Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, duke folur për çështjen e listës së barnave e ka akuzuar qeverinë se po tenton të krijojë monopole të rrezikshme. Ai iu është bashkuar farmacistëve që kundërshtojnë listën e re të barnave, duke shtuar se u është hapur rrugë medikamenteve jo të sigurta.
Shehu theksoi se me vendimin për kontratën e re të ilaçeve që mori qeveria, sistemi farmaceutik po shkonte drejt elementeve shkatërruese.
Sipas Shehut importi nga të tretët është një praktikë kriminale, ndërsa shtoi se po krijohen monopole të rrezikshme. Po ashtu Shehu tha se lista e barnave është e jashtëligjshme, pasi ajo duhet të dilte që në vitin 2017.
“Në vendin tonë i është hapur rrugë medikamenteve jo të sigurta. Po krijohen monopole jo të sigurta, të rrezikshme. Shteti të imponon qytetarin dhe mjekun për alternativën e parë. Në gjithë botën nuk ka vetëm një medikament, por disa të tillë, në mënyrë që t’i jepet mundësi zgjedhje qytetarëve. Problemet krijohen për qytetarët. Unë dua të përshëndes Urdhrin e Farmacistëve për rezistencën reale që po i bën këtij vendimi. Sot janë në diskutim me Ministrinë e Shëndetësisë për të dialoguar. Problemi nuk është vetëm që të zgjidhet çështja vetëm me farmacitë, por edhe me qytetarët. Nuk mund të hiqet nga lista një medikament brenda 24 orësh, pasi pacientit mund t’i rrezikohet jeta. Lista e barnave është e jashtëligjshme, duhej të dilte që në 2017”, tha ndër të tjera deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu.