Fitojnë shuma marramendëse, por edhe yjet gjenden në vështirësi financiare, e në këtë rast fajin nuk e ka mungesa e të ardhurave, por keqmenaxhimi i tyre.
Nga Kim Basinger tek Mike Tyson, shumë VIP-a dorëshpuar kanë provuar në kurriz falimentimin për shkak të shpenzimeve pa fre dhe vendimeve të gabuara.
Mes shtëpive, varkave, veseve pafund, verërave të shtrenjta dhe divorceve të kushtueshme, Johnny Depp ka arritur të shpenzojë 2 milionë dollarë në muaj. 75 milionë dollarë i ikën për blerjen dhe mirëmbajtjen e 14 shtëpive luksoze anembanë globit e miliona të tjera i ka hedhur në erë me makina ekstravagante.
Në më shume se 20 vite të kaluara në ring, Mike Tyson arriti të grumbullonte 400 milionë dollarë, të cilat i shpenzoi me blerje të shfrenuara që përfshinin edhe ato më të çuditshmet, siç ishte edhe një tigër siberian.
Telashet e këtij lloji nuk kanë kursyer as ikonën e CNN, Larry King. Karriera e tij pati një moment të keq në vitin 1971, kur u akuzua se kishte vjedhur 5000 dollarë dhe deri në vitin 1978 nuk gjeti dot punë, duke u zhytur në borxhe.
Nga suksesi i jashtëzakonshëm i fundit të viteve ‘80, Cindy Lauper përfundoi duke punuar si kamariere për të paguar borxhet.
Këngëtarja Toni Braxton është përballur me falimentimin dy herë: e para pikërisht në kohën kur ishte në kulmin e karrierës së vet.
Problemet e Kim Basinger nisën në vitin 1993, kur hoqi dorë nga filmi “Boxing Helena” e u hodh në gjyq për prishje kontrate. Kimi u gjend shumë shpejt në një mal me borxhe dhe ndonëse më vonë e arriti një marrëveshje me studion kinematografike, dëmi ishte bërë tashmë.