë prova më e rëndë që implikon jo vetëm prokurorinë, por edhe gjykatat e shqiptare, në implikimin e tyre dhe në angazhimin e tyre për ti shërbyer me devotshmëri krimit të organizuar. Kjo është shumë e qartë, nuk ka nevojë për t’i hedhur hi syve të shqiptarëve apo dhe politikës shqiptare. Kjo është e pranishme, është e ndjeshme dhe e prekshme nga shqiptarët. Unë nuk mendoj që sot ka njeri që nuk e di që kanabizimi i Shqipërisë erdhi si rezultat i politikës që z. Rama instaloi dhe e zbatoi nëpërmjet duarve të Saimir Tahirit. Sepse deri dje kishim Policinë që duam, Ministri më i mirë, ministri që duam, çdo gjë që duam. Pra doli edhe nga Eurobarometri, doli ministri më i pëlqyer i qeverisë Rama, dhe tashmë është një ministër i cili do të përfundojë në të ashtuquajtur arrestim, pra masë arresti, për t’i shërbyer sado pak dhënies oksigjen momenteve më të fundit të një kadavre politike siç është kadavra e Edi Ramës, që përfaqëson krimin e organizuar.
Juve përmendet arrestin e shtëpisë, përse mendoni se do jetë arrest shtëpie?
Sepse jam e bindur që ky është edhe kompromisi midis tyre. Sot fjalimet e Saimir Tahirit me kode mafioze, të cilat vetëm mund të deshifrohen nga grupet kriminale, ishin të jashtëzakonshme dhe tregonin hapur një lloj hedhje topi, sa nga njëra anë në anën tjetër. Edhe fjala vetë e Ramës në parlament tregonte implikimin e të dy palëve dhe kompromisin e të dy palëve, për të arritur në atë qëllim, pra largohu nga parlamenti për të shtensionuar sado pak. Por kjo do të thotë që në anën tjetër tregon një tërheqje të Ramës, sepse Rama prej 6 apo 7 muajsh ka ruajtur me një fanatizëm bashkë me grupin e deputetëve, në mënyrë të jashtëzakonshme, mbrojtjen e Sajmir Tahirit. Tashmë e lëshoi. “Lëshimi” që Rama po i bën Saimir Tahirit tregon ose ngjarje të tjera më të rënda janë mbi shpatullat e Edi Ramës dhe do të publikohen shumë shpejt nga partnerët ndërkombëtarë, ose Edi Rama vetë po ndjen çdo ditë e më shumë momente shumë të vështira dhe po kërkon të fitojë sado pak kohë për të rikuperuar.
Po ndërkohë Tahiri sot ka hedhur akuza edhe mbi opozitën, edhe mbi ju, mendoni që janë të faktuara këto akuza?
Ka mëkat më të madh se ta kthesh rininë shqiptare në një rini që përdor kokainë më shumë se të gjithë. Ka mëkat më të madh se të largosh shqiptarët nga Shqipëria sepse alternativa e tyre e vetme është ose të bëhen pjesë e krimit të organizuar ose të bëhen pjesë e strukturave kriminale dhe terroriste se në të kundërt ekzekutohen, jo në kuptimin fizik por në kuptimin shpirtëror. Atëherë bëjmë vetëm një pyetje të shikojmë, mbi 500 mijë shqiptarë në këto katër vite që largohen nga Shqipëria, dhe mos të harrojmë në raportin e Kombeve të Bashkuara Shqipëria mban vendin e parë për përdorimin e kokainës. Pra mëkat më të madh se t’i kthesh shqiptarëve mënyrë të vetme jetese dhe fitimi të bukës së gojës kanabizimin e Shqipërisë, marrjen me drogë, tregtimin e drogës dhe kthimin e Shqipërisë në kështjellën e trafikimin të drogave, nuk ka besoj çdo lloj akuze qoftë kjo individuale apo dhe në grup, apo dhe mediatike, nuk ka këtë lloj fatkeqësie që i ka sjellë shqiptarëve. Mua nuk më çudisin fare akuzat e z. Tahiri sepse ne i lexojmë çdo ditë në portalet që paguhen me paratë e tij. Edhe vetë deputetët gjermanë ia bënë të qartë z. Rama i cili ulërinte në mënyrë skizofrenike dhe thoshte gënjeshtër, gënjeshtër, gënjeshtër.
Duke përshkruar këtë situatë juve thatë që Rama është në një pikë të dobët, e latë të kuptohej këtë gjë dhe ka nevojë për oksigjen. Në këtë situatë çfarë do të bëjë opozita?
Unë nuk mendoj se këtu duhet pyetur se çfarë do të bëjë opozita. Opozita është shumë e qartë, që në ditën që mbaruan zgjedhjet e 25 Qershorit, të cilat i ka denoncuar për deformimin e mandateve nëpërmjet parave të drogës dhe mendoj që puna e opozitës është të bëjë sensibilizimin e shoqërisë për të reaguar. Normal që opozita do të jetë ajo që do të drejtojë aksionin politik, normal që forcat politike qoftë, PD qoftë LSI apo partitë e tjera që janë pjesë e frontit opozitar nuk do të ndalen, por e gjitha kjo do të vazhdojë hap pas hapi. Mos harrojmë që për opozitën ka qenë shumë e rëndësishme stabiliteti i vendit, hapja e negociatave sepse kjo është kryesore. Por çdo ditë e më shumë edhe ne vetë bëhemi koshient që hapja e negociatave nuk ka të bëjë me qetësinë që duhet të mbajë opozita për të krijuar një hapësirë apo një relaks qeverisë së Rilindjes, por ka të bëjë me një gjë të vetme, ajo që thoshte z. Manjani që akt civil edhe fisnik i Saimir Tahirit duhet ta vazhdojë Edi Rama për të çliruar jo vetëm PS, jo vetëm veten e tij dhe familjen e tij por edhe të gjithë shqiptarët dhe të gjithë rininë shqiptare. Mendoj që sot është shumë e rëndësishme që vetë Rama duhet ta kuptojë që në greminën ku ka rënë nuk ka më kthim, nuk ka krahë dhe nuk ka asnjë media, asnjë politikan, asnjë gazetar, asnjë lobist, edhe Zoti vetë lart në qiell nuk mund ti japi krahë Edi Ramës që ta bëjë të ngrihet lart nga humnera ku ai ka rënë. Është një humnerë e cila ka nisur, e vetmja mënyrë për të shpëtuar është të bjerë sa më butë dhe të krijojë sa më pak dhimbje te ai dhe te familja e tij.