Shkarkimi i gjyqtares Altina Xhoxhaj bllokon edhe matematikisht funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Por njëkohësisht, bllokon edhe ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, struktura që ka për detyrë të plotësojë vakancat pikërisht në Gjykatën Kushtetuese.
Komisioni i Vetingut vendosi ndërprerjen e mandatit të Altina Xhoxhajt, duke e ulur në 4 numrin e anëtarëve funksionalë në Gjykatën Kushtetuese. Në bazë të Kushtetutës, kjo gjykatë mund të marrë vendime vetëm pasi të jetë krijuar kuorumi i nevojshëm, prej 5 anëtarësh. Pra, efektivisht, nga e enjta, Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese.
Por nuk përfundon këtu. Largimi nga funksioni i Altina Xhoxhaj bllokon edhe krijimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në dhjetor 2017, Xhoxhaj u zgjodh anëtare e KED nga shorti i zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë. Në bazë të ligjit, KED përbëhet nga 9 anëtarë, dy prej të cilëve janë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Altina Xhoxhaj u zgjodh, së bashku me Besnik Imerajn për të qenë pjesë e Këshillit të Emërimit në Drejtësi nga Gjykata Kushtetuese. Por, tashmë të dy këta gjyqtarë në Kushtetuese dhe, rrjedhimisht, nuk mund të jenë anëtarë të KED-së. Besnik Imeraj dha dorëheqjen pak para se të përfundonte procesi i Vetingut ndaj tij. Ndërsa Altina Xhoxhaj u shkarkua nga Komisioni i Vetingut të enjten, për shkak se nuk justifikoi pasurinë.
Ligji ka parashikuar që, për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi të zgjidhet vetëm një anëtar zëvendësues, e cila u zgjodh gjyqtarja Vitore Tusha. Por ajo e vetme nuk mund të plotësojë dy vakancat që u krijuan nga mungesa e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Vendimi i Komisionit të Vetingut për shkarkimin e Altina Xhoxhajt, me shumë mundësi, do të detyrojë Kuvendin e Shqipërisë që të zhvillojë shortin për të përzgjedhur gjyqtarët kushtetues për të qenë anëtarë në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Por, derisa Kuvendi të caktojë procedurat, ndoshta nuk do të ketë më anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Me penalizimet që po firmos Komisioni i Vetingut, është e paqartë se si do të vijojë procesi i formimit të institucioneve të reja të gjyqësorit, të parashikuara në Reformën në Drejtësi.